Sopranoja Arta Jashari ia ka bërë dhuratë publikut koncertin solistik “Songs of the Seraphim”, shoqëruar nga Andi Duraku në piano e Avni Krasniqi në tromb. Veprat janë veshur me gjallëri e atmosferë të ngrohtë. Harmonitë e pasura me melodi tradicionale kanë sjellë tema që shfaqin gëzimin e festën, por edhe japin mesazhe paqeje
Kur viti numëron ditët e fundit, kryeqyteti vishet me ngjyra feste. Edhe muzika klasike merr këto motive. Koncerti recital i sopranos Arta Jashari me përcjellje me muzikë nga trumbetisti Avni Krasniqi dhe pianisti Andi Duraku kanë sjellë stile e tradita të ndryshme me repertor sakral dhe jo vetëm. Aty ka edhe arie e muzikë moderne.
Koncerti “Songs of the Seraphim” në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë ka sjellë frymën festive. Veprat janë veshur me gjallëri e atmosferë të ngrohtë. Harmonitë e pasura me melodi tradicionale kanë sjellë tema që shfaqin gëzimin e festën, por edhe japin mesazhe paqeje. E kapin fort frymën e festive të fundvitit. Me raste sjellin edhe nostalgji.
Zëri i sopranos jehon në katedrale. Akustika nuk është më e duhura për një koncert të tillë, por Jashari ka zgjedhur qëllimisht këtë hapësirë pasi konsideron se ky lloj i muzikës e ka vendin aty.
Veprat duken tejet delikate e të vështira teknikisht. Por tejet atraktive për t’u dëgjuar. Vetë ajo pa hezituar e ka thënë se repertori ka qenë vërtet i vështirë.
“Kjo ka qenë nisma ime, sepse mendoj që në këtë kohë që gjendem tash, në bazë të programeve të tjera që kam kënduar, kam dashur të sfidoj veten pak dhe mund të them se ka qenë shumë vështirë të ushtrohen e të përgatiten pastaj, kemi udhëtuar gjatë gjithë kohës”, thotë Jashari.
Është shprehur e lumtur që një prej angazhimeve të saj prej sopranoje, është edhe koncerti recital “Songs of the Seraphim”.
“Jam shumë e lumtur që kam arritur, me modesti por, aq shumë kam punuar këta muaj saqë jam shumë e lumtur që përfundoi gjithçka me sukses. Jam e lumtur me rezultatin se si ka dalë në fund, pasi kam qenë shumë skeptike, kemi pasur shumë pak kohë. E tash mund ta shijojmë më në mund festën dhe ta lëmë pas këtë vit me këtë sukses të fundit që e konsideroj në bazë të publikut dhe mbështetjes që kam marrë në fund të koncertit”, thekson Jashari.
Unike kanë qenë veprat. Ato përfshijnë himne e këngë.
Trumbetisti Avni Krasniqi e ka konsideruar repertor të këndshëm atë që është zgjedhur.
“Sigurisht se atë e ka zgjedhur solistja Arta, e cila na ka ftuar dhe ky koncert natyrisht është edhe fryt i bashkëpunimeve të mëhershme dhe kombinim shumë i veçantë me trumbetë, zë dhe piano. Repertori ka qenë mirë i zgjedhur për festat e fundvitit dhe besoj se është pritur mirë nga publiku”, deklaron Krasniqi.
Pianisti Andi Duraku ka thënë se veprat ishin të stileve të ndryshme.
“Duke marrë parasysh se jemi në prag të festave të fundvitit menduam të sjellim te publiku një program që veçse përshtatet në një periudhë të tillë kohore. Në program kishim vepra të stileve të ndryshme. Në fund e përfunduam me pjesën ‘Have yourself a Marry little Christmas’ duke mos e munduar publikun shumë, por duke sjellë një program të lehtë dhe të bukur”, thotë Duraku.
Pikërisht këto këngë janë shpirti i festave të fundvitit. Vijnë me frymë klasike, nostalgjike e sjellin ngrohtësi.