Është shndërruar tashmë në traditë, që krahas emrave të shquar botërorë, atë ta shijojnë edhe ata që janë në fillet e karrierës por që premtojnë dhe i japin frymë skenës muzikore në Kosovë. “Skena Juvenis” është një lloj konfirmimi dhe koncerti në natën e 12-të të “Chopin Piano Festit” ka qenë dëshmi për këtë. “Është një traditë shumë e bukur që për vitin e 15-të çdo herë e kemi këtë bashkëpunim me Fakultetin e Arteve në Prishtinë dhe me studentët e mrekullueshëm të fakultetit”, ka thënë Lejla Pula, drejtoreshë artistike e Festivalit
Portokallia është një ngjyrë e gjallë dhe e ngrohtë, që shpreh energji, vitalitet dhe dinamizëm – elemente thelbësore të jetës rinore. Me këtë ngjyrë është ndriçuar të martën mbrëma salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare në Prishtinë, në natën e 12-të të edicionit të sivjetmë të festivalit “Chopin Piano Fest” për të paraqitur para publikut performancat e studentëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Me këtë paraqitje vazhdon tradita e përvitshme e natës së artistëve të rinj të UP-së, të cilët me gjithë angazhimet universitare, menaxhojnë të ushtrojnë pa fund për kësi lloj performancash. E mysafirë ishin një pianist i ri nga UBT-ja dhe një studente e violonçelit nga Universiteti i Shkupit.
Kjo natë ka sjellë studentë të dalluar të artit muzikor dhe meqë edhe vetë themelueset e festivalit janë pedagoge në Universitetin e Prishtinës, sipas drejtoreshës organizative të Festivalit, Besa Luzha, kjo ngjarje ka shënuar një pikë të suksesshme të bashkëpunimit. Ajo gjatë fjalimit hapës ka thënë se është një rastësi e bukur që në kohën kur organizohet festivali, studentët kurorëzojnë punën e tyre disavjeçare.
“Ky bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës për festivalin është shumë i rëndësishëm, sepse kur jemi themeluar si asociacion, selinë e kemi pasur dhe e kemi brenda Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin e Arteve, por edhe vetë ne themelueset e festivalit jemi pedagoge të këtij universiteti dhe në njëfarë mënyre e konsiderojmë pjesërisht shtëpinë tonë, prandaj ky bashkëpunim, sidomos me studentët dhe kolegët tanë është shumë i vlefshëm. Koha kur organizohet festivali përkon me një kurorëzim të punës së tyre, gjatë së cilës kanë pasur mjaft angazhim për të punuar me provimet dhe të gjitha programet e nevojshme”, ka thënë Luzha gjatë hapjes së mbrëmjes dedikuar artistëve të rinj.
Programin e kanë nisur studentët Entela Çarkagjija me violë, Endri Mala me violinë dhe Arbëresha Shehu me piano, duke luajtur tri pjesë (Prelude, Waltz, Polka) nga pesë të tilla të Dmitri Shostakovichit, për të vazhduar me Elsa Gashin me performancë solo në piano me pjesën “Ballade No. 2 F – dur” të Chopinit. Më tej, me klarinetë, Megi Rexhepi ka luajtur pjesën “Trilogy for Solo Clarinet” të Ante Grginit.
Sopranot Aurela Krasniqi dhe Aurela Murtezaj kanë kënduar pjesën “Barcarolle – Les Contes d’Hoffmann” të Offenbachut nën përcjelljen pianistike të Ardea Bucukut. Me frymë të lehtë të flautit ka peformuar Elza Cërmjani bashkë me Triumf Arllatin me piano pjesën “Two Sketches for Flute” të Klodian Qafokut dhe pas tyre, me kitarë, Urim Maliqi e ka luajtur pjesën “Un Sueno en la Floresta” të Barriosit.
Sërish ka performuar sopranoja Aurela Krasniqi me përcjellje të pianos nga Ardea Bucuku. Ata kanë luajtur pjesën “Donde lieta usci – La Boheme” të Puccinit. Me klarinetë ka frymuar Ardit Ibrahimi që e ka luajtur pjesën “Adagio e Tarantella” të Ernesto Cavallinit, bashkë me përcjellje të pianos nga Melos Buza.
Eleonida Elezi, e cila në edicionin e kaluar ka qenë fituese e “Çmimit Special - Chopin Piano Fest 2024”, ka performuar me piano dy pjesë: “Musical Moment Op. 16 No. 1 b-mol” të Sergei Rachmaninoffit dhe “Etude Op. 40 No. 8 ‘Finale’” të Nikolai Kapustinit.
Ajo i ka thënë KOHËS se me gjithë angazhimet universitare, falë dashurisë ndaj pianos dhe muzikës, ka arritur ta përçojë të njëjtën energji edhe te publiku.
