Prishtinë, 24 prill – “Veprimi i parë i Qeverisë sime në ndihmë të librit, autorëve dhe botuesve do të jetë heqja e barrës fiskale të TVSh-së”, kishte thënë Ramush Haradinaj, më 9 qershor të vitit 2018. Bile gjatë vizitës së tij në Panairin e Librit në Prishtinë kishte shtuar se është e pakuptimtë që libri të trajtohet si çdo mall tjetër. Fiks tre muaj më vonë është bërë kryeministër e taksa nuk është hequr ende. Për librin paguhet TVSh-ja. I vetmi dallim me “mallrat” tjera është se për librat e importuar nuk paguhet në doganë, por në shitje.
Dita Botërore e Librit e së Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta, 23 prilli, e ka gjetur këtë fushë në Kosovë duke u përballur me problemet e vjetra. Përderisa në një ngjarje kushtuar kësaj dite filloristët kanë dhënë arsye të forta se përse duhet lexuar, shteti ka ngelur prapa. Pos TVSh-së, për libra prej 8 për qind, Shoqata e Botuesve të Kosovës numëron edhe probleme të tjera. Ministria e Financave ka ndryshuar Ligjin për TVSh-në, duke i liruar librat prej tatimit. Por Projektligji është në Kuvend qysh prej tetorit të vitit të kaluar.
Në anën tjetër, ky nuk është problemi i vetëm për ata që merren me këtë industri.
Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka thënë se me dhimbje konstaton se organet përgjegjëse të kulturës janë në gjendje letargjie. Sipas tij, ato pak mjete që ndan Ministria e Kulturës shkojnë sipas interesave të anëtarëve të Këshillit të Librit. Ka thënë se disa komuna përpiqen të ndajnë nga pak mjete, por prapë pothuajse në shuma që duken si lëmoshë e që të marra së bashku, të gjitha, janë thjesht ca metra asfalt si shumë.
Sipas tij, duhet të krijohen politika që stimulojnë botuesit, autorët, letërsinë. Ka thënë se rifunksionalizimi i rrjetit bibliotekar është me rëndësi kyçe.
Sa i përket interesimit për librin e lexueshmërinë, ai ka thënë se statistikat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës jep një trend jashtëzakonisht negativ të lexuesve në bibliotekat publike. Ka thënë se të dhënat flasin për 120 mijë lexues më pak nga viti në vit.
Si çdo vit për Ditën Botërore të Librit, një mesazh të martën e ka pasur edhe drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay. Kjo ditë shënohet qysh prej vitit 1995. Në mesazhin e saj Azoulay ka shkruar se librat ndihmojnë në rritjen e humanizmit te njerëzit.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")