Ata duruan vuajtje dhe mizori të pamatshme: si të mbijetuar të Holokaustit, ata vazhduan të shërbenin si dëshmitarë okularë, duke përmbushur një rol thelbësor, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në Gjermani.
Tani të mbijetuarit e fundit të Holokaustit po vdesin nga pleqëria. Përgjegjësia e trashëgimisë së tyre po kalon gradualisht në duart e institucioneve të ndryshme. Ky nuk është një proces i lehtë.
Edhe pse dëshmitarët okularë ofrojnë vetëm njërën nga këndvështrimet e shumta të historisë, në nivelin personal ata kanë një funksion korrigjues dhe mbeten përkujtues të rëndësishëm të së shkuarës.
“Kurrë më!” Ky betim është gdhendur në një gurë, në gjuhë të ndryshme, në vendin përkujtimor të ish-kampit të përqendrimit, Dachau. Është udhëzimi qendror i politikës së brendshme dhe të jashtme gjermane: për të kundërshtuar antisemitizmin, për të mbrojtur të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, për të kujtuar vendimet dhe veprat mizore të nazistëve dhe të shumë njerëzve që i mbështetën ata.
Ekspozita “End of Testimony?” (Fundi i dëshmisë), e cila do të qëndrojë e hapur në Sinagogën e Re nga 7 korriku i këtij viti deri më 8 janar të vitit 2023, adreson pyetjen se si muzetë, vendet përkujtimore dhe institucionet e tjera mund të trajtojë me përgjegjësi dëshmitë letrare dhe intervistat me video të të mbijetuarve. Është një rezultat i arritur nga bashkëpunimi midis muzeut “Jezuit Hohnems”, memorialit të kampit të përqendrimit “Flossenbürg” dhe fondacionit “New Synagogue” në Berlin. Ekspozita gjithashtu i vendos dëshmitarët okularë në një kontekst historik: në Gjermani të mbijetuarit filluan të flasin më shumë vetëm në vitet 1980.
Anita Lasker-Wallfisch, në atë kohë në të njëzetat, foli në një intervistë për BBC më 1945 si një nga pak të mbijetuarat e Holokaustit. Një bazë e rëndësishme u vendos edhe gjatë fundit të luftës nga Komisioni Qendror Hebre, i cili u themelua në Lodz në vitin 1944: Midis 1944 dhe 1947, ai kreu qindra intervista me të mbijetuarit dhe gjithashtu përgatiti udhëzime dhe pyetësorë për t'u marrë me të intervistuarit e traumatizuar.
Tmerret e kampeve të përqendrimit në Evropën Lindore u dokumentuan kryesisht nga Ushtria e Kuqe, forcat e armatosura të ish-Bashkimit Sovjetik, të cilat, ndër të tjera, çliruan kampin e përqendrimit Aushvic-Birkenau.
Disa fotograf të gazetave perëndimore gjithashtu kontribuuan në dokumentimin e asaj periudhe. Shumë të njohura janë fotot e bëra pas çlirimit të kampit të përqendrimit “Buchenwald” nga Eric Schwab dhe Meyer Levin, për agjencinë franceze të lajmeve, “France Presse”.
Por deri në vitet ‘60 dëshmitarët okularë dhe raportet e tyre kryesisht shërbyen si prova ligjore, qoftë në gjyqet e Nurembergut të viteve 1945-1949, qoftë në gjyqet e Majdanek të viteve 1944-1981, të Jerusalemit të vitit 1961 apo edhe në gjyqet e Aushvicit nga 1963 deri më 1968, në Frankfurt.
Ndërkohë që në vitet 1970 kishte një fokus të madh tek autorët e krimeve - për shembull, tek ish-oficeri i marinës Karl Dönitz, një nga të pandehurit në gjyqin e kriminelëve kryesorë të luftës të Nurembergut një debat i gjerë shoqëror u shkaktua në Gjermani vetëm në vitin 1979, atëherë kur u shfaq seriali televiziv amerikan "Holokausti".
Që atëherë dëshmitarët okularë u dëgjuan më shpesh - jo vetëm nga publiku, por edhe nga shkrimet e historisë.
Të mbijetuar si Margot Friedlwnder, Anita Lasker-Wallfisch dhe Esther Bejerano u bënë autoritete morale, sepse dëshmuan për të kundërshtuar një histori të rreme të Holokaustit, të krijuar nga qarqet e krahut të djathtë.
Historianët janë të vetëdijshëm për sfidat e mëdha që përfshin vlerësimi i tregimeve të dëshmitarëve okularë. Ata mbajnë informacione të vlefshme, klasifikime të rëndësishme, por edhe disa pengesa. Për shembull, njohuritë faktike ndonjëherë nuk përputhen me kujtimet e dëshmitarëve. Kujtesa është e gabueshme dhe dëshmitarët dhe dëshmitë gjithashtu mund të manipulohen në rrethana të caktuara.
Për të luftuar abuzimin, nevojitet një njohuri më e gjerë. Kjo është një arsye tjetër pse ekspozita trajton edhe çështjen se çfarë roli iu dha të mbijetuarve nga ana e publikut, dëgjuesve apo institucioneve. Ajo shikon qëllimet e dëshmitarëve okularë dhe në të njëjtën kohë vë në pikëpyetje “fabrikueshmërinë” e intervistave, rolin e intervistuesve dhe pritshmërinë sociale.
Për ekspozitën u kryen edhe intervista të reja me të mbijetuarit e Holokaustit: Përveç regjistrimeve të përzgjedhura, aty mund të dëgjohen edhe versione të paprekura të intervistave origjinale. Në këtë mënyrë, ekspozita gjithashtu përpiqet të rrisë ndërgjegjësimin për faktin se fragmentet nuk mund të jenë të pranueshme për të gjithë – dhe se ato janë shumë të varura nga qëllimi përkatës i përdorimit të tyre.
Ekspozita nuk mund të japë këtë përgjigje, por e bën të qartë se sa të ndërlidhura janë kujtesa dhe konteksti i saj përkatës shoqëror. Përkujtimi i sotëm i Holokaustit ndikohet nga një larmi këndvështrimesh, disa prej të cilave janë paraqitur në ekspozitë. Ndër të tjera, i lejon të rinjtë të thonë fjalën e tyre në intervista. Për shembull, Artur Bakaev, një berlinez 31-vjeçar nga Taxhikistani, kritikon faktin se hebrenjtë ende portretizohen si viktima sot. Kujtimi është i instrumentalizuar, ka thënë ai. “Supozohet t'i shërbejë një qëllimi, për të shfajësuar disi Gjermaninë apo çfarëdo tjetër, dhe njerëzit për të cilët bëhet fjalë nuk shikohen apo dëgjohen realisht”. Ekspozita gjithashtu tregon për një të ardhme të pasigurt: brezat e rinj do të dëgjojnë zërat e të ndjerit, por do të duhet ende të gjejnë përgjigjet e tyre. /DW