“Kam performuar sonte si fituese e edicionit të kaluar, kjo performancë për mua, në këtë skenë është privilegj i madh, sidomos për programin që e kam pasur, domethënë momentin e parë muzikor të Rachmaninoffit dhe pjesën e Kapustinit, një program i larmishëm, duke përfshirë epokën e romantizmit dhe epokën moderne. Jam shumë e lumtur që pas këtyre arritjeve ta shpërshfaq punën dhe angazhimin tim në skenë. Në vitin e fundit kemi më shumë angazhime, kështu që kam pasur një bagazh goxha të madh për ta përgatitur deri më sot, mirëpo falë përkushtimit, dashurisë ndaj pianos dhe muzikës, arrita ta shfaq atë në skenë drejt publikut”, ka treguar qetësisht Elezi.
Edhe ajo që performoi në skenë pas saj është laureate e një çmimi ndërkombëtar. Erika Sinani me flaut bashkë me Melos Buzën me piano performuan pjesën “Sonata for flute and piano [I, IV]” të Schulhoffit. Erika është studente e pedagoges Venera Mehmedagaj-Kajtazi, e cila ka thënë për të se veçse ka qenë e përgatitur pas koncertit recital që ka pasur, ku edhe ka fituar çmimin absolut.
“Studentët janë gjithmonë të mirë, të përgatitur shumë, i përgëzoj të gjithë dhe gjithashtu e përgëzoj këtë festival, i cili u jep mundësi studentëve t’i tregojnë të arriturat e tyre, punën e tyre gjatë vitit. Flautistja që unë e kam përgatitur, para disa ditësh e fitoi çmimin absolut në gara ndërkombëtare, kështu që ajo (Erika) veç ka qenë e përgatitur, e ka pasur një koncert recital të sajin, kështu që ka punuar gjatë tërë vitit për koncerte, për gara, mirëpo edhe i është shpaguar, sepse është vlerësuar me çmim absolut që për mua është një satisfaksion edhe më i madh, kur studentët kanë suksese të mëdha”, ka thënë profesoresha Mehmedagaj-Kajtazi për KOHËN pas përfundimit të mbrëmjes koncertale.
Natën e kanë vazhduar edhe Fjolla Koxha me violinë dhe Arbëresha Shehu me piano, duke e luajtur pjesën “Carmen – Fantasie Brillante” nga Jeno Hubay dhe pas tyre edhe Poema Dylhasi, e cila ka ardhur nga Universiteti i Shkupit, me violonçel e luajti pjesën “Polonaise de Concert Op. 14” nga D. Popper, si dhe Ledian Shala nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT) ka luajtur pjesën “Mephisto Waltz No. 1, S-514” të Lisztit.
Për fund kanë performuar anëtarët e Ansamblit të Korneve të Prishtinës të cilët nën mbikëqyrjen e prof. Ilir Kodhimës, e kanë luajtur pjesën “Largo from ‘The New World Symphony’” nga Antonin Dvorak, si dhe anëtarët e Ansamblit të Brassit, nën mbikëqyrjen e prof. Betim Krasniqit e kanë performuar pjesën “Renaissance Dances” nga Tilman Susato. Këto performanca me instrumentistë frymorë të ansamblit janë cilësuar si shumë të rëndësishme për festivalin.
“Është shumë mirë që Prishtina ka një ansambël të korneve dhe ajo është çdo herë e më shumë duke u rritur. Një instrument që është goxha deficitar te ne ka shumë rëndësi të jetë pjesë e një festivali si ky. Kjo është meritë e profesorit Ilir Kodhima, i cili i organizon krejt këto”, ka thënë për KOHËN Rrezart Gerbeshi, anëtar i Ansamblit të Korneve të Prishtinës.
Drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, ka thënë se si çdo edicion, me studentët e Fakultetit të Arteve u dëshmua një nivel shumë i lartë i muzikës.
“Është një traditë shumë e bukur që për vitin e 15-të çdo herë e kemi këtë bashkëpunim me Fakultetin e Arteve në Prishtinë dhe me studentët e mrekullueshëm të fakultetit. Është vërtet një traditë e shkëlqyeshme dhe vërtet sonte ishim dëshmitarë të një niveli shumë të lartë të të gjitha drejtimeve të studentëve, këta që ishin sonte këtu vërtet kanë treguar virtuozitet me instrumentet e tyre dhe muzikalitet të jashtëzakonshëm, kështu që u jemi falënderues kolegëve për mundin e tyre. Kemi dëshirë që Prishtina të jetë një vend që jep dritë në fund të tunelit të muzikës sa u përket këtyre instrumentistëve, të cilët kanë investuar shumë mund për ta mbërritur këtë nivel”, ka thënë Lejla Pula për KOHËN.
Edhe tri koncerte dhe festivali “Chopin Piano Fest” e përmbyll edicionin e 15-të, që ka përcjellë shumë artistë ndërkombëtarë mysafirë dhe me performanca të fuqishme nga tingujt e instrumenteve muzikore që festivali i sjell çdo vit, tashmë tradicionalisht triumfon për organizime të tilla të ngjarjeve muzikore.