Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kosova me “Martesën” për herë të pestë synon “Oscarin”

Filmi që sjell një trekëndësh dashurie, pranë dhe gjatë martesës, është propozimi zyrtar i Kosovës për kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” në “Oscar”.

Me filmin “Martesa”, nën regji të Blerta Zeqirit, Kosova synon “Oscarin” për të pestin vit me radhë prej se më 2014 fitoi të drejtën për kandidim, shkruan sot “Koha Ditore”.

Komisioni - i kryesuar nga regjisori i njohur kosovar Isa Qosja, në përbërje të aktorit dhe producentit Fatmir Spahiu, skenaristes Visare Aliu, aktorit e regjisorit Edon Rizvanolli, producentit Valon Jakupaj, regjisorit Faton Bajraktari dhe aktorit e producentit Shkumbin Istrefi, nuk ka pasur fort punë.

“Martesa” ka qenë i vetmi i cili i është përgjigjur thirrjes së Qendrës Kinematografike të Kosovës për propozime për “Oscar”.

“Martesa” në shtator të vitit të kaluar pati premierën botërore në festivalin e kategorisë “A”, “Tallinn Film Festival” në Estoni, ku edhe mori çmimin ndërkombëtar të jurisë “Fipresci” dhe çmimin special të jurisë për ansamblin e aktorëve në kategorinë e filmit të gjatë debutues. Ndërsa në muajin maj filmi i Zeqirit mori çmimin për filmin më të mirë debutant të metrazhit të gjatë në festivalin “See” në Los Angeles.

“Martesa” sjell jetën e tri personazheve kryesore, që e gjejnë veten në një trekëndësh dashurie. Dasma e Anitës (Adriana Matoshi) dhe e Bekimit (Alban Ukaj) pritet që të zërë vend pas dy javësh. Por kur ish i dashuri homoseksual i Bekimit, Noli (Genc Salihu) kthehet, situata komplikohet, veçanërisht kur Bekimi e kupton se Noli është ende i dashuruar në të. Krejt tensionet shpalosen në datën e martesës... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm