Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Libri midis lexuesve pa kufij dhe kufijtë e politikës

Në Panairin e Librit në Prishtinë, libri shqip duket pa kufij në raport me lexuesin. Nëse njësi matëse merret dita e parafundit e “festës së librit” siç preferojnë ta quajnë disa botues, imazhi është se ka shumë lexues e interesim. Statistikat janë tjetër rrëfim. Por emërues i përbashkët i botuesve të librit shqip, janë kufijtë që ua vë politika me taksa e të tjera barriera. As kushtet për Panairin, s’kanë ndryshuar tash e 22 vjet. Në këtë edicion – që bashkoi 100 botues nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut – Panairi u rikthye me moton “Libri mbron mendjen” e thirrja që përsërit është që politika t’ia heqë kufijtë librit shqip

Ora dhjetë e paradites rezulton të jetë e vonshme për punëtorët e përfaqësuesit e shtëpive botuese para shtandeve të të cilave vizitorët pritnin të renditen titujt që u ofrohen. Jo pak adhurues libri janë aty ende pa u hapur dyert e Panairit. Një ngjarje si kjo jep imazh për interesim, por botuesit shqiptarë sfidohen në rrugëtimin e librit, jo vetëm deri në finalizim, por edhe për ta çuar atë te lexuesi. Kufizimet e librit shqip thyhen përkundër barrierave, por kur vjen te politika është tjetër rrëfim.

Libri shqip tatohet për të mbërritur nëpër hapësirat shqiptare përkundër premtimeve të shumta tash e dy dekada nga zyrtarët politikë. Disa herë është përmendur tatimi zero mbi librin, por ende nuk është konkretizuar një premtim si ky.

Nëse dita e parafundit e Panairit të Librit në Prishtinë do të merrej si njësi matëse për lexueshmërinë, atëherë botuesit e autorët e librave kanë përse të mburren.

Të shtunën ka pasur fluks në hapësirat e Pallatit të Rinisë çdoherë më të ngushta. Vizitorët janë të të gjitha moshave, shumë nga të cilët tashmë vijnë të përcaktuar për shtandet e tyre, ende pa hyrë brenda objektit në kushte të njëjta tash e 22 vjet. Tepisoni i kuq përshkon që nga hyrja e Pallatit dhe gjithë dyshemenë prej dërrasash të cilat kërcasin e lëvizin kur vendoset hapi. As mënyra e ekspozimit të librave nuk ka ndryshuar shumë. Botime ka me bollëk, aq sa edhe oferta në çmime, që janë tradicionale në organizim të Panairit. E tillë është edhe qasja e shtetit ndaj librit shqip.

Tatimi që godet qarkullimin e librit

Edhe Panairi i Librit hapet me mesazhe për më shumë lexim Kulturë Panairi i Librit hapet me mesazhe për më shumë lexim

Për ditë me radhë, shtëpitë botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut krijuan “mega-librarinë”. Por rrugëtimin deri në destinacionin e dëshiruar, e konsiderojnë sfidues e të lënë anash nga politika si prezantim i vetë shtetit.

Autori francez, Claude Arnaud, i cili lexuesit shqiptar i erdhi me “Dhembja e rrënojave”, në përurimin në ditën e dytë të Panairit, do të ndalej edhe te praktikat e shtetit të tij në raport me librin. Pasurimi i fondit të shtetit përmes tatimit të librit, sipas tij, konsiderohet i panevojshëm.

E në Kosovë për heqjen e kësaj barriere në shitblerjen e librave kishte premtuar thuajse secila qeveri e ardhur në pushtet.

Padyshim se heqja, eventualisht edhe ulja në përqindje e këtyre taksave, që aktualisht është tetë për qind në Kosovë, do të krijonte lehtësim të tregut, rrjedhimisht edhe kërkesë më të madhe për të blerë libra.

