Muzikanti me prejardhje turke Robert Mehmet Sinan Ikiz në mbyllje të “Peja Jazzit” ka lënë shijen unike deri në edicionin e radhës me muzikën e tij që vjen si frymë bashkëkohore e zhanrit. Interpretimi i tij në bateri dhe jo vetëm është si një udhëtim imagjinar edhe në shtetet e largëta. Në secilin udhëtim valixhet e tij janë me instrumente të shumta dhe në një kontekst tjetër në skenë ai viziton kultura të ndryshme
Në skenën modeste të kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, interpretimi i bateristit dhe jo vetëm, Robert Mehmet Sinan Ikiz, ka qenë madhështor. Ai ka qenë personazhi kryesor i kapitullit të fundit të edicionit të katërt të festivalit “Peja Jazz”. Me artin e tingullit, artisti turk e ka përdorur edhe muzikën elektronike për ta zhytur publikun në udhëtimin imagjinar edhe në shtetet e largëta. Ka magjepsur me shkathtësinë e tij në instrumentin që e zotëron kaherë.
“Peja Jazzit” në mbyllje i ka lënë shijen unike deri në edicionin e radhës me muzikën e tij që vjen si frymë bashkëkohore e zhanrit. Domethënës është roli i baterive dhe perkusioneve në muzikën jazz. Ndonëse është prej instrumenteve që ndërton ritmin e jazzit, në skenën e “Peja Jazz” jo shpesh është parë të jetë në qendër tingulli i tij. Kur flitet për instrumentin, shembujt ilustrohen me koncertin e parë të edicionit të sivjetmë dhe të fundit të festivalit. Në koncertin hapës greku Andreas Ziarkas me lojën e tij i dha kuptim interpretimit të Vjollca Robelli-Mripës e njohur si AJO dhe bendit. Të dielën mbrëma në koncertin e fundit instrumenti ka zënë vend qendror.
Është muzikë tejet unike jo veç për nga meloditë. Bateristi turk me emrin artistik Ikiz krijon aty për aty. Me stil luan e i mikson tingujt. Loja e tij nis thjesht. Fillimisht në instrumente, ruan tingujt dhe i vendos në një lloj baze, që janë meloditë e muzikës elektronike. Nëpër to vijnë edhe kulturat e largëta me interpretim minimalist në vokal. Më pas ai u përkushtohet krejtësisht baterive dhe perkusioneve.
Krijimi i muzikës aty për aty, servimi, vënia e efekteve është procesi që përsëritet disa herë në setin njëorësh. Ritmi i jazzit vjen në formë më bashkëkohore.
Kinemaja si hapësirë interpretuese ka qenë e re për Ikizin, muzika e të cilit zakonisht jehon në klube të natës.
“Është një hapësirë shumë interesante. Të them të drejtën isha paksa nervoz të interpretoja këtu, është skenë dhe sallë e madhe ku të gjithë ulen, ngase zakonisht në vendet ku unë interpretoj janë klube nate ku njerëzit vallëzojnë. Është disi e veçantë kur njerëzit e shijojnë performancën duke qenë ulur. Ishte shumë kënaqësi, mund ta ndieja energjinë e publikut”, ka thënë ai.
Muzikën e tij që vjen në formën e një stili bashkëkohor të jazzit e ka vlerësuar shprehje të lirë, por edhe muzikë të komplikuar.
“Nuk mund t’i vë emër kësaj muzike. Ka shumë zhanre dhe nënzhanre sot. E gjithë muzika është origjinale. E bëj këtë muzikë kudo, nganjëherë në rrugë, normalisht nisem nga tingujt që kam përgatitur paraprakisht, luaj deri në dy orë e gjysmë derisa njerëzit vallëzojnë. Është një set më ndryshe nga ky sonte. Ka shumë liri, por është edhe shumë e komplikuar në tërësi”, ka thënë Ikiz.
Bateritë nuk janë instrumenti i vetëm në të cilat luan. Ato janë në qendër, por melodinë e pasuron edhe me të tjerë tinguj. Ikiz ka thënë se ato janë veç disa me të cilat luan në koncertet e tij.

