“Destinacion në zhvillim i filmit në Evropë”, është thirrja që bën Kosova në Tregun Evropian të Filmit në Festivalin e Filmit në Berlin, përderisa fuqizon edhe ofertën e rabatit prej 30 përqindësh për produksionet e huaja. Ndryshe prej vitit të kaluar, kur u prezantua edhe me film, aktorja Fatlume Bunjaku është një prej figurave të suksesshme në fushën e saj duke u prezantuar atje si një nga dhjetë “Shooting Stars” e Leart Rama po merr pjesë në “Berlinale Talents”, që konsiderohet si katalizator i vërtetë për karrierën e filmbërësve të rinj
Tregu Evropian i Filmit në edicionin e 76-të të “Berlinales” tashmë i ka hapur dyert e Qendra Kinematografike e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, si tradicionalisht, ndajnë shtandin e përbashkët. Në njërën prej skenave më të rëndësishme të industrisë së filmit botëror, Kosova po prezantohet si realitet krijues me zë, identitet dhe vizion përherë në ngritje. “Europe’s Emerging Film Destinacion” (Destinacion në zhvillim i filmit në Evropë) është motoja që bie në sy në afishen e Kosovës, krahas rabatit 30- përqindësh për produksionet e huaja, një politikë shtatërore qysh prej fundit të vitit 2024.
Nga QKK-ja kanë vlerësuar se pjesëmarrja në këtë ngjarje e rrit dukshmërinë e Kosovës në Tregun Ndërkombëtar të Filmit, që po mbahet prej 12 deri më 18 shkurt.
Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, potenciali kinematografik i vendit është i pranishëm thuaja në çdo edicion të tij. Vitin e kaluar, aty e pati premierën botërore filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” i Alban Mujës. Sivjet, ndonëse në programin zyrtar nuk ka një rrëfim që vjen nëpërmjet filmit, aktorja Fatlume Bunjaku është një prej figurave të suksesshme në fushën e saj duke u prezantuar atje si një nga dhjetë “Shooting Stars” të shpallur dhjetorin që shkoi.
E këtë janar një tjetër talent i kinematografisë nga Kosova mori ftesën për në ngjarjen prestigjioze të botës kinematografike. Leart Rama po merr pjesë në “Berlinale Talents”, që konsiderohet si katalizator i vërtetë për karrierën e filmbërësve të rinj.
Me gjithë dromcat që prezantojnë krijimtarinë filmike të Kosovës, pjesëmarrja e Qendrës Kinematografike të Kosovës në Tregun e Filmit Evropian nuk është thjesht prezencë institucionale. Është moment ideal e unik për ta çuar përpara e për ta avancuar më tej kinematografinë vendore. Është edhe një lloj deklarate kulturore, artistike e strategjike për vendin.
Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në Qendrën Kinematografike të Kosovës, Albana Nila, ka thënë se ka interesim për këtë institucion dhe se veçse po zhvillohen takime në kuadër të Tregut Evropian të Filmit.
“Gjatë marketit po zhvillohen takime me producentë, kompani produksioni dhe partnerë potencialë. Qëllimi është krijimi i bashkëprodhimeve, tërheqja e investimeve të huaja dhe forcimi i rrjeteve profesionale. Marrëveshjet zakonisht finalizohen pas fazës së negociatave, por interesimi është i pranishëm”, ka thënë ajo në një përgjigje për KOHËN nga Berlini.
“European Film Market” është një nga tregjet më të mëdha të filmit në botë, ku vendosen marrëveshje bashkëprodhimi, shitjeje dhe financimi. Për kinematografinë e vendit kjo hapësirë është thelbësore. Aty krijohen mundësi që filmat e Kosovës të gjejnë partnerë strategjikë, të sigurojnë distribuim ndërkombëtar dhe të promovohen duke rritur mundësitë për pjesëmarrje në festivale të rëndësishme. Çdo vit pjesëmarrjeje në këtë ngjarje e konsolidon imazhin e vendit si partner serioz në industrinë audiovizuale evropiane.
“Ne prezantojmë projektet dhe filmat kosovarë, si dhe promovojmë potencialin e industrisë sonë audiovizuale. Po ashtu, këtë vit kemi një prezencë të rëndësishme artistike: aktorja kosovare Fatlume Bunjaku është përzgjedhur si pjesë e programit ’Shooting Stars’, ndërsa regjisori Leart Rama është pjesë e ‘Berlinale Talents’”, është shprehur Albana Nila.