“Konsiderojmë se largimi i TVSH-së, gjë që është premtuar nga secili politikan, përfshirë edhe kryeministrin e tanishëm, e kryetarët e secilës parti opozitare, që është i nevojshëm dhe i domosdoshëm pasi do të krijonte lehtësim të tregut, në fund të fundit TVSH-në gjithmonë e paguan blerësi, në këtë rast, lexuesi”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli. Me kosto të tillë, por pak më të ulët përballen edhe botuesit në Shqipëri, ku deri në vitin 2020 nuk kishte asnjë tatim mbi vlerën e shtuar, ndërsa që nga ajo kohë, nga zero, vlera shkon në gjashtë për qind, për çka ankesa e botuesve nga atje, në përgjigjet për KOHË-n janë të dyfishta.

“Librarët konsiderojnë se kjo ka ndikuar në qarkullimin më të paktë të librit. Tatimi prej tetë për qind rëndon në pjesën e librit, sepse për ta sjellë në shqip ka kosto, pasi janë disa faza deri në përfundim të të gjithë librit’, ka thënë Kadire Rexha nga shtëpia botuese “Pegi” nga Shqipëria, derisa konsideron se kjo taksë duhet të eliminohet plotësisht.

Klaudia Sula nga shtëpia botuese “Muza”, shpreh keqardhje që krahas rritjeve të çmimeve në përgjithësi, të ketë edhe tatime shtesë.

“Përse t’i kemi? Ne flasim një gjuhë, botojmë në shqip, pse të kemi tatim mbi tatim shtesë”, ka thënë ajo.

Mendim të njëjtë ndan edhe Arben Kondi, shkrimtar nga Çamëria, që ka ekspozuar librat e tij në hapësirat e Pallatit të Rinisë.

Hapat drejt heqjes së obligimit për tatim, drejtori i shtëpisë botuese “Albas” për Kosovë, Fatlum Hetemi, nuk i konsideron faktorë determinues, por si mënyrë për shprehjen e kujdesit të shtetit ndaj tyre.

“Ne do të mund të dilnim edhe në treg më lirë, por është një lloj kujdesi i shtetit për librin”, ka thënë ai. Kufizimet konsiderohen banale dhe se pengesat e tilla e vështirësojnë librin për t’iu servuar lexuesit.

“Lexuesin shqiptar e kanë kufizuar vetë qeveritë tona me mekanizma shtetërorë, duke menduar se mund të vjelin taksa nga libri, që është absurditet”, ka thënë Jahir Ahmeti nga shtëpia botuese “Artini”.

Premtimet e vazhdueshme të politikës

Kritikat në ditën e parafundit të Panairit të Librit në Prishtinë u adresuan për politikën si funksion i shprehur përmes drejtimit të qeverisë, që në shumë raste ajo etiketohet me vetë shtetin. Heqja e tatimeve fiskale mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe ndërmjet botuesve shqiptarë në shtetet e tjera, do të shërbente edhe si formë për marrëdhëniet e afërta politike ndërmjet trevave shqiptare pa dallim, duke lehtësuar dhe rritur qarkullimin e tregut të librit të Shqipërisë drejt Kosovës dhe anasjelltas. Libri si tërësi kryesore në edukimin e brezave të rinj vlerësohet si horizont i hapur drejt rrugës së dijes, derisa konsiderohet se politika mund të kontribuojë në krijimin e sistemit bibliotekar, si zinxhir i furnizimit të rregullt me librat e vjetër dhe ata të rinj që vazhdimisht botohen, si lehtësi për të mbërritur lexuesi deri te libri.

Në lidhje me këtë, përfaqësuesi i shtëpisë botuese “Artini”, ka përmendur pasivizimin e shumë bibliotekave pasi nuk janë pajisur me libra. Ka kujtuar se jo pak biblioteka janë ende funksionale, por që nuk kanë tituj të rinj ose janë në mungesë të librave.

“Kam informacion se janë pasivizuar rreth 800 biblioteka për 23 vjet, fakti se nuk janë pajisur me libra ato janë pasivizuar’, ka thënë Jahir Ahmeti.

Në anën tjetër, konsiderohet se politika mund të ndikojë në rritjen e leximit në shkolla, si dhe të formojë komisione të veçanta për të kontrolluar dhe analizuar tekstet në mënyrë që të ketë literaturë të duhur për nxënësit të cilët përveç që të edukohen, duhet edhe të zgjerojnë diapazonin e të lexuarit të krijimeve letrare.

