Koncerti me repertorin e Nexhmije Pagarushës nuk ka qenë thjesht interpretim këngësh kënduar dikur prej saj, por sopranoja Arta Jashari ka gërmuar në thesaret e shndërruar tashmë në trashëgimi. Prej aty ka nxjerrë perla, disa prej tyre edhe të strukura në incizime të moçme dhe ua ka dhënë një jetë të re. Shoqëruar nga pianistja Pranvera Hoxha-Bryma e në disa pika edhe nga Astrit Stafai në kitarë e Avni Krasniqi në trumbetë, 19 këngë kanë ardhur të riaranzhuara dhe kjo ia ka shtuar edhe më shumë peshën këtij koncerti në “PriVokalFest”
“Mbi re” është titulluar koncerti dedikuar Nexhmije Pagrusha dhe krejt mbi re e ka mbajtur publikun sopranoja e njohur Arta Jashari, teksa me shkathtësitë vokale dhe mjeshtri në interpretim ka sjellë perlat e ikonës së muzikës shqiptare.
Salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare ka qenë e vogël për koncertin e natës së katërt të edicionit të pestë të festivalit ndërkombëtar të vokalit në Prishtinë “PriVocalFest”, të martën mbrëma. Organizatorët kanë shtuar karrige.
Shoqëruar në piano nga Pranvera Hoxha-Bryma, sopranoja e ka nisur koncertin me këngën me motive dashurie, “Zëri tij më thërret”, dhe me të e ka marrë me vete publikun qysh në fillim, në shpalosjen e repertorit të Pagarushës, shndërruar tashmë në trashëgimi kombëtare. Por interpretimi ka qenë vetëm njëra anë e fortë e solistes. Jashari i ka dhënë sharmë edhe me qëndrimin në skenë, komunikimin me publikun e me lëvizjet skenike.
Në këngën e tretë, dyshes Jashari dhe Hoxha- Bryma iu bashkua edhe kitaristi i njohur Astrit Stafai. Interpretimin e nisi me këngën “Mos kërko”/Foto: Adi Beqiri
Pas përfundimit të koncertit, Arta Jashari, e cila interpretoi gjithsej njëmbëdhjetë këngë përfshirë – “U ngrit lulja në mëngjes”, “Mos kërko”, “Dashuro” , “Një pikë vese” – ka thënë se ka qenë dëshirë e kahershme organizimi i një koncerti të përmasave të mëdha.
“Ka vjet që po mundohem të sjell këtë koncert në skenë, por nuk kam pasur përkrahje shtetërore aspak se përndryshe kjo do të kishte qenë tepër bukur nëse do të sillej me një orkestër së cilës i takon me e interpretu një muzikë të tillë, e cila është thesar i muzikës shqipe të mirëfilltë”, ka thënë Jashari.
Shumica prej teksteve të këngëve që ajo ka interpretuar janë nxjerrë prej saj, duke i dëgjuar disa herë sepse informacionet dhe tekstet e sakta mungojnë.
“Këngët e Nexhmije Pagarushës po besoj që të gjitha ata që ishin të pranishëm i kanë pëlqyer tepër shumë sepse janë këngë që nuk janë kënduar për vite me radhë. Nuk ka shumë të dhëna për to as në internet. Është dashur që me vesh t’i nxjerrim tekstet sepse s’ka pasur asnjë informatë. Natyrisht përgjegjësia ka qenë tepër e madhe, por kënaqësia është ajo që i tejkalon të gjitha vështirësitë”, ka thënë Jashari për KOHËN.
Por për ta bërë të mundshëm këtë koncert është dashur shumë punë, përfshirë këtu edhe riorkestrime për piano, kitarë e instrumente të tjera.
“Ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë dhe për këtë i falënderoj Kreshnik Aliçkajn dhe Edon Ramadanin, të cilët kanë pranuar t’i shkruajnë të gjitha këto, t’i reduktojnë vetëm për vokal, piano, instrumente të ndryshme”, ka thënë sopranoja Arta Jashari/Foto: Adi Beqiri
“Ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë dhe për këtë i falënderoj Kreshnik Aliçkajn dhe Edon Ramadanin, të cilët kanë pranuar t’i shkruajnë të gjitha këto, t’i reduktojnë vetëm për vokal, piano, instrumente të ndryshme. Ka qenë një rrugëtim i gjatë. Kemi mbajtur shumë prova”, ka bërë të ditur ajo, teksa ka shtuar se përkundër faktit se ka marrë pjesë në disa koncerte, ky kushtuar Nexhmije Pagarushës është ai që e ka për zemër.
Pianistja Pranvera Hoxha-Bryma ka qenë në harmoni të plotë me zërin, përderisa në “Lirikë pranverore” të kompozitorit shkodran, Simon Gjoni, luajtur solo, ka nxjerrë në pah mjeshtëritë teknike dhe ndjesinë e interpretimit. Koncertin “Mbi re” me sopranon Jashari e ka cilësuar të veçantë sepse repertori që ka luajtur ka qenë ishte krejt i ri për të.
