Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Memorialet në Kosovë pa kritere, muzeu i luftës vetëm premtim

Sipas raportit “Memoralizimi, Roli dhe Rëndësia e tij në Ballafaqimin me të Kaluarën”, është vlerësuar se praktika e momoralizimit përkufizohet me heroizmin e luftës së fundit, se mungon përkujtimi i duhur për viktimat civile dhe se vazhdon të jetë heroik ai për burrat. Po ashtu, del se memorialet karakterizohen me gjuhë të urrejtjes e të dhëna të pasakta. Ndërkaq është ritheksuar se Kosova ende nuk ka muze të luftës, i premtuar kaherë

Memorialet janë kushtimisht sinonim i përkujtimeve në vend. Ngritja e tyre është vazhdimësi e ballafaqimit me të kaluarën, porosi për të ardhmen. Por bazuar në publikimin e raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare të Kosovës, memorialet karakterizohen me gjuhë të urrejtjes, të dhëna të pasakta dhe të mangëta.

Të martën kur u është prezantuar raporti “Memoralizimi, Roli dhe Rëndësia e tij në Ballafaqimin me të Kaluarën”, është vlerësuar se praktika e momoralizimit përkufizohet me heroizmin e luftës së fundit, se mungon përkujtimi i duhur për viktimat civile dhe se vazhdon të jetë heroik ai për burrat, ndërsa gratë shihen si viktima. Jo rastësisht raporti është publikuar të martën në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë. Është riktheksuar nevoja për një muze lufte si dokumentim i krimeve, që i mungon vendit për më shumë se dy dekada.

Prezantimi është bërë në Qendrën e Dokumentimit në Prishtinë, që gjendet në bibliotekën e qytetit “Hivzi Sulejmani”, në hapësirën ku prej vitit 2019 zë vend ekspozita e fuqishme “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” me veshjet, fotografitë e gjësendet e tjera të fëmijëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës, kuruar nga Blerta Hoçia.

“Procesi i përkujtimit të së kaluarës vazhdon të karakterizohet me ndërtimin e busteve, pllakave përkujtimore dhe emërtimeve të rrugëve dhe objekteve publike në nderim të figurave të ndryshme dhe ekziston një praktikë e mosrespektimit të rregulloreve komunale lidhur me procesin e ngritjes së këtyre memorialeve. Në anën tjetër, në Kosovë akoma nuk është ndërtuar ndonjë muze lufte…”, thuhet në raportin “Memoralizimi…” në versionin elektronik, që shumë shpejt pritet të publikohet edhe në formë të shtypur.

Bekim Blakaj drejtor ekzekutiv i FDH-së në Kosovë, ka përmendur se ekzistojnë dy ligje për kompleksin “Adem Jashari” dhe rregullorja e nivelit qendror që rregullon mënyrën e sjelljes kur vizitohet ky kompleks. Për nivelin komunal ka thënë se ka numër më të madh të rregulloreve që i rregullojnë më në detaje çështjet për memorialet, por që në praktikë nuk zbatohen fare.

Edhe Trashëgimia e luftës e rrezikuar edhe në çerekshekullin e çlirimit Kulturë Trashëgimia e luftës e rrezikuar edhe në çerekshekullin e çlirimit

“Kemi vërejtur që memoriale të shumta ndërtohen pa leje dhe pa u bazuar në rregulloret për ndërtimin e tyre, që parashihen në këto rregullore dhe pastaj si pasojë e ndjeshmërisë ndaj tyre, Komuna nuk mund të ndërmarrë hapa për shkatërrimin e tyre”, ka thënë ai në panelin me rastin e prezantimit të raportit. Ka thënë se memorialet duhet të përfshijnë të gjitha kategoritë, pasi, siç ka thënë, në fokus kanë grupet e armatosura dhe kanë lënë anash viktimat civile.

vërejtur edhe se memorialet karakterizohen me gjuhë të urrejtjes dhe me të dhëna të pasakta. Kemi vërejtur në përgjithësi se praktika e memoralizimit në Kosovë përkufizohet me luftën e UÇK-së, mungon përkujtimi i duhur për viktimat civile, vazhdon të jetë përkujtimi heroik i burrave, ndërsa ndaj grave, ato i shohin si viktima”, ka thënë më tej Blakaj derisa ka konsideruar se duhen caktuar rregullore të reja sesi duhet ndërtuar një memorial, që duhet ofruar të dhëna të sakta dhe se duhet gjetur forma të mos lejohen ndërtime pa leje në të ardhmen.

Bekim Baliqi, profesor në Fakultetin e Filozofik në Universitetin e Prishtinës, ka konsideruar se nga aspektet e ballafaqimit me të kaluarën është edhe ai i faktorit kohë.

