Përmbyllja e edicionit të 13-të festivalit ndërkombëtar feminist “FemArt” ka qenë një lloj feste pas maratonës gjashtë ditore, por edhe në program ka ardhur e tillë, duke i bërë vend “Fête de la Musique 2025” që si pikë kryesore ka pasur koncertin e grupi francez “Tentative” . Nën moton “Çliroje mendjen”, edicioni i sivjetmë e ka sjellë një program të pasur dhe ndërdisiplinor
Në mbyllje të festivalit për sivjet, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës dhe me Institutin Francez në Kosovë, “FemArti” të shtunën mbrëma e ka prezantuar programin “Fête de la Musique 2025”, i cili në hapësirat e “Hanit të 2 Robertëve” ka mbledhur adhurues të muzikës eksperimentale. Kryefjalë e natës ka qenë koncerti nga grupi francez “Tentative”, i cili ka sjellë një përvojë muzikore dhe vizuale që e sfidon çdo pritshmëri. Grupi, i përbërë nga këngëtarja Charlie Perillat dhe kitaristja Alexia Charoud, i pasqyron dëshirat e fragmentuara të një brezi të shpejtë dhe të mbingarkuar nga lidhjet digjitale, duke i përzier tingujt e cold wave, post-punk electro dhe poezinë bashkëkohore. Dyshja i ka performuar 11 këngët e albumit debutues “Statue Moi”, të cilat përshkruhen si “bartje e ngarkesës emocionale dhe intelektuale të një bote në lëvizje, ku realiteti është i mjegullt dhe imagjinata është një akt rezistence”.

Si akt hapës i natës së mbylljes ka qenë bendi kosovar “Zwada” i përbërë nga këngëtarja e kantautorja Suada Abazi dhe anëtarët Lum Veseli, Engjëll Blaku dhe Orges Kurtaj, të cilët kanë sjellë përpunime të këngëve të huaja dhe shqip në një frymë lo-fi bedroom pop.
Nën moton “Çliroje mendjen”, edicioni i sivjetmë e ka sjellë një program të pasur dhe ndërdisiplinor, që ka përfshirë performanca teatrore, koncerte, ekspozita, diskutime publike, panele dhe punëtori të hapura. Me pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, duke e përfshirë Italinë, Francën, Zvicrën, Anglinë dhe Serbinë, festivali “FemArt” ka vazhduar ta ndërtojë hapësirën e vet të guximshme për përfaqësim, barazi dhe bashkëkrijim. Edicioni i 13-të është shquar si një ndër më të larmishmit, ku temat e lirisë mendore, të kujdesit për shëndetin mendor, të të drejtave të grave dhe komuniteteve LGBTI janë trajtuar me ndjeshmëri artistike dhe me guxim qytetar.
Festivali që ka nisur më 16 qershor, ka krijuar një atmosferë elektrizuese në hapjen zyrtare që është mbajtur në “AMC Hall”, ku “Shkodra elektronike” e ka sjellë performancën eksperimentale, një ndërthurje mes muzikës elektronike dhe motiveve tradicionale. Në ditët që kanë pasuar programi ka vijuar me shfaqje teatrore ndërkombëtare, përfshirë “Zëra të heshtur” nga kolektivi italian Biloura, si dhe “Jam Unë Ajo” dhe “Gratë e Trojës”, shfaqje që kanë trajtuar temat e dhunës, traumës dhe fuqizimit të gruas, duke përfshirë artistë nga Kosova dhe Serbia në një bashkëpunim të rrallë artistik e politik.
Hapësirë u është dhënë edhe filmave dokumentarë dhe artistikë, që janë shfaqur në sallat e qytetit, përfshirë produksione vendore dhe ndërkombëtare si “Në Kërkim të Burbuqe Rushitit”. Gjatë gjithë javës, punëtori të hapura janë mbajtur në ambientet e parkut të qytetit dhe në hapësira kulturore, ku të rinjtë dhe pjesëmarrësit kanë ndërvepruar përmes artit, vizatimit, shkrimit dhe teatrit.
Në ditët e fundit, janë mbajtur panele dhe diskutime publike, përfshirë temat “Pas mureve” dhe “Amësia dhe shëndeti mendor”, ndërsa më 21 qershor, edicioni i 13-të i festivalit është mbyllur me një performancë të dyfishtë – grupi “Zwada” dhe koncerti nga grupi francez “Tentative”, që kanë sjellë një shpërthim të tingujve elektro-punk në natën e fundit të festivalit. Pas çdo dite, në “Bubble Bar” janë organizuar ‘afterparty’ të shndërruara në hapësira të rrjetëzimit dhe diskutimit mes artistëve, aktivistëve dhe publikut.
Në mbështetje të natës mbyllëse ka qenë i pranishëm ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, i cili e ka theksuar përkushtimin e Francës në mbështetjen e artit dhe të të drejtave të njeriut në Kosovë.
“Franca ndihmon me aq sa mundet, por shpresoj të bëjmë më shumë. Ajo që është me rëndësi është se ne kontribuojmë në fusha të ndryshme, lloje të ndryshme të muzikës, si sonte që kishim elektro-punk, edhe me muzikë klasike e kemi mbështetur ‘Festivalin Chopin’, i mbështesim festivalet e filmit dhe, gjithashtu, sivjet po e mbështesim me një shumë të madhe parash festivalin ‘Anibar’, për të trajnuar kosovarë të rinj që punojnë me filma të animuar. Më së shumti jam krenar me laramaninë e projekteve tona që i kemi në Kosovë, një laramani e madhe për Kosovën si një shtet të bukur dhe me diversitet”, ka thënë për KOHËN ambasadori Guérot.

