“Ekziston konflikti i interesit për zyrtarin e lartë, Përparim Rama, pasi që ai në cilësinë e kryetarit të Komunës së Prishtinës, duke nënshkruar kontratën me titull ‘Organizimi i festivalit ‘Sunny Hill’ – bashkëfinancim me negocim’, me operatorin ekonomik ‘The Sunny HIl sh.p.k’, me pronar D.L. ka rënë ndesh me nenin 6, nenin 17, lidhur me nenin 3, paragrafin 1, nënparagrafin 1.2, 1.6 dhe 1.12, si dhe nenin 9, paragrafi 1 nënparagrafi 1.8 të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit”, shkruhet në pikën e parë të vendimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit e objekt i tij është kontrata prej 174 mijë e 900 eurosh. Konflikti konstatohet pasi kryetari Rama ka pasur marrëdhënie biznesore me pronarin e “Sunny Hill sh.p.k”, pasi familjes së tij ia ka dizajnuar dy shtëpi. Pos konstatimit të APK-së për konflikt interesi, lënda është iniciuar për procedurë kundërvajtëse edhe në gjykatë. Kryetari Rama nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është në konflikt interesi sa i përket mbështetjes financiare për festivalin “Sunny Hill”. Kryetari Rama para se vitin e kaluar të nënshkruante kontratë me kompaninë “Sunny Hill Sh.P.K”, ka pasur raporte kontraktuale me pronarin e kësaj kompanie, D.L. Raporti i tyre biznesor është zhvilluar në Londër dhe afërsisht pas dy vjetëve prejse kryetari Rama është paguar nga D.L. për shërbimet që i ka bërë, në cilësinë e personit zyrtar, si kryetar Komune ka përkrahur kompaninë që merret me organizimin e një prej festivaleve më të mëdha në Evropën Juglindore.
Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit përcakton se duhet kaluar pesë vjet nga marrëdhëniet kontraktuale private, që zyrtari të mund të marrë veprime të cilat i përshtaten interesit të personit me të cilin më herët ka pasur raport afarist. Pos konstatimit të APK-së për konflikt interesi, lënda është iniciuar për procedurë kundërvajtëse edhe në gjykatë.
Në ditën e 24-të të korrikut të vitit 2024, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nënshkruar kontratën me titull “Organizimi i festivalit ‘Sunny Hill – bashkëfinancim me negocim’, nëpërmjet së cilës ia ka dhënë 174 mijë e 900 euro kompanisë “Sunny Hill”. Nga ana e kompanisë, kontrata është nënshkruar nga Alban Kastrati. Ky rast është referuar në Agjencinë e Parandalimit të Korrupsionit.
“Ekziston konflikti i interesit për zyrtarin e lartë Përparim Rama, pasi që ai në cilësinë e kryetarit të Komunës së Prishtinës, duke nënshkruar kontratën me titull ‘Organizimi i festivalit ‘Sunny Hill’ – bashkëfinancim me negocim’ me operatorin ekonomik ‘The Sunny HIl sh.p.k’, me pronar D.L. ka rënë ndesh me nenin 6, nenin 17, lidhur me nenin 3, paragrafin 1, nënparagrafin 1.2, 1.6 dhe 1.12, si dhe nenin 9, paragrafi 1 nënparagrafi 1.8 të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit”, shkruhet në pikën e parë të vendimit. Në pikën e dytë shkruhet se Agjencia do të iniciojë procedurën e kundërvajtjes në gjykatën kompetente.
Në arsyetimin e vendimit sqarohet se Agjencia pas denoncimit të pranuar, ka zhvilluar hetim administrativ. Aty bëhet e ditur se në deklaratat në takim dhe ato të dërguara me shkrim, kryetari Rama ka dhënë disa sqarime.
“Sa i përket pyetjes lidhur me lidhjet afariste me D.L. si përfaqësues i ‘The Sunny Hill’ brenda dhe jashtë vendit ju njoftoj se i kam dizajnuar dy shtëpi të familjes së D.L. në Londër. Kompania ‘4MA Group’ ka nënshkruar kontratë më 5.11.2020, ndërsa pagesa e fundit është kryer me 27.5.2022”, citohet të ketë thënë kryetari Rama. Në një tjetër përgjigje kryetari Rama ka sqaruar se Komuna ka pasur kontratë për shërbime organizative artistike, mirëpo kjo kontratë nuk ka përfshirë në objektin e saj edhe organizimin e festivalit “Sunny Hill”. Ka bërë të ditur se “Sunny Hill” është i mbrojtur në kuptimin e pronësisë intelektuale dhe asnjë operator tjetër ekonomik nuk mund ta organizojë këtë festival. Agjencia ka vërtetuar se Rama në deklaratën e tij ka treguar saktë marrëdhënien afariste me pronarin e kompanisë “Sunny HIll Sh.P.K”.
“Pas konstatimit të gjendjes faktike..., duke u bazuar në dispozitat e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, Agjencia konstatoi se ekziston konflikti i interesit për zyrtarin e lartë Përparim Rama”, shkruhet në arsyetim. Përmendet neni 6 i këtij ligji, ku shkruhet se konflikti i interesit lind nga një rrethanë në të cilën zyrtari ka interes privat, që ndikon, mund të ndikojë ose duket se ndikon në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtare. Në arsyetim zënë vend edhe disa nene të këtij ligji. Midis të tjerësh edhe paragrafi 1.8 i nenit 9 të Ligjit, ku tregohet se cilat veprime i ndalohen zyrtarit gjatë ushtrimit të funksionit publik.
“Të ndërmarrë veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i përshtaten interesit personal të tij apo të çdo personi tjetër fizik dhe juridik, të bashkaksionarëve apo personave në lidhje të mëhershme afariste në pesë (5) vjetët e fundit”, shkruhet në këtë pikë.
