Dhjetë milionë dokumente të digjitalizuara në fondet e Arkivit Qendror të Shtetit po e zgjerojnë gjithnjë e më shumë perimetrin për t’u bërë të qasshme për të interesuarit. Projekti “Këndi arkivor” tashmë është hapur edhe në një nga sallat e Bibliotekës “Marin Barleti”, në saje të mbështetjes nga Bashkia Shkodër si dhe biblioteka e këtij qyteti.
Në ceremoninë e hapjes së këtij “këndi” të premten ishin të pranishëm kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, drejtori i Drejtorisë së Inspektimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Endrit Musaj, si dhe drejtori i Bibliotekës, Maxhid Cungu.
Me këtë rast, Musaj nga DPA është cituar se këtë thënë se “ky kënd vlen vetëm për qëllime studimore, për dokumente të një karakteri tjetër me natyrë biografike apo pronësie”.
Ndërkaq kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka thënë se Bashkia ka ofruar gjithë infrastrukturën e domosdoshme që lidhet me këtë projekt.
“Kjo për t’u shërbyer të gjithë atyre studiuesve që mund të jenë studentë, pedagogë e të tjerë, të cilët do të vijnë dhe do të asistohen për mënyrën se si mund të operojnë me këtë sistem”.
Edhe
Këndi arkivor i Shqipërisë në Kosovë ofron qasje në dhjetë milionë dokumente
Komuniteti i studiuesve të historisë nuk do t’i ketë më pengesë kilometrat gjeografikë që ndajnë qendrat shqiptare. I gjithë fondi milionësh i dokumentacionit në arkivat e Tiranës – që kronikon historinë shqiptare – do të jetë i qasshëm në mënyrë online për të interesuarit.
“Këndi arkivor”, në nëntor të vitit të kaluar, ishte hapur edhe në mjediset e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, e më pas edhe në Gjilan. Po ashtu, ky “kënd” është etabluar edhe në qytetet shqiptare të Maqedonisë si Shkup, Tetovë e Kërçovë, ndërkohë që brenda territorit të Shqipërisë pika të tilla janë hapur edhe në Gjirokastër e Pogradec.