Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Life...” në ditën pa viza për Kosovën, premtues në skenën botërore

Pamje nga filmi "Life After a Lifetime and Endless Rebirths"

Historia e “Life After a Lifetime and Endless Rebirths” zhvillohet në një kohë shumë konkrete për Kosovën – në natën e Vitit të Ri dhe në ditën kur hyn në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës

Prej 16 shtatorit, “Life after a lifetime and endless rebirths” i Leart Ramës që nis në natën e Vitit të Ri e në ditën e liberalizimit të vizave për Kosovën largohet nga konteksti i saj lokal për të hyrë në hapësirën ku filmat udhëtojnë pa pasaportë. Do të jepet premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Oldenburg të Gjermanisë. Ky është fillimi i rrugëtimit të këtij filmi të shkurtër, Rama mezi pret reagimin e publikut, por nuk do të jetë në premierë, sepse data e premierës ka edhe një tjetër simbolikë: po atë ditë nis xhirimet e filmit të tij të parë të gjatë

Një vit pas zhdukjes së Blinit, një natë në Berlin bëhet udhëtim midis kujtesës, humbjes dhe iluzionit për Dean. Por, derisa personazhi kërkon një lloj përmbylljeje në mesin e të panjohurve, filmi që e rrëfen këtë histori nis një tjetër udhëtim – atë përtej kufijve të Kosovës. 

“Life after a lifetime and endless rebirths” i Leart Ramës e nis këtë shtator rrugëtimin e tij kinematografik ndërkombëtar, me premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Oldenburg të Gjermanisë.

Filmi i shkurtër, i përfunduar vitin e kaluar është përzgjedhur në programin zyrtar të edicionit të 33-të të festivalit, i cili mbahet prej 16 deri më 20 shtator. Sipas të dhënave të festivalit, Oldenburgu është hapësirë e përqendruar në zbulimin e autorëve të rinj dhe në veprat e guximshme e novatore të kinemasë së pavarur nga e gjithë bota. Programi i tij përfshin filma të metrazhit të gjatë, të shkurtër e dokumentarë dhe ndër vite është shndërruar në një prej pikave të rëndësishme të kinemasë së pavarur evropiane.

Në këtë hapësirë të kinemasë së pavarur, filmi i Ramës vjen me historinë e lidhur fort me Kosovën dhe e hapur për lexim universal të këtij rrëfimi kinematografik të tij. 

“Life after a lifetime and endless rebirths”, sipas sinopsisit, e ndjek Dean, të dashurën e Blinit, i cili është zhdukur në mënyrë misterioze pa lënë gjurmë. 

“E dashura e tij, Dea, e nxitur nga shoqja e saj e ngushtë Rrita, vendos të udhëtojë së bashku me të për herë të parë drejt Berlinit, për të festuar një natë, me shpresën se mes të panjohurve do të mund të gjejë një lloj përmbylljeje. Dëshira e tyre për t’u përzier me skenën e ‘raves’ shndërrohet shpejt në një përballje makthi me një të njohur të frikshëm. Teksa kufijtë mes realitetit dhe iluzionit fillojnë të mjegullohen, Dea përballet me një ‘drag queen’ që i ngjan në mënyrë të habitshme dikujt nga e kaluara e saj”, shkruhet aty. 
Rama ka treguar se historia zhvillohet në një kohë shumë konkrete për Kosovën – në natën e Vitit të Ri dhe në ditën kur hyn në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Ai ka thënë se filmi e vendos këtë ngjarje në qendër të historisë së Deas dhe Rritës, duke e ndërthurur realitetin lokal të shoqërisë me një rrëfim që synon të flasë për humbjen, kujtesën dhe përballjen me të kaluarën. 
“Filmi flet për Blinin, i cili është zhdukur qe një vit dhe askush nuk ka përgjigje se ku gjendet ai. Është festa e Vitit të Ri dhe dita e liberalizimit të vizave. Është film fiksion dhe ngjarja ndodh gjatë asaj kohe. Në këtë ngjarje ndodhet në mes Dea, e dashura e Blinit dhe Rrita, shoqja e ngushtë e Deas”, ka treguar Rama për KOHËN.

Filmi është xhiruar në hyrje të vitit 2025, ndërsa gjatë atij viti ekipi ka punuar në montazh dhe në përfundimin e tij. Tash, pas një periudhe pune që ka kaluar nga xhirimet në montazh e deri te përgatitja për festivalet, filmi del për herë të parë para publikut.

Rama ka treguar se ky udhëtim ka ardhur disi papritur, por në një moment që për të ka një domethënie të veçantë. 

Pas Oldenburgut, filmi do të ketë premierën edhe në një festival në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa tri festivale të tjera ku është përzgjedhur pritet të bëhen publike së shpejti.