“Në vitet e fundit, sidomos dekadat e fundit, është parë se pjesa e identiteteve shoqërore është e lidhur me kujtesën kolektive, me narracionet, me vendet e caktuara, vendet e kujtesës që njihen, me ngjarjet që i kanë krijuar ato”, ka thënë ai, derisa ka përkufizuar termin e memorialeve.

Kreshnik Gashi, nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese në Kosovë, ka thënë se është me rëndësi të kuptohet se memorialet shfrytëzojnë hapësirën publike dhe kështu edhe ato duhet të jenë gjithëpërfshirëse.

“Shpeshherë e them se ne do të mbërrijmë të themi se janë kryer krime lufte në Kosovë vetëm në momentin kur do t’i kemi aktgjykimet. Për ne është shqetësuese që fatkeqësisht këto 20 vjet nuk është punuar në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Edhe Blakaj: Institucionet s’bënë mjafueshëm në dokumentimin e krimeve të luftës, shumë prova të zhdukura Arbëri Blakaj: Institucionet s’bënë mjafueshëm në dokumentimin e krimeve të luftës, shumë prova të zhdukura

Raporti është ndarë në dy pjesë: në rëndësinë e memoralizimit, rolin e tij në shtetet dhe shoqëritë në tranzicion dhe në shënjimin e vendeve të krimit. Që në fillim të raportit, qartësohet ideja e ngritjes së memorialit që nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën, por se ka rëndësi të barabartë me të tashmen, duke kontribuuar në parandalimin e dhunës së mëtejshme nëpërmjet edukimit dhe ndërgjegjësimit.

Artisti Dardan Luta, i cili është edhe disenjator i raportit, ka thënë se gjatë vizualizimit të raportit ka hasur në memoralizimin individual dhe atë kolektiv.

“Kolektiv është rasti kur në Burgun e Smrekonicës nuk ka qenë me rëndësi sa njerëz kanë qenë aty. Secili nga ne që krijon një storie personale, lidhet edhe me memorialet. Shumica nga to janë ushtarë që kanë bërë ballë me armë. Përderisa kemi një memorial të grave, heroinave tona, për to kemi qasje tjetër”, ka thënë Luta.

Pjesa e dytë e raportit është hartuar përmes shkrimit të narrativave të shkurtra për lokacionet e caktuara ku “ka pasur shkelje të rënda të të drejtave të njeriut” përgjatë periudhës së luftës në Kosovë. Fondi për të Drejta Humanitare ka përzgjedhur 12 vende të krimit, duke synuar përkujtimin e viktimave. Aty shënjohen vendet e krimit gjatë luftës së fundit në vend, si në Burgun e Smrekonicës, Spitalin e Prishtinës, në Urën e Lluzhanit, Xhaminë e Krushës së Madhe, varrezat masive, stacionin e autobusëve në Fushë-Kosovë, në kufirin Kosovë-Shqipëri, një shtëpi afër varrezave në Vushtrri, e ashtuquajtura “Gropa për Bërllog” në Rahovec, një bunar në Gradicë, ku ishin gjetur trupa të vrarë, Ura e Gegëve në Pejë dhe Shtëpia e Kulturës në Gllogoc. Në raport këto lokacione janë paraqitur përmes ilustrimeve dhe të organizuara në “Çfarë ka qenë?” dhe “Çfarë është sot?” si rrëfim për krimet që janë kryer në të kaluarën dhe humbjet e gjurmëve të mbuluara nga modernizmi i së tashmes.

Historiania dhe koordinatorja e Fondit për të Drejta Humanitare në Serbi, Jelena Gjureinovic, ka thënë se punojnë me dokumentacione të ndryshme për të arritur në burimet nga të cilat mësohen narrativa të vërteta. Sipas saj, ato nuk fokusohen vetëm në vuajtjet e serbëve, por edhe në popullatën në Kosovë.

Edhe Mosdokumentimi i krimeve të luftës rrezikon harrimin e viktimave Arbëri Mosdokumentimi i krimeve të luftës rrezikon harrimin e viktimave

“Memoralizimi dhe përpjekja për memoralizim janë problem rajonal, nuk është karakteristikë për një vend apo shoqëri të caktuar. Është praktikë për të gjitha vendet që kanë pasur përvoja në të 90-at, jo vetëm në Kosovë apo Serbi. Nuk ka përfshirë vetëm një shtet dhe jo tjetrin”, ka thënë ajo.

Publikimi i raportit të Fondi për Drejtësi Humanitare është rezultat i hulumtimit dyvjeçar për ngjarjet e viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë. Në përfundim kishte ardhur se procesi i memorializimit në vend është kryesisht i përqendruar në memoriale statike. Të dhënat e marra nga regjistri i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në Kosovë thonë se janë të listuar gjithsej 1356 memoriale nga shumica e të cilave vlerësohet të jenë të ndërlidhura drejtpërdrejt me luftën ndërmjet UÇK-së me forcat serbe.