Kulturë

Kryeqytetet evropiane të kulturës në test të zhvillimit

Kështjella e Trencinit, e dukshme nga larg, dhe një pikë referimi e qytetit që  qëndron lart mbi sheshin qendror

Kështjella e Trencinit, e dukshme nga larg, dhe një pikë referimi e qytetit që qëndron lart mbi sheshin qendror

Kur ministrja greke e Kulturës, Melina Mercouri, dhe homologu i saj francez, Jacques Lang, filluan idenë e Kryeqytetit Evropian të Kulturës më 1985, qëllimi ishte të kapërcenin ndarjen kulturore në Evropë pas Luftës së Ftohtë. Athina ishte qyteti i parë që mbajti këtë titull duke iniciuar një koncept, që është një nga programet më të suksesshme kulturore të BE-së

 Trencin është një qytet piktoresk në perëndim të Sllovakisë, më i njohur për kështjellën historike që ngrihet mbi një shkëmb sipër qytetit. Poshtë saj, qendra e qytetit është e vendosur rreth një sheshi të madh të rrethuar me kafene dhe bare.

Qyteti i vjetër gjithashtu strehon një sinagogë madhështore, e cila u rinovua së fundmi dhe qëndron si një simbol i fuqishëm i komunitetit hebre të Trencinit, me shekuj histori. Sot, ajo zë një vend qendror në qytet si atraksion turistik dhe si vend për ngjarje kulturore.

Trencin ka rreth 55 mijë  banorë. Si pjesë e Sllovakisë, qyteti pranë kufirit me Çekinë është prekur nga depopullimi, kryesisht për shkak të zhgënjimit politik. Shumë banorë janë të pakënaqur me qeverinë populiste të majtë të kryeministrit Robert Fico, e cila bashkëpunon me forcat nacionaliste dhe mban qëndrim konfrontues ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe politikave pro-Rusi, duke shkaktuar shqetësim të gjerë.

Si reagim, qytetarët sllovakë kanë dalë herë pas here në protesta, duke treguar opozitë në rritje ndaj regjimit aktual.

Trencin po përpiqet të thyejë këtë imazh konservator. Përkundër politikës kombëtare, qyteti prezantohet si i hapur dhe ndërkombëtar, diçka e ngjashme me qytetin amerikan Austin, i cili ka zhvilluar një profil progresiv në një shtet politikisht konservator si Texas.

Disa projekte në program reflektojnë këtë qasje. “Light Art Festival” i Trencinit përdor instalacione drite për të treguar historinë e qytetit dhe për të krijuar një ndjesi fillimi të ri. Projekti “Lively Neighbourhoods” lidh lagjet përmes festivaleve dhe punëtorive, një përpjekje praktike për të kapërcyer ndarjet sociale.

Motoja e qytetit për Kryeqytet Evropian të Kulturës është: “Zgjimi i Kureshtjes”. Ngjarjet e planifikuara përfshijnë performanca kabareje, festivale lagjesh dhe aktivitete që promovojnë kohezionin social. Qyteti shpreson të bëhet më tërheqës, sidomos për të rinjtë.

Qendra kulturore e Trencinit është rinovuar së fundmi me një investim prej 8 milionë eurosh. Ajo është e pajisur me hapësira për kërcim dhe teatër, studio, punëtori dhe një studio profesionale filmi. Qëllimi është të tërheqë artistë dhe profesionistë të kulturës dhe t’i inkurajojë të qëndrojnë.

Finlanda renditet vazhdimisht si një nga vendet më të lumtura në botë, së fundmi sipas Raportit Botëror të Lumturisë më 2025. Ajo njihet për lojtarët e hokejit, saunat, grupet e muzikës heavy metal dhe edhe kampionatet e çuditshme botërore, si gara me kitarë ajrore dhe hedhja e çizmeve prej gomës.

Finlanda është gjithashtu shtëpia e gjigantit të telekomunikacionit “Nokia”, që e bën vendin një qendër teknologjike globale dhe ka një skenë të pasur arti.

Në vitin 2026, Oulu, një qytet verior finlandez me rreth 220 mijë banorë, synon të tregojë të gjitha këto veçori. Ai ndodhet rreth 600 kilometra nga Helsinki. Nokia ka krijuar një kampus në Oulu që fokusohet në teknologjitë 5G dhe 6G, duke theksuar hulumtimin dhe edukimin. Skena artistike e Oulu është e veçantë për lidhjen e ngushtë me natyrën.

