Kulturë

Leart Rama në “Berlinale Talents” si regjisor me potencial

“Berlinale Talents”

“Prej kur kam qenë shumë më i ri e kam pasur si një trampolinë, si ide për ‘Berlinale Talents’, që kam nevojë të shkoj dhe të përzgjidhem ndonjëherë, sepse për karrierën time, për profesionin tim, është shumë i rëndësishëm. Jo vetëm për mua, por për të gjithë filmbërësit dhe për ata që merren me filma, sepse është mediumi më i madh në botë për zhvillimin e talenteve”, ka thënë regjisori Leart Rama

Në botën e kinemasë talenti mund të ecë paralelisht me pasigurinë dhe konkurrencën e ashpër. E “Berlinale Talents” është katalizator i vërtetë për karrierën e filmbërësve të rinj. Një lloj sigurie të karrierës e ka regjisori, skenaristi e producenti Leart Rama. Në programin e festivalit prestigjioz “Berlinale”, Rama ka ëndërruar kaherë të bashkohet. E këtë herë bashkëpunimi ka ardhur në kohën ideale për karrierën e tij.

Programi prestigjioz i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, prej më shumë se dy dekadash shërbim si laborator idesh, rrjetëzimi edhe i formimit profesional të krijuesve nga e gjithë bota. I 24-ti edicion i programit e përfshin edhe talentin e Ramës, midis 200 artistëve të tjerë të rinj.

Përzgjedhja e kineastit nga Prishtina, Leart Rama, është njohje e hershme e potencialit të tij krijues. Por jo e rastësishme përzgjedhja për edicionin e sivjetmë në programin unik të “Berlinales”.

Ndonëse ai ka karrierë shumëdimensionale në film si regjisor, producent, skenarist dhe jo vetëm, por edhe si DJ e producent i muzikës elektronike, në “Berlinale Talents” profili i tij është si regjisor. Në profilin e tij në ueb-faqen e kësaj platforme shkruhet se  ai “jeton midis ekranit dhe sistemeve të zërit. Nga imazhet lëvizëse te trupat që lëvizin”.

E dëshmi e përzgjedhjes së tij janë projektet në të cilat ka kontribuar me aftësitë e tij artistike: te dokumentari i shkurtër “Stacioni” i 2017-s si regjisor, sikurse edhe tek dokumentari tjetër i shkurtër “Corona Diary” i 2020-s, tek “4 Pills at Night” i 2021-s si regjisor, skenarist e dizajner zërimi, te “Life aftër a lifetime and endless rebirths” i vitit të kaluar, si regjisor e skenarist. Skenarist është edhe tek filmi “I have never been on an airplane” i vitit të kaluar.

Në preproduksion është filmi i tij “Dua të shkoj sërish në det”, ku Rama është regjisor e skenarist, me producenten Valmira Hyseni. Për Leart Ramën, “Berlinale Talents” ka ardhur në kohën e duhur dhe se është vendi i duhur për të kuptuar pyetjet dhe qartësuar dyshimet që përpiqet t’i kuptojë nëpërmjet filmit.

“Është filmi im i gjatë fiksion si regjisor dhe për këtë film jam duke punuar prej më shumë se tetë vjet. Gjatë këtij viti do të dalim me xhirimet e filmit. Filmi e ka emrin ‘Dua të shkoj sërish në det’ dhe në një formë është filmi i gjatë i filmit tim të fundit ‘Four pills at night’. Është disi një botë e njëjtë midis njëra-tjetrës. Mendoj që ka ardhur në kohën e duhur ‘Berlinale Talents’, sepse  kam shumëçka të kërkoj, të mësoj, të gjej dhe të takoj njerëz”, ka thënë ai për KOHËN.

Është shprehur se pjesëmarrja në këtë platformë do të jetë shumë produktive për punën e tij me filmin që pritet të nisë xhirimet pas disa muajsh.

“E kam një cak të caktuar që do më hyj shumë në punë si platformë. Nëse do të isha përzgjedhur viteve të kaluara nuk do të ishte kaq në kohë sa këtë vit sepse menjëherë si ta kryej, pas disa muajsh do të hyj në xhirime dhe mendoj se do të më hyjë në punë tepër shumë”, ka thënë Rama më tej.