“Nxënësit janë mësuar se libri nuk blihet, por falet, dhe kjo e penalizon librin”, ka thënë Kadire Rexha nga shtëpia botuese “Pegi”.

Politika konsiderohet edhe faktor që ka kufizuar Prishtinën dhe Tiranën që nga paslufta.

Edhe Me rreth 30 mijë vizitorë mbyllet Panairi, fluks më i vogël këtë vit Kulturë Me rreth 30 mijë vizitorë mbyllet Panairi, fluks më i vogël këtë vit

“Të mos integrohemi në aspektin kulturor me Tiranën për 23 vjet dhe flasim për integrime evropiane që është absurditet. Ankohemi se Serbia nuk zbaton marrëveshjen me Serbinë, ndërsa ne nuk zbatojmë marrëveshjen e nënshkruar me Shqipërinë”, ka thënë Jahir Ahmeti nga “Artini”, derisa ka vlerësuar se lexuesin shqiptar e kanë kufizuar të dyja qeveritë shqiptare me mekanizma shtetërorë përmes taksës, që ai e quan absurde.

Mirëpo, ka edhe nga ato raste që botuesit nuk ndajnë të njëjtin mendim në lidhje me qasjen e politikës në çështje kulturore.

“Politikat ndikojnë gjithmonë pozitivisht, unë nuk e njoh politikën në Kosovë, por ne në Shqipëri. Këta dy vjetët e fundit ka pasur shumë aktivitete që ndihmojnë leximin, domethënë herë pas here, kryesisht institucionale shtetërore, por edhe private. Ne organizojmë aktivitete të ndryshme, në mënyrë që çdo javë dhe muaj të kemi aktivitete”, ka thënë Claudia Sula duke përmendur edhe median në funksion paralel në përkrahje të aktiviteteve kulturore të shtëpisë botuese “Muza” nga Tirana. Gjithashtu, është përmendur edhe mundësia për krijimin e kompromiseve mes shteteve në heqjen e tatimit.

“Mund të gjendet një kompromis apo bashkëpunim që tatimet të hiqen sidomos nëpër panaire, pasi mbahet edhe panairi i Shkupit, edhe për librarët edhe shtëpitë botuese të marrin pjesë më lehtë”, ka thënë Behram Mehmeti nga shtëpia botuese nga Maqedonia e Veriut, “Logos-A”. Pengesat që vendos politika mes shteteve i frustron edhe më shumë botuesit, derisa vlerësojnë se politika shikon vetëm punët e veta e jo librin. Dhe nuk ka vullnet për ta ndryshuar gjendjen aktuale.

Image

Rritje a rënie e interesimit për librin

Jo rrallë konkludohet për frekuentim të paktë në Panairin e Librit në Prishtinë. Edhe pse gjatë gjithë ditës së shtunë qytetarët kishin krijuar tollovi në gjithë hapësirat e Pallatit të Rinisë. Por në disa shtande e tenda, jo të pazëshme janë konstatime: “Shitje të pakta”, “vizitorë të paktë”, “rënie të interesimit”.

“Rënie të interesimit ka pasur, pritshmëritë janë larg nga ato që kemi pasur. Meqenëse nuk është mbajtur qe dy vjet ne kemi pritur një Panair me më shumë interesim, ndoshta ka ndikuar edhe mosinformimi i qytetarëve’, ka thënë Behram Mehmeti nga “Logos-A”. Me këtë mendim pajtohet edhe Klaudia Sula nga “Muza”, që ka thënë se ka pasur shumë pak blerje dhe se interesi për të lexuar ka rënë në të gjitha moshat.

“Kjo është gati dëshpëruese për ne që tentojmë të nxjerrim tituj herë pas here”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, ka nga ata që panairet e librave nuk i konsiderojnë vetëm për konceptin e shitjes.

“Panairet janë festa në radhë të parë, festë kulturore në të cilat autorët, njerëzit, botuesit, redaktorët, përkthyesit bëjnë promovimet e tyre, edhe lexuesit ndjekin panairet dhe për shkak se janë çmimet më të volitshme”, ka thënë Fatlum Hetemi nga “Albas” e Prishtinës.

