Kulturë

Kosova në tatëpjetë me propozimet për “Oscar”, viti i tretë pa kandidat

Oscar

“Pas një vlerësimi të plotë, Komiteti vendosi unanimisht që Kosova të mos paraqesë film për edicionin e ardhshëm, pasi propozimi i vetëm i pranuar nuk i plotëson standardet e konkurrimit për garën e ‘Oscar’”, shkruhet në përgjigjet e Qendrës Kinematografike të Kosovës, për mungesën e serishme të kandidatit për nominim për çmimin më të madh në kinematografi. Njësoj kishte vendosur edhe më 2023, e vitin e kaluar “kishte probleme me e-mail. Për një pjesë të kinematografëve vendorë mungesa e qëndrueshmërisë dhe vazhdimësisë i bën një dëm të madh reputacionit të shtetit në botën e filmit

Kinematografia e Kosovës është në vitin e tretë prej që e ka humbur rrugën për “Oscar”. Shteti më i ri i Evropës, që në dekadën e fundit ka pasur një film të nominuar e një tjetër në listën në ngushtë për nominim, as sivjet s’ka kandidat për çmimin më prestigjioz që njeh bota. Krejt kjo bën që ajo që shihej si vala e re e kinematografisë së Kosovës të mos jetë e qëndrueshme të paktën me atë që është diplomacia nëpërmjet filmbërjes. 

Për një pjesë të kinematografëve vendorë mungesa e qëndrueshmërisë dhe  vazhdimësisë i bën një dëm të madh reputacionit të shtetit në botën e filmit. Përderisa një komitet përzgjedhës i caktuar nga Qendra Kinematografike konsideron se s’ka film që i plotëson kushtet, pyetjet që ngritën përfshijnë edhe atë se a kanë alamet filmash shtetet e rajonit që propozojnë shpeshherë veç për shkak të pranisë. 

Se Qendra kinematografike e Kosovës është në njëfarë zallamahie, nga e cila s’po këndellet, s’do koment. Është lidhur nyjë në disa aspekte, e një prej tyre është marrëdhënia me Akademinë Amerikane. 

Më 2023 përbërja e atëhershme e Komitetit përzgjedhës erdhi në përfundim se s’ka film që i plotëson kushte për kandidim për nominim në kategorinë e filmave ndërkombëtarë të “Oscar”. 

Më 2024, arsyetimi se QKK-ja kishte “probleme me e-maile” qe goditja e radhës, që shënoi mospraninë e Kosovës në listën e shteteve që dërguan kandidatët. Për dy vjet radhazi alamet emrash nga Kosova që merren me këtë fushë i reaguan dhe e këshilluan QKK-në që të mos vepronte kësisoj.

Sivjet prapë është vlerësuar se s’ka film që i plotëson kushtet. 

Qendra Kinematografike e Kosovës hapi thirrjen për aplikime për edicionin e 98-të të “Oscar” më 7 korrik, me afat dorëzimi deri më 21 korrik. Sipas QKK-së, në kuadër të kësaj thirrjeje aplikoi një projekt filmik. QKK-ja ka sqaruar se sipas procesit të përcaktuar, Komiteti përzgjedhës i përbërë nga Ares Shporta si kryesues, me anëtarët Adriana Matoshi, Norika Sefa, Parta Kelmendi dhe Alush Gashi, u propozua dhe u aprovua nga Akademia pas përfundimit të afatit të thirrjes.

“Pas shqyrtimit të aplikimit dhe rregullave të ‘Oscar’ për këtë kategori, Komiteti përzgjedhës u mblodh më 4 shtator 2025. Pas një vlerësimi të plotë, Komiteti vendosi unanimisht që Kosova të mos paraqesë film për edicionin e ardhshëm, pasi propozimi i vetëm i pranuar nuk i plotëson standardet e konkurrimit për garën e ‘Oscar’”, shkruhet në përgjigjet e QKK-së. 

Kur më 2014 Kosova fitoi të drejtën e propozimit, filmi i parë që mori atë rrugë qe ai i regjisorit veteran, Isa Qosja, “Tri dritare dhe një varje”. Profesori universitar i regjisë, Qosja, mosvazhdimësinë e propozimit e sheh si çështje me shumë telashe. 

Në një bisedë të shkurtër në lidhje telefonike me KOHËN, Qosja derisa ka folur për këtë temë ka marrë shembull një deklaratë të regjisorit të njohur rumun, Cristi Puiu. Ka treguar se në një rast në Vjenë, ku ishte edhe vetë i pranishëm, Puiu – midis të tjerash fitues i ‘Palmës së Artë’ dhe ‘Ariut të Artë’ – kishte thënë në konferencë për media se nuk e do filmin. 

“Kur e tha këtë dhe gazetarët u habitën. Dhe ai e arsyetoi këtë duke thënë: Shkon në një festival ku bëhen bashkë nja tre a katër veta dhe ta zhvleftësojnë filmin”, ka treguar Qosja. Ka folur edhe për kriteret “e egra” vendore.

