Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mosdokumentimi i krimeve të luftës rrezikon harrimin e viktimave

Kushtrim Koliqi, producent i dokumentarit “Kosova Monumentale e Paradokseve”, i transmetuar të enjten në KTV, ka deklaruar se institucionet e Kosovës s’e kanë ndërmarrë asnjë veprim në dokumentimin e vrasjeve të civilëve gjatë luftës së fundit. Nëpërmjet dokumentarit, ai la tjçmç se është tentuar të tregohet sa pak kanë punuar institucionet ndër vite për t’i treguar krimet serbe.

Ai ka thënë në emisionin “Konfront” se që nga paslufta, autoritetet gjegjëse kanë punuar buste dhe memorialë për dëshmorë-pjesëmarrës në luftë, por asnjëherë për viktima civilë që janë vrarë nga forcat serbe. Kjo sipas tij, po e dëmton pozicionin e Kosovës dhe do të ndikojë në harrimin e luftës.

“Viktimat civile janë harruar, ne jemi në një paradoks pasi s’jemi në gjendje t’i kujtojmë e rikujtojmë viktimat civile. Edhe në rastet kur shteti ka punuar diçka në këtë drejtim, është punuar në nivel jo të mirë. Por, dora e shtetit në dokumentimin e luftës thuajse është inekzistente”, ka deklaruar Koliqi.

Sipas tij, asnjë referencë zyrtare s’është shënuar në librat shkollorë e as në memorialë për vrasjen e civilëve, pos në raportet e organizatave joqeveritare që operojnë në Kosovë.

Ndërsa, autori i dokumentarit, Shaban Maxharraj, ka thënë se shumë pak janë dokumentuar viktimat civile të vrara në luftën e Kosovës, por edhe kur janë dokumentuar, sipas tij, janë bërë me probleme. Maxharraj ka theksuar se fakti që Kosova s’e di as numrin e saktë të viktimave civile, është tregues i madh i seriozitetit të shtetit.

“Asnjë pushtetar s’e di saktë numrin e viktimave të vrarë. Këtu tregohet serioziteti yt për viktimat civile në luftë...Në secilin qytet të Kosovës kemi monumente apo shtatore, por të gjitha janë një realizëm i tmerrshëm socialist. Zahir Pajaziti, emblemë e luftës, ka ardhur në Prishtinë (shtatorja e tij v.j) me kallashnikov në dorë. Është importuar realizmi socialist në shumicën e rasteve”, ka thënë ai.

Sipas Maxharajt, ekspozita “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, është i vetmi tregues i krimeve serbe në Kosovë mbi civilë. Ai ka thënë se masakra më e madhe në Kosovë për nga numri, ajo në Mejë të Gjakovës, ende s’ka muze e as s’është e dokumentuar siç duhet.

Producenti Koliqi ka deklaruar se viktimat civile janë keqpërdorur nga politikanët, dhe siç ka thënë ai, familjet e viktimave kanë arsye të jenë të mllefosur ndaj mosdokumentimit të krimeve serbe.

“Memoriali ‘Heroinat’ nuk është i mirëmbajtur pasi s’e kemi marrë seriozisht këtë punë. Ka iniciativa të lezetshme, por dora e shtetit është në intervenim fatal. Informatat kredibile vijnë prej organizatave joqeveritare, por jo prej shtetit. Me këto numra, këta (politikanët v.j.) i bëjnë me qëllim që të krijohet një lloj kaosi, pasi viktimat civile shumica kanë qenë kosovarë. Është e dhimbshme se si shteti po i riviktimizon këto viktima të luftës”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se në Kosovë ka nisur të zhduket trashëgimia e luftës.

“Shoqëria ynë ka nevojë të ballafaqohet me të kaluarën. Ende s’e kemi vetëdijen e duhur për rëndësinë e ballafaqimit. Qëllimi kryesor i këtij procesi është shërimi shoqëror... Ka nisur të zhduket trashëgimia e luftës në Kosovë”, ka shtuar ai.

Sipas Maxharrajt, zyrtarët e shtetit nuk flasin me informata të strukturuara për viktimat e luftës, por gjithnjë me “rreth”. Kjo sipas tij, e tregon seriozitetin e tyre në këtë drejtim.

 

Artikuj të ngjashëm