Kori i Filharmonisë së Kosovës e ka përmbyllur vitin para publikut në Kosovë, por rrugëtimi i tij për sivjet nuk përfundon këtu. Koncerti i së mërkurës mbrëma ka qenë një thurje veprash shqipe e botërore, të cilat nxjerrin në pah nivelin e dëshmuar tashmë të këtij institucioni. Ka lënë jehonën e këtyre veprave në Prishtinë, por ka shërbyer edhe si një prelud i koncertit në Lubjanë të Sllovenisë. “Është shumë e rëndësishme të përfaqësohemi me një program të përgatitur në mënyrë perfekte”, ka thënë maestro Baki Jashari, dirigjent i koncertit. I tillë ka qenë edhe “testi” në kryeqytet
Atmosferë festive jo vetëm për fundvit, por edhe si festë për muzikën shqipe, ka qenë ndjesia e koncertit të Korit të Filharmonisë së Kosovës. Vepra kompozitorësh nga Kosova e Shqipëria bashkë me ato ndërkombëtare, kanë jehuar me fuqinë e zërit në koncertin e fundit të këtij institucioni para publikut vendor.
Tingujt e violonçelit mbushën hapësirën në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë me tis melankolie. Qe një intro deri te tingujt e pianos, për ta hapur siparin me “Music in the Circle” të kompozitorit të njohur Mendi Mengjiqi, një kompozim instrumental dhe në mënyrë maestrale u dirigjua nga Baki Jashari, sikurse të gjitha veprat në koncertin e së mërkurës mbrëma.
Zërat e Korit janë thurur në vepër, duke u distancuar nga njëri-tjetri. Sopranot dhe altot kanë qenë konstante dhe kanë mbajtur një ritëm të përsosur. Nuk ndodh shpesh që të ketë zhvillime të mëdha në punë, e cila nuk ka për asnjë moment pushim vokal dhe e gjithë kjo qëndron e lidhur deri në fund.
Vepra në vazhdim ka qenë “Cantate Domino” nga kompozitori Vytautas Miškinis, vepër korale që kremton tekstin e Psalmit 96, “Këndoni Zotit një këngë të re”, për t’i lënë vend “O Magnum Mysterium” të Hajrullah Sylës me të njëjtën frymë.
Violonçelisti Antonio Gashi, ka qenë në krye të detyrës në interpretimin e veprës së Sylës, të cilin ai e konsideron si njërin ndër talentet e reja edhe në muzikën klasike vendore. Interpretimi modern kap mrekullinë e lindjes së Krishtit dhe tingujt melankolikë të violonçelit janë bartës të rrëfimit.
Sopranoja Arta Jashari me interpretimin e saj të tekstit shpirtëror e ka shprehur në veprën e kompozitorit slloven Ambrozh Çopi, “O Salutaris Hostia”, një vepër liturgjike me qasje moderne.
Një ndër veprat e cila gjeti hapësirë në repertorin e kësaj nate nga Kori i Filarmonisë së Kosovës ka qenë edhe ajo e kompozitorit e dirigjentit Baki Jashari, “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr”, me tekst të Din Mehmetit, një kompozim i pashmangshëm në shpalosjen e muzikës klasike shqiptare. Është vepra e shquar narrative që ndërthur poezinë ose fjalën e folur me elemente muzikore, e në rolin e recituesit ka qenë Shaban Behramajt. Avangarde me ndërhyrje klasike është “In A”, e Rafet Rudit interpretuar nga sopranot Kaltrina Miftari e Shkurte Hykaj, Lekë Salihu e Andi Duraku në piano, perkusionistët Patris Berisha e Meriton Zajmi.
Kapërcimi në vepra botërore është bërë me “Kuulin Aänen” nga kompozitorja letoneze Laura Jēkabsone, e cila i jep hapësirë zërit me sopranot Selvije Marteti, Livije Dragusha e Shkurtë Hykaj dhe altot Dea Hamdiu, Albana Piperku e Diellza Sylejmani.
Te rrënjët e muzikës klasike në këto anë, rikthimi është bërë me “Çorapet e burrit” të Lorenc Antonit. Te muzika shqipe e një tjetër epoke, erdhi “Ç’u mbush mali”, e Vasil S. Toles pasuar prej “Cloudburs” e kompozitorit Eric Whitacre, që ka mbushur sallën me harmoninë vokale.
“Nyon Nyon” e Jake Runestad u interpretua nga Kori si një vepër novatore korale që ndërthur teknikat vokale me efekte të ngjashme me ato elektronike. Koncerti është përmbyllur shqip. Ishte dramatike me “Janinës ç’i panë sytë”, e cila është “pasaportë” e polifonisë. Tenorët Sokol Latifi e Luan Durmishi kanë sjellë magjinë e këtij thesari.
