Ka ndërruar jetë albanologu i shquar kanadez me origjinë gjermane, Robert Elsie, që prej vitesh jetonte në Berlin.
Robert Elsie konsiderohet si specialist më i shumëanshëm i fushave albanologjike, nga gjuha te historia dhe nga letërsia tek etnografia.
I lindur në Vankuver të Kanadasë më 1950, Elsie do të njihej me kulturën shqiptare në vitet e 70-a, kur si student vizitoi Tiranën, ndërkohë që do të bëhej vizitor i rregullt i Seminarit të Gjuhës Shqipe, ku do të mësonte edhe të folmen e shqipes në gegërisht.
Robert Elsie ishte autor i dhjetëra librave dhe artikujve mbi letërsinë shqipe, historinë, etnografinë, gjuhën dhe artin e kulturën shqiptare.
Po ashtu, ai ka përkthyer në anglisht poezi nga Migjeni dhe Lasgush Poradeci, si dhe atë që mbahet të jetë kryevepra e tij e përkthimit, poema “Lahuta e Malësisë” së Gjergj Fishtës.
Gjatë procesit gjyqësor të diktatorit serb Slobodan Milosheviq, duke njohur edhe të folmet dialektore të shqipes, Robert Elsie kishte qenë përkthyes simultan i dëshmitarëve shqiptarë në Hagë.
vitet e fundit, Elsie drejtonte një web faqe interneti me një mori tekstesh, të dhënash, poezish, pikturash e fotografish për historinë dhe kulturën shqipe.