Një burrë nga Prizreni ka therur me thikë bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur mbrëmë pas mesnatës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë në Prizren të dy viktimat janë në gjendje të rëndë.
Prokuroria ka njoftuar se në vendngjarje e kanë arrestuar të dyshuarin.
Për rastin Policia është njoftuar të premten rreth orës 00:20 minuta.
“Patrulla policore iu është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë - thikë. Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë vajza e mitur thuhet se është gjetur në katin e fundit të ndërtesës.
“Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë”, thuhet tutje në njoftim.
Në njoftim thuhet se në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme.
“Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, thuhet në njoftim.