“Rrugëtimi ka filluar shumë rastësisht dhe në momentin e duhur. Jo vetëm me një, por me pesë festivale. Jam shumë falënderues, nuk e di as kujt t’i falënderohem, por ka ndodhur në moment shumë të duhur, sepse në ditën kur do të shfaqet premiera botërore e filmit të shkurtër, ne nisim xhirimet e filmit tim të parë të gjatë, në të njëjtën datë. Më duket shumë e bukur të fillojë rrugëtimin e filmit të kaluar derisa nis të marrë formë filmi i ri”, ka treguar ai.
16 shtatori bëhet një datë e dyfishtë në rrugëtimin e regjisorit. Në Oldenburg, filmi i shkurtër nis të shihet nga publiku ndërkombëtar, ndërsa në Kosovë fillojnë xhirimet e filmit të tij të parë të metrazhit të gjatë. Rama nuk do të jetë në premierë. Ai do të jetë në xhirime.
“Fatkeqësisht, nuk do të jem në premierën e filmit, sepse atë ditë nisim xhirimet, por në anën tjetër më pëlqen si po rrjedh kjo, sepse më duket si një shenjë shumë e bukur që do të nisim xhirimet fiks në këtë ditë. Fatkeqësisht nuk do të marr pjesë në asnjërin prej festivaleve të para ku do të shfaqet filmi sepse do të jem në xhirime për një muaj dhe gjatë kësaj kohe mbahen të gjitha këto festivale”, ka thënë ai.
Filmi i ri që nis të marrë jetë më 16 shtator mban titullin “Dua të shkoj sërish në det”. Është një projekt mbi të cilin Rama dhe producentja Valmira Hyseni kanë punuar për vite dhe, sipas tij, është versioni i gjatë i filmit të shkurtër “Four pills at night”, duke e zgjeruar atë botë dhe rrëfim në një formë të re kinematografike. Projekti është aktualisht në zhvillim dhe sipas të dhënave, parashihet si dramë 120-minutëshe në bashkëprodhim midis Kosovës dhe Shqipërisë. 

Në njëfarë mënyre, dy filmat takohen pikërisht në pragun e nisjes së njërit dhe udhëtimit të tjetrit. Njëri largohet nga Kosova për të kërkuar publikun e parë, ndërsa tjetri fillon të marrë jetë para kamerës. 
Rama ka thënë se ndonëse tema është universale, filmi është i rrënjosur në një kontekst të fortë lokal – nga liberalizimi i vizave deri te jeta e natës dhe mënyra e tij e rrëfimit.

“Jam shumë kurioz ta shoh se si do të pritet nga njerëzit, sepse tema që trajton është universale, por me kontekst shumë lokal, sidomos liberalizimi i vizave, jeta e natës dhe stili i storieve se si i tregoj unë. Gjithmonë me kontekst lokal. Do të ishte shumë interesante të shoh reagimin e publikut, sidomos ndërkombëtar. Mezi pres t’i shoh komentet e para, kritikat e kritikëve të filmit, publikut. Gjithë ekipin e frymëzon kur shohim se ka ndikim te njerëzit”, ka treguar Rama.

Në Oldenburg, filmi nga Kosova hyn në një festival me një histori të gjatë të mbështetjes së autorëve të rinj dhe të kinemasë që guxon të kërkojë forma të tjera të rrëfimit. Për kinematografinë e Kosovës, prania e “Life After a Lifetime and Endless Rebirths” vjen edhe si vazhdim i një gjurme të krijuar ndër vite.

Një prej pikave të rëndësishme në këtë histori është filmi “Kthimi” i Kastriot Abdylit. Në vitin 2018, filmi ishte pjesë e programit të Oldenburgut dhe e pati premierën botërore atje. Bëhej fjalë për bashkëprodhimin midis Kosovë–Maqedoni e Veriut, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Filmi trajtonte migrimin, përplasjen e traditës me modernen dhe kontradiktat e integrimit në familjet shqiptare. 

Festivali, i themeluar më 1994, është njohur për hapësirën që u jep zërave të rinj, debutimeve dhe autorëve që kërkojnë rrugë jashtë formulave të kinemasë së zakonshme. Në historinë e tij kanë kaluar emra të rëndësishëm të kinemasë ndërkombëtare, ndërsa vetë festivali e ka ndërtuar identitetin rreth kinemasë së pavarur, zbulimeve dhe premierave. 

Për Ramën, ky vit ka sjellë edhe një tjetër hap të rëndësishëm të karrierës së tij. Në shkurt, ai qe përzgjedhur në “Berlinale Talents”, programin e zhvillimit të talenteve të “Berlinales”, ku është prezantuar si regjisor dhe skenarist nga Kosova. Në profilin e tij janë përfshirë “Stacioni” (2017), “Corona Diary” (2020), “4 Pills at Night” (2021), “I Have Never Been on an Airplane” (2025) dhe “Life After a Lifetime and Endless Rebirths” (2025). 

Karriera e tij nuk është ndërtuar vetëm në regji. Rama është i angazhuar si skenarist e producent, ndërsa paralelisht punon edhe me muzikën elektronike si DJ dhe producent. Shtëpia e produksionit, “Katarzë Films”, e themeluar në Prishtinë prej tij, përqendrohet në film artistik, dokumentar dhe imazh lëvizës, me një interes të shprehur për “kinema të guximshme, gjuhë të reja dhe imazhe që mbeten nën lëkurë”. “Life After a Lifetime and Endless Rebirths” është pjesë e kësaj linje krijuese dhe është një dramë 16-minutëshe e shkruar dhe drejtuar nga Rama. 

Filmi është prodhim i “Katarzë Films”, në bashkëprodhim me “Awuss Rental”, dhe mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Në role kryesore janë Albina Krasniqi, Kosovare Krasniqi, Redon Kika dhe Sheqerie Buqaj. 

Prej 16 shtatorit, historia e Blinit, Deas dhe Rritës largohet nga konteksti i saj lokal për të hyrë në hapësirën ku filmat udhëtojnë pa pasaportë.