Agjencia ka ardhur në përfundim se kryetari Rama ka pasur marrëdhënie kontraktuale afariste në pesë vjetët e fundit me D.L. dhe ka nënshkruar kontratë në cilësinë e kryetarit pa kaluar afati ligjor.
KOHA i ka pyetur kryetarin Rama dhe Komunën e Prishtinës se si e komentojnë faktin se është konstatuar konflikt interesi dhe APK-ja do të iniciojë procedurë kundërvajtëse në Gjykatë. Po ashtu ka shtruar edhe pyetje se cilët janë hapat që do t’i ndërmarrë kryetari Rama në këtë rast dhe përse ai përkrah kompani me pronarin e së cilës në një tjetër rast ka marrëdhënie biznesi. Por as Komuna e as kryetari Rama nuk janë përgjigjur.
KOHA po ashtu ka pyetur edhe kompaninë “Sunny Hill Sh.P.K” se a janë të informuar për këtë rast, çfarë do të thotë për ta kur organizimi përkrahet me kontratë ku pala nënshkruese është në konflikt interesi dhe a planifikojnë që edhe sivjet të merren vesh me Komunën për bashkëfinancim të festivalit nëpërmjet procedurës së njëjtë sikurse vitin e kaluar. Kompania nuk është përgjigjur me arsyetimin se nuk është palë në vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Pas dy ditësh pune, në pyetjet e KOHËS është përgjigjur Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, se a e kanë iniciuar procedurën kundërvajtëse në gjykatë dhe cilat kanë qenë rastet e tjera për të cilat ankuesi i ka paraqitur si potencialisht me konflikt interesi dhe nuk i kanë trajtuar.
“Sipas procedurës së paraparë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, lidhur me konstatimet për shkelje të detyrimeve të përcaktuara në nenin 9, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.8, të Ligjit nr. 06/L-011, për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, ka bërë kërkesë për inicimin e procedurës kundërvajtëse në Gjykatën kompetente, konform dispozitave përkatëse të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit", shkruhet në përgjigje. Agjencia po ashtu ka cituar vendimin dhe bazën ligjore të konstatimit se kryetari Rama është në konflikt interesi për këtë rast. Kurse sa u përket rasteve të tjera që ankuesi i ka paraqitur në APK, në përgjigje shkruhet se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit gjatë trajtimit të rasteve vepron duke u bazuar në përgjegjësitë dhe mandatin e saj ligjor.
“Çështjet e tjera jashtë sferës së konfliktit të interesit apo jashtë mandatit të saj ligjor trajtohen sipas legjislacionit në fuqi, duke përfshirë Rregulloren dhe procedurën e hetimeve administrative të Agjencisë dhe Legjislacionin tjetër në fuqi me të cilin vepron Agjencia", shkruhet në përgjigje.
Përtej konfliktit të interesit, "Sunny Hill" është prej festivaleve më të mëdha të Evropës Juglindore dhe synimet janë që të ketë primat në regjion. Sivjet pritet edhe një edicion madhor, ku e pranishme do të jetë vetë ylli i pop muzikës, Dua Lipa, në kuadër të turneut të saj botëror “Radical Optimism”. Midis emrave botërorë, sivjet në fillim të gushtit në këtë festival do të interpretojë edhe Peggy Gou.
Prej vitit të kaluar festivali mbahet në Bërnicë të Poshtme, fshat në periferi të kryeqytetit. Kompanisë “Sunny Hill sh.p.k.” këtë ia ka mundësuar një kontratë e lidhur me Komunën e Prishtinës. Shfrytëzim deri në 99 vjet të 16.9 hektarëve, investim prej 6.6 milionë eurosh në pesë vjet nga kompania e mundësia që Komuna ta shfrytëzojë hapësirën jokomercialisht deri në 60 ditë në vit, janë pikat kryesore të marrëveshjes së lidhur në shkurt të vitit 2023.
Kontrata që ka mbyllur një histori të gjatë negociatash e përplasjesh është lidhur midis kryetarit të Komunës, Përparim Rama, dhe Dukagjin Lipës, si përfaqësues i kompanisë “Sunny Hill sh.p.k”. Në vitin 2022 qe bërë zhurmë e madhe kur organizatorët e festivalit, shkaku i mosmarrëveshjes me institucionin paralajmëruan mosmbajtjen e edicionit të atij viti e edhe zhvendosjen në Tiranë. Pushteti lokal me atë qendror qenë akuzuar mes vete shkaku i ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit të Komunës për dhënien e pronës në shfrytëzim. Më pas festivali po atë vit mbajti edicionin në Gërmi sikurse në vitet paraprake. Po ashtu një tjetër edicion në Tiranë, kurse më 2023 “Sunny Hill” njoftoi se nuk do të ketë edicion pasi po bëhen gati për vitin 2024.
Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, vendimet e Kuvendit të komunave i dërgohen Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për shqyrtimin e ligjshmërisë. Vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës i 15 majit të vitit 2022 nuk e kishte kaluar shqyrtimin e ligjshmërisë nga MAPL-ja. Ministria kishte kërkuar të dhëna shtesë. Për pasojë nuk ishte lidhur kontrata për shfrytëzim të pronës. Por më 2023, bazuar në po të njëjtin vendim të Kuvendit Komunal, të cilit nuk i është miratuar ligjshmëria, kryetari Përparim Rama ka nënshkruar kontratën me “Sunny Hill sh.p.k” për 16.9 hektarët në Bërnicë, ku prej vitit të kaluar është shtëpia e përhershme e “Sunny Hill Festivalit”.