Sipas saj, i gjithë ky prezantim në kuadër të segmenteve të ndryshme të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, “e rrit dukshëm dukshmërinë e Kosovës në tregun ndërkombëtar”.
Për përfaqësuesit vendorë të industrisë së filmit, tregu mundëson edhe të kuptohen trendët e rinj. Nila ka thënë se Kosova po prezantohet si vend joshës për xhirime të huaja. Ka bërë me dije se në treg po promovohet skena e rabatit për investitorë të huaj ngase, sipas saj, vitin e kaluar kishte rezultuar suksesshëm.
“Dy vjetët e fundit kemi promovuar intensivisht skemën e rabatit për investitorë të huaj, duke e paraqitur Kosovën si destinacion të ri dhe konkurrues për prodhime ndërkombëtare. Skema ka rezultuar me interesim konkret dhe projekte gjatë vitit të kaluar, dhe synojmë që këtë vit të zgjerojmë më tej bashkëpunimet”, ka thënë ajo.
Qeveria e Kosovës në nëntorin e vitit 2024 kishte miratuar Rregulloren për të drejtën e rabatit. Kompanitë e huaja që investojnë dhe shpenzojnë drejtpërdrejt në Kosovë për projektet e tyre, rimbursohen me 30 për qind të vlerës së investimit. Ta zëmë, nëse një kompani audiovizuale shpenzon në Kosovë 1 milion euro për film, serial, videolojëra a reklamë, shteti do t’ia kthejë 300 mijë euro. Viti i kaluar qe test për efektet e aplikimit të rabatit në industrinë e filmit. Rezultati i publikuar në janar qe se 1.6 milionë euro ishin investuar në Kosovë përderisa prinin reklamat. Produksione të huaja kishin lidhur kontrata në Kosovë për një serial televiziv, një film i metrazhit të gjatë, një film i metrazhit të shkurtër dhe 7 reklama televizive.
Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në Qendrën Kinematografike të Kosovës, Albana Nila, ka përshkruar atmosferën në Tregun e Filmit Evropian.
“Atmosfera është shumë dinamike dhe profesionale. Shtandi i përbashkët ka tërhequr interesim të vazhdueshëm nga profesionistë të industrisë, sidomos për projektet e reja dhe për mundësitë që ofron rajoni në aspektin e bashkëprodhimeve dhe xhirimeve. Prezenca e talenteve kosovare këtë vit e ka shtuar edhe më shumë vëmendjen ndaj nesh”, ka thënë ajo.
Tregu Evropian i Filmit është një nga tri vendet kryesore të takimit të industrive ndërkombëtare të filmit dhe medias. Lidhjet e tij të ngushta me “Berlinalen”, si një festival publik filmi dhe pozicioni i tij në zemër të ekonomisë së gjallë krijuese të Berlinit, janë karakteristika përcaktuese të tregut të filmit. Përshkruhet si më shumë sesa thjesht treg i shkathët për tregtimin e përmbajtjes filmike dhe audiovizuale, gjithashtu është pozicionuar si një platformë për inovacion dhe ndryshim. Mbi 10 mijë përfaqësues të industrive ndërkombëtare të filmit dhe medias – kryesisht producentë, blerës dhe agjentë shitjesh, distributorë dhe financues – mblidhen së bashku për të krijuar rrjete, për të shkëmbyer, për t’u informuar dhe për të bërë biznes.
Prania e QKK-së në Tregun e Filmit Evropian është mundësi konkrete për të ndërtuar bashkëpunim me producentë, për të siguruar fonde ndërkombëtare dhe jo vetëm.
E, filmi i Kosovës s’është i panjohur. Më 2019, dokumentari “Në mes” në regji të Samir Karahodës e kishte çuar Kosovën për herë të parë në konkurrencën zyrtare në “Berlinale”, ku edhe pati premierën botërore. Emri i Kosovës në këtë Festival ishte dëgjuar edhe nëpërmjet filmave të Visar Morinës, “Exil” e “Babai”, përderisa aktorët Ilire Vinca e Çun Lajçi ishin të parët nga Kosova të cilët në shkurtin e vitit 2011 parakaluan në tepihun e kuq të “Berlinale”. Atje i çoi filmi ku ata luajtën, “Falja e gjakut” në regji të Joshua Martsonit, i cili shkroi edhe skenarin bashkë me Andamion Muratajn.
Lexo edhe: