Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Neo School” ndez ekranin me pesë projekte të kinematografëve të rinj

Kino Armata

Hapësirat e kinemasë “Armata” kanë qenë sheshxhirimi i vetëm i pjesëmarrësve. E gjithë kronologjia e rrjedhës së punëtorisë “Skena” ka kulmuar me shfaqjen e punës së pesë të zgjedhurve për të marrë pjesë në atë që është konsideruar si platformë e rëndësishme për zhvillimin e talentëve të rinj të kinematografisë së vendit

Ekrani i kinemasë është ndezur për ta projektuar kreativitetin e pesë regjisorëve të rinj në projektet e tyre si filma të shkurtër. Për regjisorë të karrierës, secila prej tyre mund të jetë nga një skenë filmi, por për ata që sapo kanë hyrë në botën e filmit, është hap i parë i afirmimit të tyre drejt kinematografisë. Kjo natë përmbyllëse solli para publikut një mozaik temash, qasjesh estetike dhe kërkimesh personale, të ndërtuara gjatë tri javëve të punës intensive

Punëtoria “Skena” që qe bërë sebep që dyert e kinemasë “Armata” të hapen prej 2 deri më 21 mars për nxënie dhe zhvillim të njohurive e shkathtësive për filmbërje, ka kulmuar të shtunën mbrëma. Ekrani i kinemasë është ndezur për ta projektuar kreativitetin e pesë regjisorëve të rinj në projektet e tyre si filma të shkurtër. Për regjisorë të karrierës, secila prej tyre mund të jetë nga një skenë filmi, por për ata që sapo kanë hyrë në botën e filmit, është hap i parë i afirmimit të tyre drejt kinematografisë. 
Kjo natë përmbyllëse solli para publikut një mozaik temash, qasjesh estetike dhe kërkimesh personale, të ndërtuara gjatë tri javëve të punës intensive.

Koordinatorja e programit të filmave në kinemanë “Armata”, Blerta Haziraj, e ka konsideruar ngjarjen si shumë emocionuese dhe të veçantë. Me këtë ngjarje edhe është shënuar nata përmbyllëse e programit edukativ të kinemasë – “Neo School”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ka qenë një punëtori e ngjeshur me ligjërata të cilat kanë nisur me mentorimin e regjisorit Visar Morina, me të cilin këto ditë regjisorët e rinj kanë pasur mundësi të punojnë në zhvillimin e skenarit. Kanë bërë analiza dramaturgjike dhe kanë punuar me aktorë profesionistë. Pastaj kemi hyrë në xhirime. Të pranishëm gjatë gjithë ditëve të xhirimeve e kemi pasur Kushtrim Haxhën, i cili ka asistuar studentët me xhirimet e tyre”, është shprehur ajo duke përmendur gjithashtu angazhimin e dy mentorëve tjerë – kinematografin Leart Rama dhe montazhierit Enis Saraçi. 

Sipas Hazirajt, “Kino ‘Armata’ vazhdon të sjellë një platformë ku regjisorët e rinj dhe entuziastë të filmit vijnë dhe bëhen bashkë, shkëmbejnë ide dhe punë ekipore”. Sipas saj, pesë filmat e prezantuar  të shtunën mbrëma, janë rezultat i gjithë këtij angazhimi.

Filmat e shfaqur kanë dëshmuar për perspektiva e përvoja personale të autorëve të rinj. 

“Orkestër shurdhuese” nga Albulena Cakaj ka sjellë një situatë të mbushur me zhurmë në një hapësirë ku qetësia është e domosdoshme. Me pamje statike dhe një rrëmujë të pafund në rreshtat e ulëseve të kinemasë, filmi reflekton mbi përditshmërinë dhe mungesën e vetëdijes kolektive. 

“Në aplikim e kam parë që xhirimet janë të kufizuara në hapësirën e ‘Armatës’ dhe kam dashur ta lidh me eksperiencën qe kam brenda saj ku vij me motrën dhe me shoqe për të parë filma dhe nganjëherë bëjmë më shumë zhurmë se zakonisht. Natyrisht, pa qëllim. Gjatë provës, ideja ka qenë e njëjtë, por mënyra sesi është shfaqur skena është pak më ndryshe”, është shprehur ajo derisa ka folur për filmin e saj në atë që ka qenë si një lloj diskutimi publik për filmat e punuar. 

Sipas saj, punëtoria ka qenë hapësirë e frytshme për të shprehur veten nëpërmjet punës kinematografike. 

“Normal që prej fillimit më ka ndryshuar mënyra e tregimit por tema ka mbetur e njëjtë. Interesante është sesi për të gjitha projektet kemi punuar sikur për tonin. Kjo është ajo që do më mbetet më së shumti në mendje”, ka thënë Cakaj më tej. 

Në “Tjera kohë”, Elita Tmava hap një dialog mes dy grave të brezave të ndryshëm, duke reflektuar mbi dallimet mes të kaluarës dhe së tashmes. Përmes personazhit të interpretuar nga Rebeka Qena, filmi sjell një këndvështrim mbi një kohë pa liri dhe pa mundësi për gratë, por edhe mbi normat që ende vazhdojnë.  

“Çdo herë që kam ardhur në Kosovë, disa teze dhe halla më kanë pyetur për martesë, lidhje e këto gjëra për të cilat gjithmonë jam çuditur sepse nuk jam mësuar me to. Gjithmonë kam dashur të di se pse më është thënë ashtu dhe për idenë pas saj. Prandaj e kam trajtuar këtë në film”, ka theksuar ajo duke shtuar se ka zhvendosur fokusin e filmit të saj për të kuptuar arsyet pas këtyre qëndrimeve. 
“Hin, mos hin” nga Blerta Ibrahimi ndërton një atmosferë mistike dhe pasigurie rreth një audicioni të mundshëm, duke e lënë publikun në pikëpyetje mbi vendimin e personazhit kryesor. Filmi, i vetmi pa dialog, luan me heshtjen dhe ambiguitetin. 

Kur e kam parë njoftimin se jemi të kufizuar të xhirojmë në ‘Armatë’, gjëja e parë që më ka rënë në mend ka qenë se çfarë mundet të ndodhë në kinema? Ndoshta një audicion! Pastaj është zhvilluar si karakter kryesor. Kam dashur ta bëj një person që ndoshta është duke pasur pak humbje të vetëbesimit”, është shprehur Ibrahimi duke pranuar edhe ndryshimet e fundit në stilin e xhirimit.

“Është zhvilluar goxha si ide dhe ka ndërruar shumë prej idesë së parë ku kam pasur shumë më shumë karaktere. Besoj që me Visarin e kemi zhvilluar goxha shumë këtë pjesën e idesë. Domethënë e kam ndërruar stilin e xhirimit në diitën e fundit, nuk e di a ka qenë gjë e mirë, por jam krenare që e kam bërë”, ka bërë me dije ajo. 

“Mother Tongue” nga Blendi Mushkolaj hapet me një atmosferë të tensionuar nga dridhjet e vazhdueshme të telefonit, që ndërpresin një lloj monologu të brendshëm. Telefonatat marrin përgjigje, por nuk shndërrohen në komunikim, krijojnë një ndjesi izolimi dhe tensioni.

Ideja ka ardhur më shumë prej observimit, qoftë tërheqja, qoftë rreth meje, por më shumë duke dashur të zbuloj se si relacioni i moralit në seksualitet e ka gjetur një mënyrë të integrohet në shoqëri. Jam munduar të zbuloj se kah mundet të vij dhe sesi mund të shtjellohet më tutje”, ka thënë Mushkolaj duke theksuar rëndësinë e punës në grup gjatë procesit.

“Ka qenë intensive, ka pasur shume ndryshime, por për mua ka qenë më e rëndësishmja puna në grup sepse nëse ajo nuk do të ndodhte, nuk e di se çfarë do të prezantonim sot”, shtuar ai. 

E filmi i shkkurtë “Shhh…” nga Arba Bunjaku fokusohet në një vajzë të re në sallën e kinemasë, e bezdisur nga një zë i njohur nga e kaluara. Filmi shfaq historinë e përndjekjes dhe normalizim të frikshëm të pranisë së padëshiruar. Ndonëse frikësohet, nuk habitet aspak nga përndjekësi i përditshëm. 

“Ideja për filmin tim është më shumë si observim që e kam bërë në përditshmëri. Kam dashur të bëj një situatë që i tregon njerëzit ashtu siç janë, pa pasur nevojë për shpjegime”, është shprehur autorja duke shtuar se procesi ka qenë intensiv dhe bashkëpunues.

“Kam mësuar të mësoj prej mentorëve tanë dhe kolegëve të dashur. Ka qenë diçka që nuk mendoj që njerëzit kanë shpesh fatin ta përjetojnë. Cdo fjalë, këshillë nga mentorët, producentët, i ka bërë këta filma ashtu siç janë”, ka thënë ajo më tutje. 

Mentor kryesor i punëtorisë ka qenë regjisori Visar Morina. Ai i ka  shoqëruar studentët prej idesë fillestare te zhvillimi i skenarit e deri te xhirimi i fundit. Për disa ditë rresht, pjesëmarrësit kanë marrë leksione nga ligjëratat e regjisorit Morina. Mentori teknik për kamerë, ndriçim dhe zë ka qenë kinematografi Leart Rama, i cili i ka njoftuar studentët me mjetet, teknikat dhe proceset e punës në produksion filmik. 

Mentor i montazhit ka qenë Enis Saraçi, montazher i shumë filmave të suksesshëm nga vendi. Përpos një ditë ligjërate e veçantë, Saraçi gjithashtu ka mbikëqyrë punën e të gjithë pjesëmarrësve në fazën e montimit të skenës së filmit të tyre. E regjisori Kushtrim Haxha ka qenë mbikëqyrës i kamerës dhe setit për çdo ditë punë të regjisorëve të rinj. Ai i ka udhëzuar dhe trajnuar pjesëmarrësit duke dhënë udhëzime dhe këshilla gjatë gjithë procesit. 

Hapësirat e kinemasë “Armata” kanë qenë sheshxhirimi i vetëm i pjesëmarrësve. E gjithë kronologjia e rrjedhës së punëtorisë “Skena” ka kulmuar me shfaqjen e punës së pesë të zgjedhurve për të marrë pjesë në atë që është konsideruar si platformë e rëndësishme për zhvillimin e talentëve të rinj të kinematografisë së vendit.