Koncerti në Prishtinë ka qenë prelud i performancës së Korit përpara publikut slloven, më 15 dhjetor në sallën “Marjan Kozina” të Filarmonisë së Sllovenisë.
“Çdo notë, një rrëfim”, është motoja e koncerteve të Filharmonisë, e cila sivjet ka pasur disa rrëfime suksesi edhe jashtë vendit. Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia e Italia kanë qenë disa prej stacioneve.
Dirigjenti Baki Jashari, i cili për 18 vjet, deri në prill të këtij ka qenë drejtor i Filharmonisë së Kosovës, ka veçuar disa momente sikurse edhe përmbylljen e vitit me koncert në Slloveni, ku ai kreu studimet në Akademinë e Muzikës në Lubjanë, e më pas zhvilloi karrierën e tij muzikore deri në vitin 2000 kur u rikthye në Kosovë.
“Do të veçoja realizimin e ‘Simfonisë nr. 1’ të Gustav Mahlerit, një ëndërr për institucionin tonë”, ka thënë Jashari, duke e përshkruar këtë arritje si një kulminacion teknik dhe artistik për Filarmoninë. Bëhet fjalë për koncertin e shtatorit të sivjetmë, me të cilin Filharmonia shënoi 24-vjetorin e themelimit.
Nën dirigjimin e mjeshtrit japonez, Toshio Yanagisawa, Orkestra do të akordohej për njërën prej veprave më të shquara të muzikës klasike midis shekujve XIX dhe XX.
Por për Jasharin, koncerti në Slloveni ka një domethënie të veçantë personale.
“Pas 25 vjetësh, do të rikthehem në skenën ku debutova si kompozitor. Për mua, Sllovenia mbetet një vend i jashtëzakonshëm, jo vetëm për kujtimet, por edhe për rëndësinë kulturore”, ka thënë Jashari, i cili në Slloveni ka udhëhequr kore për 15 vjet dhe ka marrë pjesë në gara të shumta, duke ndërtuar një lidhje të fortë me këtë vend.
Programi i koncertit në Prishtinë që do të “reprizohet” në Lubjanë, ka një tjetër peshë në prezantimin e institucionit, ani pse nuk janë vepra që dëgjohen për herë të parë.
“Programi i paraqitur nga Kori nuk ka qenë tërësisht premierë, por përmbante vepra të zgjedhura për të treguar aftësitë më të mira të Filarmonisë. Është shumë e rëndësishme të përfaqësohemi me një program të përgatitur në mënyrë perfekte. Në Slloveni, ku ka mbi 1000 kore të regjistruara, është një sfidë e madhe të lësh përshtypje”, ka thënë Jashari. Po ky program – një përzierje stilesh muzikore – është shans për të krijuar përshtypje pozitive e për të treguar traditën dhe potencialin e muzikës korale në Kosovë.
“Zëri i njeriut është një pasqyrim i fuqishëm i shpirtit, duke veçuar muzikën korale si një formë të veçantë të shprehjes artistike. Kori ynë zakonisht lë mbresa të thella kudo që shkon, siç ndodhi edhe në Londër më 2018. Ky koncert ishte një përgjegjësi e madhe shtetërore dhe artistike për ne”, ka thënë Jashari.
Violonçelisti Antonio Gashi ka thënë se interpretimi me Korin, ia jep përherë të njëjtën ndjesi.
“Jam gjithmonë i emocionuar kur e dëgjoj Korin, sepse çdo herë paraqitet me vepra të reja dhe me freski. Është një kënaqësi e veçantë të bashkëpunojmë me Korin”, ka thënë Gashi. Te programi ka veçuar veprën e Hajrullah Sylës. E ka bërë këtë edhe për një tjetër arsye.
“Jam i stërkënaqur që po vjen një gjeneratë e re kompozitorësh me ide të freskëta, të cilët krijojnë vepra të tilla që bashkojnë violonçelin dhe Korin në një mënyrë shumë të këndshme dhe freskuese”, ka thënë ai duke shtuar se është një prej veprave që ai e interpreton me shumë dëshirë. Ka theksuar perspektivën e Sylës si kompozitor premtues.
“Ky kombinim është i shëndetshëm dhe i dobishëm për popullin dhe vendin tonë”, ka thënë Gashi.
Zëri e muzika shqipe jehojnë edhe pasi përfundon koncerti e salla e Ateliesë së Pallatit të Rinisë nis të zbrazet. Në një tjetër sallë – me të tjera kushte – po kjo jehonë do të kumbojë të dielën në Lubjanë.