Sopranoja Arta Jashari ia ka bërë dhuratë publikut koncertin solistik “Songs of the Seraphim”, shoqëruar nga Andi Duraku në piano e Avni Krasniqi në tromb. Veprat janë veshur me gjallëri e atmosferë të ngrohtë. Harmonitë e pasura me melodi tradicionale kanë sjellë tema që shfaqin gëzimin e festën, por edhe japin mesazhe paqeje
Kur viti numëron ditët e fundit, kryeqyteti vishet me ngjyra feste. Edhe muzika klasike merr këto motive. Koncerti recital i sopranos Arta Jashari me përcjellje me muzikë nga trumbetisti Avni Krasniqi dhe pianisti Andi Duraku kanë sjellë stile e tradita të ndryshme me repertor sakral dhe jo vetëm. Aty ka edhe arie e muzikë moderne.
Koncerti “Songs of the Seraphim” në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë ka sjellë frymën festive. Veprat janë veshur me gjallëri e atmosferë të ngrohtë. Harmonitë e pasura me melodi tradicionale kanë sjellë tema që shfaqin gëzimin e festën, por edhe japin mesazhe paqeje. E kapin fort frymën e festive të fundvitit. Me raste sjellin edhe nostalgji, kujtime të festimeve të kaluara.
Zëri i sopranos jehon në katedrale. Akustika nuk është më e duhura për një koncert të tillë, por Jashari ka zgjedhur qëllimisht këtë hapësirë pasi konsideron se ky lloj i muzikës e ka vendin aty.
“Por koncerti im ka qenë me frymën e Krishtlindjes, me muzikën sakrale dhe unë kam dashur të mbahet në Katedrale, pikërisht aty ku e ka vendin kjo muzikë”, ka thënë Jashari, duke thënë se akustika në këtë hapësirë nuk ka qenë e përshtatshme. Megjithatë, mbetet e vetmja hapësirë paksa më e mirë në kryeqytet.

Koncerti ka nisur me veprat “Adeste Fideles” të anglezit John Francis Wade e “Laudamus te”, mesha në C-mol KV427 dhe “Alleluia (Exsultate, jubilate K.165)” të Mozartt.
Ngjyrat e vokalit të sopranos Arta Jashari vishen me tingujt e pianos e të trumbetës. Jehona e bën atë të duket se vjen nga thellësia. Bëhen të dallueshme çdo notë e varg i këngës.
Muzika klasike përfshihet me arien “Let the Bright Seraphim” nga opera “Samson” të George Frideric Handel. Në këtë pjesë trumbetisti Avni Krasniqi luan me instrumentin e veçantë – piccolo trumbetë.
Trio në skenë ka interpretuar pjesën tradicionale irlandeze “Tis the last rose of summer”. Pos stileve të ndryshme, edhe repertori është përzgjedhur nga gjuhë të ndryshme. Nga ai francez kanë interpretuar “Nuit d’etoiles” të Claude Debussy dhe “Cantique” të Nadia Boulanger.
Veprat duken tejet delikate e të vështira teknikisht. Por tejet atraktive për t’u dëgjuar. Vetë ajo pa hezituar e ka thënë se repertori ka qenë vërtet i vështirë.
“Kjo ka qenë nisma ime, sepse mendoj që në këtë kohë që gjendem tash, në bazë të programeve të tjera që kam kënduar, kam dashur të sfidoj veten pak dhe mund të them se ka qenë shumë vështirë të ushtrohen e të përgatiten pastaj, kemi udhëtuar gjatë gjithë kohës”, ka thënë Jashari.
Është shprehur e lumtur që një prej angazhimeve të saj prej sopranoje, është edhe koncerti recital “Songs of the Seraphim”.