Të njëjtin konstatim e jep edhe kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, derisa është shprehur se në Panair sheh interesimin shumë të madh të qytetarëve, dhe se jo gjithmonë kjo mund të përkthehet në blerje. Kësisoj pasi kriza ka bërë që gjendja ekonomike jo çdoherë të jetë në nivel sa për të blerë libra.

Interesim i madh për librin është parë edhe në shtandin e Botimeve KOHA të cilët e kanë vlerësuar Panairin si rrugëtim të bukur që në përgjithësi ka pasur shumë vizitorë dhe sidomos në këtë shtand.

“Interesi për KOHËN ka qenë shumë i madh, por në përgjithësi nuk ka pasur vizitorë shumë, sikur herëve të kaluara. Te shtandi i KOHËS te ne është gjithmonë njëjtë pasi çfarë e bën lexuesin ta vizitojë janë përmbajtja e librit dhe çmimet e librit’, ka thënë Fidan Imeri, përfaqësues i shtëpisë Botimeve KOHA në panair. Ka thënë se “kryesisht interesimi i madh ka qenë krahas ofertës, librat kanë qenë në 80 për qind zbritje”.

Ndërkohë, “statistikat” që janë dhënë për Panairin me rënie të interesimit dhe leximit të librave, i ka hedhur poshtë drejtori i shtëpisë botuese “Onufri”, Bujar Hudhri, derisa ka përmendur titullin e librit “Si mund të gënjesh me statistika”.

“Ata që kanë bërë statistikat ndoshta vetë nuk lexojnë. Libri është lexim individual, është veprim që e bën fshehurazi dhe askush nuk e di se çfarë po bën ti, dhe pyetja ime është se si mund të bësh statistikë për dikë që nuk e di çfarë po bën? E dyta, ti nuk e di se një libër që blihet sa persona e lexojnë atë, statistikat nuk pasqyrojnë realitetin”, ka thënë ai, derisa shpreh edhe mallëngjim për Panairin e Librit në Prishtinë, për të cilin ka thënë se janë lexuesit më të mirë për të.

Panairi pati një shkëputje trevjeçare me dy edicione të anuluara për shkak të pandemisë për t’u rikthyer sivjet me moton “Libri mbron mendjen”.

“Panairi është në rregull. Si çdo vit, edhe sivjet kam marrë pjesë, çmimet nuk janë ngritur. Fatmirësisht libri po besoj që ka qenë artikulli vetëm në të cilin nuk janë ngritur çmimet. Sot ka shumë vizitorë”, ka thënë Granoz Cernaveri. Kishte edhe nga ata qytetarë që nuk gjetën librat që kërkuan. “Mirë ishte, librat që i kërkova nuk i gjeta, por mora diçka tjetër, shtëpive botuese iu duk shumë çudi që i kërkova ata libra”, ka thënë Petrit Behluli.

Panairi ka për qëllim ta promovojë librin dhe ta bindë lexuesin se duhet të lexojë.

Shkrimtari 86-vjeçar, Agim Gjakova, ka vlerësuar se panairet e kanë humbur “vlerën dhe rëndësinë që kanë pasur dhe që duhet ta kenë”.

Edhe Panairi – kontrasti midis adhurimit të librit dhe festës që venitet Shtojca për Kulturë Panairi – kontrasti midis adhurimit të librit dhe festës që venitet

“Në një formë janë kthyer në pazar të shitjes së librave, edhe promovimet po bëhen vetëm formalisht, me ndonjë përjashtim kur bëhet një promovim më serioz. Panairi ka për qëllim të promovojë librin, ta përhapë, ta bindë lexuesin se duhet të lexojë, t’ia fusë këtë në mendje”, ka thënë ai, duke përmendur teknologjinë si shkak për këtë. Në përballje të vazhdueshme me teknologjinë është librit fizik në krejt botën, e ai shqip përballet edhe me sfidat që ia bëjnë vetë shtetet.

Me premtime për rritje të përkrahjes së librit nga shteti qe hapur edhe ky edicion i Panairit të Librit, i cili zyrtarisht mbyllet sot. Është gati e sigurt që tani, se premtime të tilla do të bëhen edhe në hapje të edicionit të 23-të.