Raporti – gjetjet e të cilit janë rikthyer të mërkurën si temë diskutimi e që, ndër të tjera, ka nxjerrë se më shumë se gjysma nuk kanë fare kontakt me librin – është konsideruar si alarm për shoqërinë. Institucioneve u është kërkuar qasje tjetër, e një tjetër e dhënë ka dalë prej arsyetimeve të të anketuarve. “67.5 për qind e qytetarëve thonë se nuk kanë kohë të lirë për të lexuar dhe insistojnë se do të kishin lexuar më shumë nëse do të kishin më shumë kohë të lirë”, shkruhet në Raportin e organizatës ETEA
Një numër faktorësh janë parë si burim i të dhënave që nxjerrin në pah se gjysma e popullsisë në Kosovë nuk kanë kontakt me librin. Hulumtimi i cili shpërfaq se 52.24 e të anketuarve as deklarativisht nuk arrijnë t’i listojnë tre tituj librash në total, është parë si e dhënë që duhet të ndikojë në qasjen që kanë institucionet, por edhe shtëpitë botuese në raport me librin dhe leximin. Prezantimi i shifrave është parë edhe si e dhënë alarmante.
Organizata ETEA bashkë me librarinë “Dukagjini” të mërkurën kanë shpalosur raportin “Niveli i të lexuarit në Kosovë: Sfidat në të kultivuarit e kulturës së leximit”. Hulumtuesit Shaha Hyseni dhe Taulant Gashi kanë shpalosur të dhënat që tregojnë se 16.6 për qind e qytetarëve thonë se nuk lexojnë asnjë libër në vit, derisa 38.3 për qind thonë se lexojnë vetëm 1 deri në 3 libra në vit.
“Sipas hulumtimit, 31.29 për qind e qytetarëve nuk janë në gjendje të kujtojnë asnjë prej tre librave të fundit të lexuar”, ka treguar Gashi. Sipas Raportit, 11.3 për qind mund ta përmendin vetëm një titull libri, kurse 11.37 për qind dinë t’i përmendin dy tituj. Të dhënat tregojnë 52.24 për qind nuk arrijnë t’i listojnë tre tituj librash në total. Sipas Raportit – një pjesë e të cilit është shpalosur para dhjetë ditësh në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit – për nivelin e ulët të leximit dhe mungesës së kulturës së leximit, qytetarët e Kosovës, në shumicë, kanë arsyetimin e njëjtë: “67.5 për qind e qytetarëve thonë se nuk kanë kohë të lirë për të lexuar dhe insistojnë se do të kishin lexuar më shumë nëse do të kishin më shumë kohë të lirë”, shkruhet në Raport. Prej tyre, 20.7 për qind janë përgjigjur se do të lexonin një libër në kohë të lirë, derisa 45.8 për qind preferojnë të shohin program argëtues, e 33.5 për qind zgjedhin të bëjnë aktivitet sportiv.
Sipas hulumtuesve, gjendja ekonomike në bazë të anketimit nuk mund të thuhet se ka ndikim direkt në raport me dëshirën për lexim. Gjendjen ekonomike e kanë ranguar si ndikues indirekt. Të dhënat flasin se në shumicë qytetarët mendojnë se librat nuk janë të shtrenjtë, përderisa libraritë e botuesit e thonë të kundërtën.
Sipas ETEA-s, për të gjetur nivelin e leximit dhe kulturës së të lexuarit në Republikën e Kosovës është përdorur metoda e kombinuar, sasiore dhe cilësore. Përfaqësuesit e organizatës kanë sqaruar se nëpërmjet anketave, fokus grupeve dhe intervistave, kanë nxjerrë të dhëna nga 14 komuna të Republikës së Kosovës. Aty përfshihen Prishtina, Obiliqi, Mitrovica, Skenderaj, Peja, Klina, Gjakova, Juniku, Prizreni, Mamusha, Gjilani, Kamenica, Ferizaj dhe Hani i Elezit. Sa i përket leximit, sipas të dhënave prin Gjakova, kurse në raport me gjinitë, prin ajo femërore.
