Me seri aktivitetesh të ndryshme është shënuar edhe në kryeqytet Dita Botërore e Librit dhe të Drejtës Autoriale, por emërues i përbashkët i tyre ka qenë konstatimi se leximi nuk është në nivelin e duhur.
Madje për disa, shifrat janë brengosëse dhe radhitja e Kosovës në vendin e parë në Evropë sa i përket atij që quhet analfabetizëm funksional është dëshmi për këtë, shkruan sot “Koha Ditore”. Konsiderohet se mbi 40 për qind janë të tillë. Thirrje që shteti të përkrahë sa më shumë botime, pasurime bibliotekash e promovim të leximit janë bërë edhe nga vetë zyrtarët shtetërorë.
Presidenti Hashim Thaçi ka qenë njëri prej tyre. Ka thënë se institucionet kulturore dhe arsimore “duhet të bëjnë edhe më shumë për ta përkrahur librin, botuesin dhe lexuesin”. Mesazhin e tij e ka shkruar në rrjetin social Facebook, e dikur si kryeministër i vendit kishte premtuar zero-tatim për librin. E pikërisht teknologjia është konsideruar si një prej faktorëve që ka ndikuar në humbjen e vëmendjes për librin, përderisa është kritikuar mungesa e politikave shtetërore ndaj tij.
Edhe në të kaluarën, në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit – e caktuar nga UNESCO-ja që të jetë data 23 prill qysh në vitin 1995 – në Kosovë janë organizuar aktivitete për ta shënuar këtë ditë në promovim të leximit. Por së paku, sipas një raporti, del se ato nuk kanë pasur fort efekt.
“Disa të dhëna nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës tregojnë se brenda një viti botohen rreth 652 tituj të librave – për një milion banorë. Krahasuar me Britaninë e Madhe, vendi që kryeson me botimin e librave, del se në Kosovë mesatarisht botohen 2250 libra më pak – në një milion banorë”.
Për profesorin Avni Alidemaj, i cili bashkë me Besarta Breznicën është autor i raportit, pos nivelit të ulët të leximit, një tjetër gjë është edhe me shqetësuese. Ka të bëjë me atë që e ka hasur gjatë hartimit të raportit.
“Ka shumë gjëra që ndërlidhen edhe me faktorin e mashtrimit. Ka të bëjë me atë që thuhet se në 90 për qind të shtëpive tona lexohet. Ky është raport i drejtë e jo i zhdrejtë. Nëse 90 për qind të rasteve të shtëpive lexohet, atëherë do të kishte rezultat jashtëzakonisht të madh te të rinjtë”, ka thënë ai gjatë prezantimit të raportit.

Për këtë problematikë ka folur edhe sociologu Albert Mecini, i cili ka analizuar ndikimin e teknologjisë në përgjithësi sa i përket leximit të librave.
“Leximi është e drejtë e imja” ka qenë tema e sivjetme e Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit, e zgjedhur si mundësi për të shënuar 70-vjetorin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.
Te kjo çështje është lidhur deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, në një konferencë për media, ku ka folur për ditën që bota e shënon tash e 23 vjet. E ka quajtur të papranueshme mohimin e së drejtës së të rinjve të Kosovës për qasje në libra... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)