EXPRESS

Hapet këndi arkivor në bibliotekën e Ferizajt

Historiani Ilir Bytyçi deri tash, fushën e tij studimore e ka mbështetur tek librat e bibliotekës “Sadik Tafarshiku” në Ferizaj. Por me hapjen e këndit arkivor në këtë bibliotekë, fusha e tij e kërkimit është zgjeruar.

Këndi arkivor është hapur muajin e kaluar në Ferizaj me materiale të digjitalizuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë.

Qasja në këto dokumente po ua bën më të lehtë studimin të interesuarve në Ferizaj dhe në të njëjtën kohë po ua kursen kohën dhe kostot e udhëtimit.

“Më ka bërë përshtypje, sepse kishte shumë libra amëz dhe dokumente të amzës, të regjistrimit të popullsisë, më pas çështje të urbanizimit të kohës. Po ashtu, ka dokumente që flasin për çështje politike, ka certifikata të lindjes kur prefektura e Ferizajt kishte nxjerrë edhe dokumente false për të shpëtuar jetën e hebrenjve për qëllime humane. Rëndësia e këtij arkivi është që të dimë më shumë për prefekturën e Ferizajt gjatë Luftës së Dytë Botërore, por ka edhe shumë dokumente në vitet vijuese që u ndihmojnë studiuesve”, shprehet Bytyçi.

Drejtoria e Kulturës në Komunën e Ferizajt e ka mirëpritur këtë bashkëpunim. Sipas tyre me hapjen e këtij këndi, studiuesit e Ferizajt dhe të qyteteve të tjera ofrohen edhe me shumë me historinë e përbashkët.

“Nga kjo marrëveshje e bashkëpunimit, Komuna e Ferizajt ka ofruar të gjitha materialet dhe pajisjet e nevojshme që janë kërkuar nga kjo marrëveshje. Ky shërbim i ri do t’u ofrojë elitës intelektuale e sidomos studiuesve të komunës së qytetit të Ferizajt qasjen në arkivin e shtetit shqiptar sikur të ishin në kryeqytetin shqiptar. Kështu do ta kursejnë kohën dhe do t’u kursejnë shpenzimet për të shkuar atje për t’i marrë informacionet e nevojshme”, është shprehur drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Ferizajt.

Nga Drejtoria e Kulturës u bëjnë thirrje të gjithë të interesuarve dhe studiuesve që të qasen në këndin arkivor në dobi të kërkimeve dhe hulumtimeve të tyre.