Sipas kësaj organizate, interesimi i zbehtë për aktivitetet kulturore që në qendër të vëmendjes e kanë librin përkthehet edhe në numra të ulët të mesatares së librave të lexuar për vit. Në hulumtim janë përfshirë gjithsejtë 1486 respondentë.
Pas prezantimit të Raportit, organizatorët kanë qenë nikoqirë të katër panelistëve që kanë diskutuar mbi kulturën e leximit në Kosovë.
Anëtari korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Bardh Rugova, psikologia Arlinda Gashi, sociologu e profesori Artan Krasniqi dhe shkrimtarja e profesoresha Majlinda Bregasi kanë shprehur pikëpamjet e tyre në raport me kulturën e leximit në Kosovë.
Rugova ka thënë se të dhënat e shpalosura në Raport janë një gjë që të gjithë e kanë paramenduar. Por Raporti tashmë e vërteton këtë. Ka marrë shembull se si në shtëpinë e tij librat janë të dukshëm. Por ka thënë se në rastin e tij, fëmijëve është dashur që t’u ofrohet përtej librave që ishin në shtëpi në mënyrë që të lidhen me leximin.
“Varet çfarë ofrohet për të lexuar. Duhet mësuar fëmijët që leximi është qejf e jo obligim”, ka thënë ai. Sipas tij, janë disa kategori që konsiderojnë se nuk kanë nevojë për lexim. Në këtë rast ka përmendur shtresën shumë të pasur. “Ata mendojnë se dinë mjaftueshëm”, ka thënë ai. Sipas gjuhëtarit, leximi në gjuhën angleze ka bërë që fëmijët të ndihen më rehat kur shkruajnë në anglisht sesa në shqip. Rugova ka përmendur se ekziston edhe Këshilli i Librit në kuadër të Ministrisë së Kulturës. Por e ka kritikuar këtë organ. Ka thënë se bazohen në një rregullore sa i përket numrit të veprave që mund t’ia financojnë një shtëpie botuese e nuk shkojnë më larg. “Nuk vlerësohet cilësia e veprave që financojnë”, ka thënë ai.
Psikologia Arlinda Gashi ka thënë se hulumtimet sikurse ky i ETEA-s janë bazë e mirë për të gjetur mënyra se si institucionet e shoqëria t’i qasen problemit të leximit.
“Gjetjet janë alarmante. Të ofruarit e kulturës së leximit është faktor kyç”, ka thënë ajo. Sipas Gashit, institucionet duhet të rimendojnë se si duhet t’i qasen kulturës së leximit, sidomos në raport me fëmijët.
Shkrimtarja Majlinda Bregasi ka thënë se dallimi midis përmbajtjes së literaturës për lexim te fëmijët në Kosovë në raport me shtetet evropiane është shumë i madh. Ka thënë se djali i saj në Itali lexon literaturë krejt me përmbajtje tjetër për moshën e tij. E ka pasur fjalën për veprat letrare që nxënësit e kanë për obligim t’i lexojnë si filloristë.
“Lektyrat shkollore janë të parat. Rrotullohet e gjithë bota, e këtu lektyrat nuk lëvizin”, ka thënë ajo.
E sociologu Artan Krasniqi ka thënë se shpreson shumë që Raporti të jetë në shërbim të institucioneve që të ndërrojnë politikat për këtë çështje. Sipas tij, janë dy grupe faktorësh që bëjnë që leximi të jetë në këtë nivel.
“Mikrofaktorë janë familja e grupmosha. Makrofaktorët janë shkollat e mediat”, ka thënë ai. Ka marrë shembull se si gjeneratat më të vjetra nuk kanë pasur ndonjë traditë leximi, përderisa pas Luftës së Dytë Botërore leximi ka nisur të jetë më i pranishëm. Sipas tij, ndikimin më të madh e ka sistemi i edukimit. Sa u përket mediave, ka thënë se ato nuk mund të ngarkohen me përgjegjësinë që zakonisht u vishet.
“Te e fundit, mediat japin atë që kërkohet të shikohet”, ka thënë ai duke marrë shembull edhe personazhet e spektakleve që shikohen në masë. Sipas Krasniqit, Raporti është edhe një bazë që mund të shërbejë për planet e ardhshme të shtëpive botuese.