Këndi i Arkivit shtetëror të Shqipërisë, prej së martës, është vendosur në Bibliotekën Ndërkomunale të Prizrenit. Ky kënd arkivor do të shërbejë për efekte studimore.
Përfaqësuesit e angazhuar në jetësimin e këtij projekti kanë theksuar se me krijimin e tij krahas bashkëpunimit institucional ndërshtetëror, krijohen edhe lehtësira për studiuesit në Kosovë.
“Prandaj është një ngjarje e rëndësishme, që studentët, studiuesit nuk kanë nevojë më të bëjnë kilometra të tëra për të shkuar dhe gjetur literatura të ndryshme në Arkivën e Shqipërisë, sepse Arkivën e Shqipërisë tani e kanë në qytetin historik, në qytetin e Prizrenit”, tha Adem Morina, drejtor i Kulturës në Komunën e Prizrenit.
Ndërsa Ardit Bido nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë ka vlerësuar se vendosja e stemës së Republikës së Shqipërisë në hyrje të godinës së Shtëpisë së Kulturës në Prizren paraqet një simbolikë më të rëndësishme se gjithçka tjetër.
Sipas tij, në aspektin e arkivave tani të jesh në Prizren është njëlloj si të jesh në Tiranë, dhe ka uruar që ky bashkëpunim të shtrihet edhe në fushat e tjera.
“Po të japim një simbolikë, që në kompromisin e madh të shqiptarëve që është bërë pas vitit 1999 me pavarësinë e Kosovës, që e theksoj edhe njëherë është kompromis, se nuk ishte qëllim, në këtë kompromis, brenda kushteve të këtij kompromisi ne kemi mundësi të frymojmë si një, ne kemi mundësi të veprojmë si një, ne kemi hapësira të funksionojmë si një, ne kemi hapësira që Prizreni të jetë Prishtinë e Tiranë njëherazi, e Tirana të jetë Prizren e Sarandë njëherazi. Këtë mundësi që e kemi sot e nisim bashkë dhe shpresojmë që të vijojë në të gjitha fushat e veprimtarisë sonë shoqërore”, tha Bido.
Rregullorja e Këndit arkivor në Prizren parasheh që ai të shërbejë për efekte studimore, pasi për dokumentet pronësore, amzat shkollore apo dokumentet e tjera biografike të Republikës së Shqipërisë palët duhet që të aplikojnë në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.