“Unë sjell sa më shumë instrumente që mundem me dy valixhe. Nëse do të ishim në Suedi ku unë jetoj, ndoshta do të sillja edhe më shumë gjëra. Ka shumë instrumente që janë perkusione, është kënaqësi. Kam lansuar disa prej këtyre pjesëve si solist nën emrin tim. Disa prej tyre janë të reja, është krejt e përzier në përgjithësi. Të gjitha mund të gjenden edhe në platforma muzikore ‘online’ “, ka thënë Robert Mehmet Sinan, interesi i të cilit për muzikë nisi qysh kur ishte fëmijë.
Ikiz është i njohur si baterist e perkusionist me stile të larmishme që ka luajtur dhe regjistruar lloj-lloj muzike nga jazzi deri te funk dhe pop.
Gjatë viteve 1991 deri më 1996 bëri turne dhe luajti koncerte dhe festivale në Suedi. Ai luajti kryesisht muzikën e Jimi Hendrix, kështu që bateristi Mitch Mitchell u bë frymëzim dhe model për të.
Ikiz studioi në Konservatorin e Muzikës në Stokholm, në programin muzikor afro-amerikan. Ai filloi të bënte turne me grupe dhe projekte të ndryshme në të gjithë botën. Për shkak të interesimit gjithnjë e më të madh të tij për jazzin, nisi një kompani diskografike të quajtur “Stockholm Jazz Records” në vitin 2002. “Checking In” është titulli i albumit debutues si solo- artist. China Moses, Shai Maestro, Nils Landgren, Magnus Lindgren dhe Karl Olandersson janë disa nga muzikantët që shfaqen në album. Aktualisht është anëtar i shumë bendeve të muzikës jazz.
Sivjet me edicionin e katërt “Peja Jazz” ka sjellë larmi stilesh e ngjyrash të jazzit. Festivali u hap me këngëtaren Vjollca Robelli-Mripa.
Nata e dytë ka sjellë në skenë dyshen iraniano-kanadeze, Golnar dhe Mahan, poliinstrumentistë që nëpërmjet performancave përçojnë shkrirjen e tyre unike të ndikimeve kulturore.
Në natën e tretë ritmet e jazzit i bënë një Sheki Hoxha, Donika Dugolli, Arian Randobrava, Driton Bejta dhe Tomor Shkoza.
Organizatori i festivalit “Peja Jazz”, Vullnet Sanaja, ka thënë se këtë vit ka pasur diversitet të stileve.
“Çdo performancë ka qenë e veçantë në mënyrën e vet. Kemi qenë goxha të kënaqur me çfarë ka ndodhur gjatë këtij edicioni, edhe me pjesëmarrjen e publikut, përderisa e kemi vërejtur se ‘Peja Jazz’ veçse ka marrë njëfarë rëndësie në qytetin e Pejës, por edhe më tej. Këto janë katër edicione të mira për të pasur një të ardhme të ndritur si festival i muzikës jazz”, ka thënë ai derisa e ka konsideruar të veçantë në mënyrën e vet çdo koncert të këtij edicioni. Koncerti i fundit, sipas Sanajës, ka qenë po aq i veçantë.
“Çdo performancë ka qenë e veçantë në mënyrën e vet. Kemi qenë goxha të kënaqur me çfarë ka ndodhur gjatë këtij edicioni, edhe me pjesëmarrjen e publikut, përderisa e kemi vërejtur se ‘Peja Jazz’ veçse ka marrë njëfarë rëndësie në qytetin e Pejës, por edhe më tej. Këto janë katër edicione të mira për të pasur një të ardhme të ndritur si festival i muzikës jazz”, ka thënë ai.
Me interpretimin e Robert Mehmet Sinan Ikiz, “Peja Jazz” deri në edicionin e radhës e ka lënë publikun me shijen e jazzit të kombinuar me ritmin bashkëkohor të baterive e muzikës elektronike.