Që prej hyrjes në sallë dhe gjatë gjithë qëndrimit në skenë, Phoebe Killdeer nga Australia dhe Mélanie Pain nga Franca këngët e tyre i kanë përcjellë me lëvizje, duke tërhequr në këtë dinamikë edhe adhuruesit e muzikës eksperimentale. Efektet vizuale me drita, bashkë me imazhet që janë shfaqur në ekranin e madh të Kinemasë, kanë ofruar një atmosferë që ka mundësuar lundrimin nëpër tingujt e muzikës elektronike
Dyshja e njohur nga “Nouvelle Vague”, Mélanie Pain dhe Phoebe Killdeer, kanë ardhur të bashkuara si “Kill The Pain” për të argëtuar me muzikën e tyre publikun e pranishëm në kinemanë “Lumbardhi” të Prizrenit. Moti i vranët dhe me shi të shtunën mbrëma ka detyruar organizatorët që këtë koncert ta zhvendosin nga hapësira e hapur në atë të mbyllur. Por ky ndryshim nuk ka penguar artistet që të ngjiten në skenë dhe të dhurojnë një natë të paharrueshme për audiencën, teksa kanë performuar për herë të parë në Kosovë albumin e tyre debutues.
Që prej hyrjes në sallë dhe gjatë gjithë qëndrimit në skenë, Phoebe Killdeer nga Australia dhe Mélanie Pain nga Franca këngët e tyre i kanë përcjellë me lëvizje, duke tërhequr në këtë dinamikë edhe adhuruesit e muzikës eksperimentale. Efektet vizuale me drita, bashkë me imazhet që janë shfaqur në ekranin e madh të Kinemasë, kanë ofruar një atmosferë që ka mundësuar lundrimin nëpër tingujt e muzikës elektronike. Kjo ngjarje muzikore ka prezantuar një bashkim elektrik të perkusionit latin, bassit funky, kitarave elektrike, daulleve afrikane, tastierëve të viteve ‘80 dhe vokaleve të pandalshme, duke bërë që të pranishmit të kërcejnë gjatë performancës “live” dhe DJ setit të këngëtareve.
Phoebe Killdeer, e cila është paraqitur për herë të parë para publikut në Prizren, bashkëpunimin afatgjatë me Pain e ka përshkruar si një udhëtim të bukur që ka filluar me “Nouvelle Vague” dhe që tani po vazhdon me “Kill the Pain”, si proces për shijimin e lirisë artistike.
"Ne kemi qenë në shumë turne, kemi mbajtur shumë koncerte bashkë gjatë shumë vjetëve, aq sa është pothuajse e çuditshme që të performojë pa të, sepse e njohim njëra-tjetrën shumë mirë dhe ky projekt ka lindur si rrjedhojë e kohës së mirë që kemi kaluar bashkë gjatë turneve me Nouvelle Vague. Ky është vetëm vazhdim i atij procesi, që na lejon të bëjmë atë që vërtet duam në aspektin muzikor duke pasur lirinë me vargjet, me qëndrimin, me kostumet, me gjithçka. Ka qenë një udhëtim argëtues dhe kemi kaluar mirë", ka thënë Phoebe Killdeer.
Sipas saj, projekti i saj i përbashkët me Pain është përpjekje për çlirim respektivisht për të kujtuar anët e mira të jetës dhe për t’i shijuar ato.
“Ky projekt ka të bëjë me akordimin brenda vetes tonë, për të bërë përpjekje për t’u çliruar nga të gjitha dhe për të qenë në paqe me veten. Nuk është projekt për humor, por ka të bëjë më shumë me ardhjen këtu për të kujtuar të gjitha gjërat e mira për jetën dhe thjeshtë për t’u kënaqur, ashtu siç bëjmë ne gjatë procesit të kësaj performance dhe gjithashtu në të gjitha temat që i trajtojmë në këngët tona që janë edhe absurde. Pra, është për anën më të lehtë të jetës, për ta kujtuar se është aty dhe që duhet të kënaqemi”, ka thënë Phoebe Killdeer.
Për Mélanie Pain nga Franca kjo ka qenë paraqitja e dytë në Prizren. Ajo me bendin “Nouvelle Vague” kishte takuar publikun vendor në “Lumbardh” në vitin 2019. Ka theksuar se ndihet shumë mirë që është kthyer sërish në këtë qytet, për të sjellë projektin e ri me “Kill The Pain”.
“Kill The Pain është një projekt që tenton të jetë sa më i lirë që është e mundur dhe, po ashtu, sa më spontan që është e mundur, dhe jemi bashkuar si Phoebe Killdeer dhe Melanie Pain dhe kemi vendosur që të çlirojmë tërë kreativitetin tonë, kemi shkruar, kemi përgatitur muzikën, i kemi bërë bashkë këto dhe ka qenë vërtet e mahnitshme”, ka thënë Mélanie Pain.
Sipas saj, muzika është mënyra më e mirë për ta mbytur dhimbjen.
“Mënyra më e mirë për të mbytur dhimbjen është që të shkojmë në koncerte. Për mua muzika është një mënyrë e mirë për ta mbytur dhimbjen. Madje edhe shkenca e ka vërtetuar se muzika ndihmon që ta mbysim dhimbjen”, ka thënë Mélanie Pain.
Bashkëpunimi artistik i Phoebe Killdeer dhe Melanie Pain ka filluar në vitin 2005, kur që të dyja kanë ndarë skenën si pjesë e bendit “Nouvelle Vague”. Pas qindra koncertesh bashkë dhe eksperimentimit me shkrim të vargjeve e kompozimit të muzikës kanë vendosur që këtë punë artistike ta shfaqin si “Kill The Pain”, duke u shquar si gra të pazakonshme, që jetësojnë bashkëpunimin muzikor teksa kërkojnë lirinë e kënaqësinë për t’i bartur ato ndjenja edhe tek audienca.