“Berlinale Talents” sivjet zhvillohet prej 13 deri më 18 shkurt, paralelisht me festivalin prestigjioz “Berlinale”, i cili mban edicionin e 76-të prej 12 deri më 22 të të njëjtit muaj. Ngjarja vjen përherë me një temë që e ilustron secili edicion. Sivjet vjen me “Creating (and) Confusion - Cinema, Chaos and the Power of Discomfort”.

Regjisori Rama e konsideron shumë të rëndësishme për karrierën e tij pjesëmarrjen aty.

“Prej kur kam qenë shumë më i ri e kam pasur si një trampolinë, si ide për ‘Berlinale Talents’, që kam nevojë të shkoj dhe të përzgjidhem ndonjëherë sepse për karrierën time, për profesionin tim, është shumë i rëndësishëm. Jo vetëm për mua, por për të gjithë filmbërësit dhe për ata që merren me filma, sepse është mediumi më i madh në botë për zhvillimin e talenteve”, ka thënë ai.

Pos përzgjedhjes para filmit të tij të parë të metrazhit të gjatë fiksion, ‘timing’ perfekt i selektimit të tij është edhe tema e cila, siç ka thënë Rama, ndërlidhet me veprimtarinë e tij.

“E kam pasur ëndërr të kamotshme dhe mendoj se gjatë vitit 2026 ka qenë momenti im i duhur për të marrë pjesë. Sidomos që sivjet tema është ‘Creating (and) Confusion - Cinema, Chaos and the Power of Discomfort’ dhe filmat e punën që e bëj lidhen shumë mirë me temën që është përzgjedhur. Mënyra se si i bëj filmat është pikërisht kjo, të krijoj konfuzion. Mezi pres të shkoj, të takoj njerëz të rinj dhe të shoh se çfarë vjen pas kësaj”, është shprehur regjisori Rama.

Në kuadër të këtij programi në kuadër të “Berlinales” pranohet një numër  pjesëmarrësish nga mijëra aplikime. Kështu, duke dëshmuar se ky proces i përzgjedhjes është një lloj filtri i cilësisë dhe vizionit artistik.

Gjatë ditëve të kësaj ngjarjeje, pjesëmarrësit do të përfshihen në masterklasa, panele diskutimi, punëtori praktike e biseda të hapura me regjisorë, producentë, skenaristë e profesionistë të industrisë prej më  të njohurve në botë, siç bëhet e ditur nga “Berlinale Talents”. Shkruhet se ato nuk janë thjesht leksione teorike, por shkëmbime reale për procesin krijues, dështimet, kompromiset dhe strategjitë e mbijetesës në industrinë filmike. Shihet edhe si një lloj ndihmese në qartësimin e identitetit artistik.

Ende nuk është bërë e ditur se si janë ndarë e menduar aktivitetet e sivjetme, por Leart Rama si pjesëmarrës në cilësinë e regjisorit, ka thënë se në këtë drejtim do ta bëjë gjithë aktivitetin për zhvillimin e karrierës së tij.

Ky angazhim i tij ia jep titullin “Berlinale Alumni”.

“Kjo është gjë shumë e mirë, sepse prej tash e tutje unë do ta kem titullin ‘Berlinale Alumni’ dhe gjatë tërë karrierës sime do të kem me çfarë të merrem në këtë hapësirë. Do të jetë shumë më e lehtë ndoshta për karrierën time, duke qenë se do ta kem këtë titull. Është kënaqësi shumë e madhe sepse prej afro tre mijë e 500 aplikuesve, unë jam njëri prej të përzgjedhurve. Veç kjo është motivim të vazhdoj të punoj e motivim që dikush po e sheh punën tënde dhe po e vlerëson”, është shprehur regjisori Leart Rama, prej shumë vjetësh pjesë e programeve të ndryshme të festivalit “DokuFest”, tashmë me emër në skenën ndërkombëtare të kinematografisë.

Të kesh këtë titull fillimisht do të thotë se veçse ke marrë pjesë në “Berlinale Talents”. E më pas, se regjisorët me projekte dokumentarësh, filma fiktivë a seriale dramatike mund të aplikojnë në “Berlinale Talents Lab”.

“Berlinale Talents” krijon kushte që zëri artistik të dëgjohet. Për regjisorin Leart Rama, janë jo thjesht dyer që hapen, por edhe një lloj vetëdije se është gati të trokasë në to.