Ai është shprehur krenar për laramaninë e projekteve që Franca përkrah, nga muzika klasike deri te electro-punk, si dhe nga filmat e animuar te festivalet feministe si “FemArti”.
“Një nga shumë gjërat që janë mahnitëse në Kosovë është se është një shtet i vogël dhe me kaq shumë festivale dhe ‘FemArt’ është një festival shumë i veçantë. Diplomacia feministe është një prej prioriteteve tona, sepse të drejtat e grave, të drejta e LGBT-së janë esenciale për një shoqëri, për të qenë të lirë, jo vetëm në aspektin e jashtëm, por të lirë edhe nga brenda, andaj jemi shumë të lumtur t’i mbështetim aktivitetet feministë, sidomos ‘FemArtin’”, ka shtuar ambasadori.
Koordinatori i projekteve në “FemArt”, Berat Bajrami, e ka pranuar se sfidat logjistike, sidomos mungesa e hapësirave të përshtatshme në Prishtinë, kanë qenë të pranishme edhe këtë vit. Megjithatë, falë bashkëpunimeve me institucionet kulturore, të gjitha aktivitetet e planifikuara janë zhvilluar me sukses.
“Organizimi i festivalit ‘FemArt’ edhe në edicionin e 13-të sigurisht i ka pasur vështirësitë e veta, veçanërisht sa i përket pjesës së infrastrukturës. Dihet që Kosova përgjithësisht, por edhe Prishtina, edhe pse është kryeqytet, ka jashtëzakonisht probleme me infrastrukturë, siç dihet, Teatri Kombëtar është ende në rinovim, gjithashtu edhe hapësirat e tjera nuk është se janë në nivelin e kënaqshëm për organizimin e eventeve, gjithsesi ne jemi mirënjohës për bashkëpunimet që i kemi pasur me institucionet kulturore në Prishtinë dhe, megjithatë, kemi arritur me sukses t’i prezantojmë të gjitha aktivitetet që kanë qenë në planprogramin e këtij edicioni”, ka thënë Bajrami në lidhje me sfidat e këtij edicioni.
Ai e ka përmendur rritjen e audiencës dhe sidomos ndikimin e koncertit të “Shkodrës elektronike”, që ka sjellë një publik të ri dhe i ka dhënë festivalit një energji të re.
“Sigurisht, tashmë për 13 edicione, festivali ‘FemArt’ e ka ndërtuar një audiencë të veten, por jemi shumë të kënaqur që në këtë edicion kemi pasur audiencë të re që i është bashkuar festivalit dhe kjo neve si organizatorë na bën shumë të lumtur, pasi ky është edhe synimi jonë që ta rritim audiencën në secilin edicion dhe veçanërisht ka qenë organizimi i koncertit të ‘Shkodrës elektronike’ që e ka sjellë në një dimension tjetër ndoshta edhe vetë festivalin dhe ka sjellë edhe një audiencë të re në festival”, ka thënë Bajrami.
Aktorja dhe humanistja Anisa Ismaili, që prej vitesh është e lidhur ngushtë me festivalin, këtë herë e ka përjetuar nga një këndvështrim i ri – si pjesë e publikut.
“Festivali ka shkuar jashtëzakonisht bukur, unë kam qenë gati gjashtë vjet pjesë e ‘FemArtit’, ndërsa tash e këqyri si një publik i thjeshtë, por prapë në një mënyrë involvohem. Sot ka qenë dita e fundit e festivalit, kemi qenë paradite gati katër orë në punëtori të ndryshme në parkun e qytetit, ishte shumë bukur. Sonte po përmbyllet me ‘Zwada-n’ edhe me një grup ‘Tentativa’ nga Parisi, një grup shumë alternativ dhe shumë interesant, është një festival i jashtëzakonshëm, të rinjtë mund ta shprehin veten, mandej është e bukur që ka shfaqje dhe performanca nga vende të ndryshme të botës dhe mandej pas asaj gjithmonë ka afterparty që shkon edhe rrjetëzohesh edhe me grupe të tjera, mund ta kuptosh edhe kulturën e vendeve të tjera”, ka thënë ajo, duke e përshkruar atmosferën e ditës së fundit me entuziazëm.
Ky edicion do të ketë qenë akoma më sfidues pa ndihmën e vullnetarëve, të cilët janë angazhuar si në aspektin logjistik, ashtu edhe në atë social. Për ta, ky angazhim është më shumë i kënaqshëm sesa sfidues.
“Festivali ka shkuar mrekullueshëm mirë, kemi pasur momente tepër të mira dhe kemi parë nga afër artistë të ndryshëm, e kemi parë çdo send qysh shkon prej ditës së parë deri në fund, për ta pasur një festival të mrekullueshëm, ashtu siç na ka dalë. Nuk ka qenë aspak sfiduese, jemi kënaqur, kemi bërë shoqëri të re, kemi parë artistë të rinj, kemi parë sende që s’i kemi menduar se shkojnë aq lehtë dhe aq mirë, domethënë e kemi pasur mundësi të jemi me një staf të mrekullueshëm”, ka thënë për KOHËN, Idea Gashi, njëra nga vullnetaret e këtij edicioni.
Pas trembëdhjetë edicionesh, “FemArt” ka dëshmuar se një festival nuk matet vetëm me numrin e shfaqjeve apo pjesëmarrësve, por me ndikimin që lë pas. Për gjashtë ditë me radhë, ai ka krijuar hapësirë për pyetje që zakonisht heshtin, për emocione që rrallë adresohen dhe për bashkëbisedime që shpesh mungojnë në diskursin publik. Nuk është vetëm një ngjarje kulturore në kalendar, por një përpjekje e vazhdueshme për ta ngritur vetëdijen dhe për ta ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse.