“Kosova monumentale e paradokseve” është dokumentari që ilustron memorialët e viktimave civile të luftës së fundit në Kosovë. Në të zbërthehet problematika e dokumentimit të historisë. Për shembuj merr disa muze e dëshmi të cilat përveçqë dokumentojnë të kaluarën, shpërfaqin edhe kontraditat në krijimin e narracionit për të kaluarën.
Me autor gazetarin e KOHËS, Shaban Maxharraj, dhe producent Kushtrim Koliqin, udhëheqës i organizatës “Intregra”, dokumentari zbërthen tematiken edhe me studiues. Hedh dritë mbi mënyrat komplekse dhe shpesh paradoksale në të cilat Kosova ka përkujtuar viktimat civile të luftës e ato që u vranë në front.
Nëpërmjet tij synohet të nxitet diskutim i rëndësishëm për rolin e monumenteve dhe memorialëve në formësimin e kujtesës kolektive dhe ballafaqimin me të kaluarën.
Muzeu i martirëve të familjes Berisha në Suharekë, Muzeu i familjes Qerkezi në Gjakovë e ekspozita për fëmijët e vrarë e të zhdukur në luftën e fundit e hapur në Prishtinë, janë prej hapësirave që prekin pak nga rrëfimet e tmerrit. Shteti ka pak dorë në to, e kjo është ritheksuar në panelin e diskutimit pas shfaqjes së dokumentarit.
e publicisti Ylber Hysaj diskutimin e tij të udhëhequr prej historianit Durim Avdullahu e ka hapur duke u nisur pikërisht prej titullit të dokumentarit. Ka thënë se ai mund të lexohet në shumë forma, por që në esencë shpërfaq realitetin dhe kontradiktat. Sipas tij, Kosovës ende i mungon një memorial gjithëpërfshirës për luftën me krejt atë që i ka paraprirë asaj, siç është aparteidi ndaj shqiptarëve.
“Unë edhe sot e konsideroj dështim tonin dhe të gjithë neve që nuk kemi ndoshta një monument mu aty ku futesh në Prishtinë, apo në kufi me Maqedoninë, Shqipërinë a Malin e Zi, si një lloj falënderimi, diçka që flet shumë pasi ka pasur shumë fotografi ku në kufi policia merrte dokumentet e civilëve. I ka dëbuar më qëllim për të mos u kthyer kurrë dhe ajo është pamje e fuqishme...”
Antropologia Zanita Halimi ka vlerësuar se memorialët nuk përcjellin një rrëfim të qartë për luftën e as për viktimat civile.
“Memorialët e kanë potencialin të rrëfejnë tregime. Ne thjesht e shohim që edhe pse janë të prira në një lloj mediumi për të transmetuar një kujtesë shoqërore, ajo çfarë është evidente në Kosovë, përmes memorialeve të luftës përcillet vetëm një histori e fragmentuar, pra mungon historia e plotë e rrëfimeve të ndryshme të cilat janë në Kosovë”.
Ferdonije Qerkezi, së cilës i janë marrë me forcë dhe vrarë bashkëshorti dhe katër djemtë e saj, në dokumentar rrëfen se ka kthyer shtëpinë e saj në muze më qëllim shpalosjen e krimeve që janë kryer nga forcat serbe.
Nol Binakaj, zëvendësdrejtor i fondacionit kosovar “Trashëgimia kulturore pa kufij”, ka thënë se në dokumentar shpërfaqet mungesa e vizionit për këta memorialë që manifestohet në shumë dimensione.
“Fatkeqësisht një trajtim i tillë është shpërfaqur edhe kur vjen puna tek këto monumentet që unë i cilësoj si pop pasi që nuk ka strategji, nuk ka qasje multidisiplinare. Është shumë me rëndësi që para krijimit të një vepre monumentale, që nuk mund të jetë me vlera të shtuara arkitektonike, por të jetë e bazuar në një narrativë por të jetë përmbledhje e sinqertë e një ngjarjeje”.
Nëpër pamjet e dokumentarit agresiviteti kundër civilëve del dukshëm, sikurse që shpërfaqet edhe dobësia në punën e bërë për t’i kujtuar viktimat. Aty janë edhe rrëfimet që mund të lexohen në Muzeun e familjes Berisha, asaj Qekezi dhe në ekspozitën “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, si pjesë e mozaikut të historisë së Kosovës jo pak paradoksale kur lexohet nëpërmjet monumenteve.