“Sonte jam ndier shumë e veçantë sepse pothuajse gjithë repertori ka qenë për mua premierë. Janë risjellë këngë të së madhes Nexhmije Pagarusha, nga formacioni orkestral janë aranzhuar për piano. Me të vërtetë ka pasur këngë që besoj që një pjesë e madhe e publikut ndoshta i ka dëgjuar për herë të parë. E bukura është që këto këngë janë ripërpunuar dhe janë sjellë në skenë që të kenë mundësi të jetojnë më gjatë”, ka thënë ajo.
Salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare ka qenë e vogël për koncertin e natës së katërt të edicionit të pestë të festivalit ndërkombëtar të vokalit në Prishtinë “PriVocalFest”/Foto: Adi Beqiri
Në këngën e tretë dyshes Jashari dhe Hoxha- Bryma iu bashkua edhe kitaristi i njohur Astrit Stafai. Interpretimin e nisi me këngën “Mos kërko” – ku që në vargjet e para: “Ti të mos ishe nuk do ishte as kjo këngë \ti po t’mos ishte unë as vuajtjen s’kisha njoh’” – u vërejt një ngjyrim krejt ndryshe nga ç’ishte më herët. Qe alegri e cila e nxiti edhe sopranon të kërcente në skenë.
Ndonëse me përvojë disavjeçare në skenë, ky koncert për mjeshtrin e kitarës, por edhe të instrumenteve të tjera me tela, qe emocionues.
“Kuptohet që kur kemi të bëjmë me një repertor të tillë, si sonte për tezen Nexhmije, atëherë edhe ne jemi munduar t’i sjellim këto këngë në mënyrën më origjinale, ashtu siç kanë qenë edhe të kompozuara dikur, kuptohet me disa aranzhime, riorkestrime, por megjithatë duke e ruajtur brumin origjinal të këngëve sepse me të vërtetë është mjaft sfiduese edhe për solo-këngëtarët, por edhe për interpreto, me i luajtë këngët e Nexhmije Pagarushes. Ne e dimë se këto këngë e kanë pasur një karakter shumë interesant dhe edhe stilistikisht kanë qenë mjaft të komplikuara”, ka thënë Stafai, teksa në sytë e tij vërehej admirimi për këtë këngëtare.
“Te dua Prishtinë” është njëra ndër këngët e Nexhmije Pagarushës, ku kryeqytetit të vendit të saj i këndon sikur ta kishte fëmijë, më plot dashuri e përkushtim. Në mes të kësaj këngë, nga publiku në skenë hyri Avni Krasniqi me trumbetë, duke i dhënë skenës ritëm më të fuqishëm e më të shpejtë. Tingulli i fuqishëm i trumbetës qe ai që e ndryshoi krejt lojën në krahasim me instrumentet e tjera me tinguj më të butë.
Sipas Krasniqit, shqiptarët duhet të ndihen me fat për atë që ka lënë pas Nexhmije Pagrusha, e cila vdiq më 7 shkurt të vitit 2020 në moshën 86-vjeçare.
“Është përgjegjësi e jashtëzakonshme, por ne kemi pasur fatin ta kemi një yll si Nexhmije Pagrusha. Për fat të mirë ajo ka lënë një thesar të jashtëzakonshëm me këngë dhe siç u pa edhe sonte, u përmblodhën disa nga këngët e saj. Është përgjegjësi sidomos para një publiku të jashtëzakonshëm, por edhe kënaqësi”, ka thënë Krasniqi.
Në fund të koncertit, sopranoja Arta Jashari ngriti zërin kundër luftës në Ukrainë. Si gjest përkrahjeje ndaj ukrainasve, ajo ftoi në skenë pianisten dhe dirigjenten ukrainase, e cila ka disa muaj që jeton në Kosovë, Lyudmila Makey.
Në fund të koncertit, sopranoja Arta Jashari ngriti zërin kundër luftës në Ukrainë. Si gjest përkrahjeje ndaj ukrainasve, ajo ftoi në skenë pianisten dhe dirigjenten ukrainase, e cila ka disa muaj që jeton në Kosovë, Lyudmila Makey/Foto: Adi Beqiri
Si fillim duke i rënë pianos, Makey këndoi këngën “Mbrëmja”, të cilën e kishte kompozuar vetë ajo. Zëri i saj i hollë e i thekshëm, si dhe notat e buta bënë që publiku ta ndiente vuajtjen që po e përjetonte Makey. Në fund të këtij interpretimi ata i ofruan përkrahje me duartrokitje të shumta e të gjata.
Pas kësaj, Makery befasoi publikun kur së bashku me Jasharin këndoi në shqip “Lule borë”. Përveç zërit të saj, qe impresive edhe saktësia e shqiptimit të fjalëve shqipe.
“Jam shumë e lumtur që sot këndova për kosovarët për atë që shpirti më dhemb sepse shteti im është në flakë. Po dua t’ju them shumë faleminderit. Faleminderit shumë për përkrahjen tuaj, për dashurinë tuaj, për ndjenjat tuaja të mira karshi lirisë. Është gjë e mirë dhe shumë e rëndësishme”, ka thënë ajo, teksa në shqip shtoi: “Ju dua”.
“PriVocalFest” e ka përmbyllur edicionin e pestë të mërkurën mbrëma me koncertin e Korit të Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Eriks Eshenvalds, ku do të luhen edhe veprat e tij dhe ato shqipe.