“Jam shumë e lumtur që kam arritur, me modesti por, aq shumë kam punuar këta muaj saqë jam shumë e lumtur që përfundoi gjithçka me sukses. Jam e lumtur me rezultatin se si ka dalë në fund, pasi kam qenë shumë skeptike, kemi pasur shumë pak kohë. E tash mund ta shijojmë më në mund festën dhe ta lëmë pas këtë vit me këtë sukses të fundit që e konsideroj në bazë të publikut dhe mbështetjes që kam marrë në fund të koncertit”, është shprehur ajo.
Ka thënë se koncerti ka qenë edhe një lloj zbulimi i gatishmërisë së miqve të saj për ta ndihmuar në përgatitjet për këtë koncert.
Unike kanë qenë veprat. Ato përfshijnë himne e këngë. Pikërisht këto këngë janë shpirti i festave të fundvitit. Vijnë me frymë klasike, nostalgjike e sjellin ngrohtësi. Zëri i Jasharit tingëllon përrallor në interpretimin e tyre.
Krejt në fund ajo në përcjellje të trumbetistit Krasniqi e pianistit Duraku kanë sjellë këngën e njohur “Have yourself a Merry little Christmas” nga Hugh Martin dhe Ralph Blane.
Një mënyrë kaq e bukur për ta përmbyllur një koncert me frymë feste. Sjell një ndjesi komode, sentimentale e perfekte për të reflektuar festën. Ajo flet për bashkim e shpresë duke prekur emocionalisht.
“Kam zgjedhur një arie prej operës, sepse më është dukur që është shumë mirë në kombinim me këto të tjerat. Jam munduar të zgjedh vepra të të gjitha epokave, nga baroku e deri në fund me ‘Christmas carols‘ me të cilën mendova t’i japim publikut një ndjenjë të Krishtlindjes”, ka thënë Jashari.
Trumbetisti Avni Krasniqi e ka konsideruar repertor të këndshëm atë që është zgjedhur.
“Sigurisht se atë e ka zgjedhur solistja Arta, e cila na ka ftuar dhe ky koncert natyrisht është edhe fryt i bashkëpunimeve të mëhershme dhe kombinim shumë i veçantë me trumbetë, zë dhe piano. Repertori ka qenë mirë i zgjedhur për festat e fundvitit dhe besoj se është pritur mirë nga publiku”, ka thënë ai, duke bërë të ditur se për formacionin me të cilin janë paraqitur para publikut të enjten mbrëma ka mjaft literaturë.
Të tre solistët kanë bërë të ditur se vetëm disa ditë kanë pasur kohë për t’u përgatitur për këtë koncert.
“Kohë për prova nuk është se kemi pasur shumë, por ne e kemi një bashkëpunim të gjatë me Artën dhe është e lehtë që edhe me pak prova të organizohemi dhe të bëjmë diçka të bukur si kjo sonte. Akustika që e posedon Katedralja është goxha masive, por gjithsesi ka lezet kur luhen instrumente solo dhe këndohet. Edhe pse është më shumë sesa duhet, prapë është më mirë sesa në të gjitha sallat tjera që kemi për këtë lloj koncerti e programi”, ka thënë ai.
Pianisti Andi Duraku ka thënë se veprat ishin të stileve të ndryshme.
“Duke marrë parasysh se jemi në prag të festave të fundvitit menduam të sjellim te publiku një program që veçse përshtatet në një periudhë të tillë kohore. Në program kishim vepra të stileve të ndryshme. Në fund e përfunduam me pjesën ‘Have yourself a Marry little Christmas’ duke mos e munduar publikun shumë, por duke sjellë një program të lehtë dhe të bukur”, ka thënë ai.
Sfida e vetme vlerëson se ka qenë akustika në sallë.
“Ishte sfiduese duke marrë parasysh se kjo është një sallë e madhe dhe është problem për pianistët të ambientohen me këtë akustikë, mirëpo me prova, u munduam ta gjejmë një mes dhe të kemi një komunikim e të dëgjohemi sa më mirë”, ka thënë ai.