Koncepti i ngjarjeve është ambicioz: ata synojnë të përziejnë të rejat dhe të papriturat, të bashkojnë njerëzit përmes kulturës dhe të lidhin artin me natyrën në mënyra të reja. Programi bazohet në tema “tipikisht finlandeze”, borë, akull, sauna dhe loja e dritës me errësirën me rolin qendror të stinëve që ndryshojnë. Motoja e Kryeqytetit Evropian të Kulturës në Oulu është: “Ndryshimi i Klimës Kulturore”, një mesazh i rëndësishëm që i referohet jo vetëm pasurimit të vazhdueshëm të jetës kulturore, por edhe përgjegjësisë ekologjike.

Kur ministrja greke e Kulturës, Melina Mercouri, dhe homologu i saj francez, Jacques Lang, filluan idenë e Kryeqytetit Evropian të Kulturës më 1985, qëllimi ishte të kapërcenin ndarjen kulturore në Evropë pas Luftës së Ftohtë. Athina ishte qyteti i parë që mbajti këtë titull, duke iniciuar një koncept që është një nga programet më të suksesshme kulturore të BE-së.

Sipas faqes së Komisionit Evropian, kryeqytetet e kulturës kanë për qëllim: të nxjerrin në pah pasurinë dhe diversitetin e kulturave evropiane; të rrisin ndjesinë e qytetarëve se bëjnë pjesë në një hapësirë kulturore të përbashkët; dhe të promovojnë kontributin e kulturës në zhvillimin e qyteteve.
Që nga viti 1985, më shumë se 70 qytete – përfshirë metropole si Paris, Amsterdam dhe Madrid, si dhe qytete më të vogla – kanë mbajtur këtë titull. Programi ka arritur sukses të matshëm: një analizë e ndikimit e BE-së në 2023 tregoi se midis 2013 dhe 2022, qytetet organizuan mesatarisht një mijë deri në 1 mijë e 200 aktivitete kulturore në vitin e titullit, duke tërhequr rreth 38.5 milionë vizitorë. Numri i vizitorëve në qytetet e përzgjedhura u rrit mesatarisht 30 deri në 40 për qind, duke ia dhënë një impuls të madh turizmit kulturor.

Shifrat e tregojnë këtë. Glasgow, Skoci, nga një qytet industrial në 1990 u bë një qendër kulturore. Më 2010, zona Ruhr në Gjermaninë Perëndimore, rreth Essen, shfrytëzoi titullin për t’ia dhënë qytetit një pamje post-industriale të re, duke transformuar minierat e thëngjillit në hapësira kulturore dhe ndërtesat industriale në trashëgimi botërore UNESCO. Matera, Itali, nga “turpi i Italisë” në 2019 u bë simbol i rilindjes evropiane. Por programi nuk ka qenë gjithmonë i suksesshëm për çdo qytet. Weimar (1999) tërhoqi 7 milionë turistë, por mbeti me deficit 13 milionë euro. Plovdiv, Bullgari (2019), pati sukses të madh, por u kritikua sepse disa grupe, si pakica rome, mbetën jashtë përfitimeve. Chemnitz, Gjermani Lindore, përfundoi së fundmi vitin si Kryeqytet i Kulturës, duke shpresuar të thyente imazhin ekstremist të djathtë, por kritikët thonë se programi nuk adresoi në mënyrë të rëndësishme ekstremizmin.

Së fundi, Iliana Ivanova, komisionere e kulturës evropiane, deklaroi më 2023: “Një Kryeqytet i Kulturës nuk është një vit festivali, por një proces ndryshimi”.

Vitet e fundit shumë kryeqytete të kulturës janë fokusuar tek qëndrueshmëria, angazhimi social dhe inovacioni digjital, duke mbështetur projekte që lidhin artin me ekologjinë urbane, ekonominë cirkulare ose trashëgiminë kulturore.

Në këtë kuptim Oulu shërben si një lloj terreni prove për përdorimin e kulturës si mjet për të rritur ndërgjegjësimin mbi ndryshimet klimatike, ndërsa Trencin fokusohet te qëndrueshmëria sociale  si kureshtja, arsimi dhe pjesëmarrja formojnë bazën e një shoqërie demokratike.

Kjo është pikërisht ideja qendrore e këtij projekti evropian: gjuha e përbashkët e kulturës shtrihet përtej kufijve kombëtarë.