“Pse e thashë këtë? Tre a katër veta e konstatojnë se një film nuk ia vlen të shkojë si propozim për ‘Oscar’. Me çka e matin? Jam i bindur se këtu vlerësohet më egër filmi sesa në skenat ndërkombëtare. Sa herë më ka rënë të shkoj diku me filmin tim kam marrë aq shumë vlerësime, që këtu s’mund t’i kesh”, ka thënë Qosja. Ka treguar se është i mendimit që Kosova ka pasur filma që ia ka vlejtur të konkurrojnë. 

“Serbia, Mali i Zi e Kroacia dërgojnë filma dhe nuk janë larg nesh, nganjëherë edhe pas nesh. Duhet të jesh prezent me kulturën tënde kinematografike. Nuk mund të themi ne se çka duhet të ketë një film për ta mbërritur ‘Oscarin’. Në botë befasohen shumë kur arrijnë të marrin çmime të tilla. Bota artistike është për ta provuar e jo për ta sanksionuar”, ka thënë Qosja. Ai është i mendimit se prania nuk duhet të ketë shkëputje. 

“Më mirë është që të shkruhet emri i Kosovës si pjesëmarrëse sesa tre vjet të mos ekzistojë emri i Kosovës fare në këtë garë të rëndësishme të kulturës kinematografike”, ka thënë ai. 

Aktori e producenti Fatmir Spahiu ka thënë se i tërë procesi është në duar të QKK-së, mënyrës se si i shohin ata gjërat dhe interpretimit të tyre se a duhet dikush medoemos të zgjidhet nga aplikuesit. Ka përmendur se ka raste në rajon, për shembull Mali i Zi, ku ka aplikuar një film dhe ai është zgjedhur.

“Ka shtete, madje edhe shtete të mëdha, që nuk nominojnë fare. Pra, s’ka një matematikë për këtë punë. Krejt çka ka të qartë në këtë proces është rregullorja e ‘Oscarit’. Por nëse QKK nominon, pra zgjedh kandidatin, atëherë duhet t’i qëndrojë prapa fuqishëm. Qëndrimi im është se për Kosovën është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ketë çdo vit të nominuar. E rëndësishme është që Komiteti, që rëndom zgjidhet ad hoc, të ketë nuhatjen e duhur për temën që përcjell tutje”, ka thënë ai. Ka përsëritur mendimin e tij se suksesi i filmit kosovar është i një brezi të diskriminuar, të rritur në okupim. 

“Një brezi të talentuar që e ka dashur shpërthimin pa kushte, me pak buxhet dhe pa ndonjë përfitim të madh financiar. Tashmë ai brez është lodhur dhe, si duket, po kërkon diçka tjetër — diçka mbase më profitabile në terma ekonomikë”, ka thënë Spahiu. Sipas tij, suksesi do vazhdimësi. 

“Që të trajtohesh i suksesshëm, duhen vazhdimësi dhe klimë e mirë në institucionet e filmit. Vitet e fundit kemi votimin e ligjeve të avancuara dhe krejt çka të duhet është veprimi kreativ”, ka thënë ai. 

Përderisa më 2023 dhe 2025 komitetet përzgjedhëse s’i dhanë dritën jeshile ndonjë filmi për të rrugëtuar drejt “Oscar”, më 2024, arsyetimi i QKK-së ishte parë si skandal më vete për një institucion. 
“Ne kishim një problem me e-maile, po them është problem shumë teknik, i cili na ndodhi ashtu siç ndodhi dhe nuk e kemi pranuar me kohë e-mailin për propozime që vjen nga ‘Oscari’”, kishte thënë drejtoresha e QKK-së Blerta Zeqiri. 

Për herë të fundit kur Kosova kishte kandidat qe viti 2022. “Në kërkim të Venerës”, me skenar dhe regji nga Norika Sefas, ishte filmi me të cilin Kosova synonte çmimin e madh “Oscar” për vitin 2023.

Paraprakisht më 2021 ishte shënuar një sukses i madh. “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, u fut në listë të ngushtë, por që nuk u kurorëzua me nominim. Rrëfimi për të venë Fahrije Hoti dhe betejat e saj për veten dhe gratë e tjera të një prej fshatrave më të goditura gjatë luftës në Kosovë kishte bërë që filmi të bënte bujë. Më 2020, Kosova për çmimin e madh kandidoi me filmin “Exile” të Visar Morinës. Më 2019 propozoi filmin “Zana”, nën regji të Antoneta Kastratit, më 2018 qe “Martesa”, nën regji të Blerta Zeqirit, “T’padashtun”, nën regji të Edon Rizvanollit më 2017, “Home Sweet Home” të Faton Bajraktarit më 2016, “Babai” i Edon Rizvanollit më 2015 dhe “Tri dritare dhe një varje” i Isa Qosjes më 2014, kur nisi historia e Kosovës me Akademinë Amerikane. Suksesi i madh i Kosovës deri më tani drejt “Academy Awards” mbetet nominimi për “Oscar 2016” i filmit “Shok” i Jamie Donoghue në kategorinë e filmave të shkurtër.


© KOHA Ditore