Zgjedhjet lokale

Në 24 komuna përfundon verifikimi dhe numërimi

QKN - Prishtinë

Foto: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë përditësimin e të dhënave nga aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit dhe nga vlerësimi i pakove me fletëvotime të supozuara që i takojnë votimit me postë për votuesit jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se deri në orën 10:00 të së premtes “aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 24 komuna: Han i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj (e mërkurë), Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas dhe Vushtrri (e enjte)”.

Sipas Elezit, deri në të njëjtën kohë të ditës së premte, në Qendrat Komunale të Numërimit “janë verifikuar rezultatet për 1,903 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 1,882 vendvotime". 

"Nga po kaq vendvotime, 1,882, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 3,785”, njoftoi Elezi.

Ndërkaq, për procesin e votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës, ai tregoi se procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, është drejt fundit.

“Procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 33,000, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 29,000, ndërkaq janë refuzuar rreth 3,900. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 3,328 pako, është sepse mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, tregoi Elezi./ EO