Kulturë

Luzerni, nikoqiri i “Oscarit” të Evropës për vitin 2024

Ngjarja e përvitshme prestigjioze e filmit, çdoherë në vitet që shënohen me numra tek mbahet në Berlin, kurse kur viti është me numër çift vihet në kërkim të një qyteti evropian që do t’ia hapë dyert. Vitin e ardhshëm, tashmë ishte e ditur se do të mbahej në Reykjavík, kryeqytetin e Islandës e më pas ashtu siç e do tradita në Berlin. Tri ditë pas ceremonisë së sivjetme që në Berlin, Akademia Evropiane e Filmit ka bërë të ditur lokacionin e saj edhe për edicionin e 37-të

Ceremonia e çmimeve të Akademisë Evropiane të Filmit do të mbahen në qytetin zviceran, Luzernit në dhjetor të vitit 2024. Kjo u bë e ditur të martën nga Akademia Evropiane e Filmit, Zyra Federale Zvicerane e Kulturës, Qyteti e Kantoni i Luzernit dhe partneri medial zviceran, korporata transmetuese “SRG SSR”. Ceremonia e 37-të do të zhvillohet në Qendrën e Kulturës dhe Kongresit në Luzern së bashku me një sërë ngjarjesh të ndryshme që lidhen me kinematografinë evropiane.

Çmimet e para të Akademisë Evropiane të Filmit u prezantuan në Berlin në vitin 1988, me qëllim që të promovohet dhe të mbështetet industria evropiane të filmit. Ato mbahen çdo të dytin vit në Berlin dhe udhëtojnë në të gjithë Evropën në vitet e tjera: Londër, Paris, Romë, Barcelonë, Varshavë, Kopenhagë, Talin, Maltë, Riga, Wroclaw, Sevilje dhe, në vitin 2022 në Reykjavík.

Kudo që shkon, ngjarja prestigjioze që ndryshe njihet si “Oscari” i Evropës, tërheq shumë vizitorë të huaj dhe profesionistë të filmit, anëtarë të akademisë, të nominuar dhe fitues, si dhe gazetarë ndërkombëtarë.

Në komunikatën e Akademisë Evropiane e Filmit, u bë e ditur se Zvicra dhe Luzerni janë të kënaqur që të ofrojnë një skenë për filmin evropian dhe gjithashtu të lehtësojnë rrjetëzimin dhe diskutimet brenda industrisë së filmit që është duke u përballur me ndryshime masive në peizazhin e prodhimit dhe shpërndarjes së filmit.

“Ngjarja ofron një mundësi të shkëlqyer për Zvicrën që të promovojë artin, kulturën dhe njëkohësisht të promovojë Zvicrën si një destinacion me cilësi të lartë për prodhimin e filmit dhe si një partner tërheqës për bashkë-produksion falë një skeme të shkëlqyer mbështetëse. Është një njohje e rëndësishme e industrisë zvicerane të filmit dhe e paraqet vendin si një destinacion interesant filmbërësie, si dhe si pjesë përbërëse e kulturës filmike të Evropës pikërisht në qendër të kontinentit”, shkruhet në komunikatë.

Një numër i madh talentesh nga Zvicra janë anëtarë të Akademisë Evropiane të Filmit si dhe disa filma zviceran tashmë janë shpërblyer nga Akademia si: “The Sound of Insects-Record of a mummy” nga Peter Liechti, “Winter nomads” nga Manuel von Sturler, “My life as a zucchini” nga Claude Barras. Pastaj në vitin 2020 janë shpërblyer dy yje në ngritje: Susanne Regina Meures për “Saudi runaway” dhe Lasse Linder për “All cats are grey in the dark”. Po ashtu në vitin 2010 aktori i njohur zviceran Bruno Ganz mori çmimin për arritje jetësore.

Sipas së njëjtës komunikatë, Qendra e Kulturës dhe Kongresit në Luzern e projektuar nga arkitekti francez Jean Nouvel, dhe e njohur si qendër kulturore dhe sociale edhe përtej Zvicrës, është një lokacion modern i qytetit. E vendosur në qendër dhe afër liqenit Luzern, ajo është afër edhe qendrës historike me urën e njohur si “Kapellbrücke”. Duke përdorur kanale të ujit që shpien direkt e në ndërtesë dhe një çati që shtrihet mbi liqe, Jean Nouvel u sigurua që ndërtimi i tij të merrte vëmendjen e gjithë botë.

Sipas komunikatës, rreth 1 mijë e 200 mysafirë do të përfshihen në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që do të mbahet në vitin 2024. E gjithë ngjarja po ashtu do të transmetohet live në Zvicër si dhe online në gjithë Evropën përmes partnerit medial, “SRG SSR”

Edicioni i 37-të i Akademisë Evropiane të Filmit do të mbahet më 7 dhjetor të viti 2024.

Këtë vit, pjesë e kësaj ceremonie që u mbajt në formatin hibrid, ishte edhe regjisori Samir Karahoda. Me filmin e tij “Pa Vend” ai bëri që Kosova për herë të parë të përfshihet në garën zyrtare të kësaj ngjarjeje prestigjioze. Filmi 15-minutësh për pingpongistët nga Prizreni, ëndrrat dhe sfidat e tyre ishte në mesin e pesë filmave të nominuar për çmimin si filmi më i mirë Evropian. Këtë çmim, e mori filmi “My Uncle Teudor” nga Olga Lucovnicova.

30-vjeçarja nga Moldavia me këtë film, që është temë diplome, mori edhe “Ariun e Artë” në edicionin e 71-të të Berlinales. Lucovnicova nuk është e panjohur për publikun kosovar. Pikërisht ky film ishte pjesë e edicionit të sivjetmë të “DokuFestit”. Çmimin kryesor e mori filmi boshnjak, “Quo Vadis, Aida?”, nën regji të Jasmila Zhbaniqit. Rrëfimi filmik për masakrën e Srebrenicës – ku luan edhe aktori nga Kosova Alban Ukaj – mori edhe Çmimin për regjinë më të mirë dhe atë për aktoren më të mirë (Jasna Gjuriçiq).