Vallja që i ka mbijetuar shekujve e që ruan identitetin shqiptar, ka hapur një kapitull të ri duke u shndërruar në pasuri botërore e njohur prej së mërkurës edhe nga UNESCO-ja. “Praktikohet tradicionalisht nga tropojanët dhe lidhet me festat e pranverës, peizazhet malore dhe fluturimin e shqiponjave – simbol i forcës dhe i identitetit kolektiv”, është përshkrimi që ia bën kjo organizatë e cila e ka përfshirë në “Listën përfaqësuese të trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit”. “K’cimi...” ndjek rrugën e xhubletës e prapa vazhdon të mbetet “Eposi i Kreshnikëve” që ka edhe kapitullin me Kosovën
Përfshirja e “K’cimit të Tropojës” në listën e organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO, është një tjetër kapitull i shndërrimit të trashëgimisë kulturore shqiptare në vlerë botërore të njerëzimit. Të mërkurën, me njohjen e këtij kërcimi është shënuar sukses historik. Ka përmbyllur një rrugëtim shumëvjeçar prej se u propozua që ta marrë statusin që i është dhënë tashmë. Është një kërcim që përçon simbolikë në çdo lëvizje i koreografuar asisoj ku çdo hap shpreh shpirtin tropojan të Malësisë së Gjakovës. I bashkohet edhe xhubletës, tash e dy vjet në UNESCO dhe jo vetëm.
Kanë qenë zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar që kanë shpërndarë lajmin për përfshirjen në listën e UNESCO-s.
“’K’cimi i Tropojës’ shpallet zyrtarisht pjesë e Listës përfaqësuese të trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit në UNESCO! Pas vlerësimit pozitiv nga organizmi i vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit ndërqeveritar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale, në Asuncion, Paraguaj, ‘K’cimi i Tropojës’ është tashmë pjesë e Listës përfaqësuese të trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit”, ka shkruar Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë. Ka thënë se “K’cimi...” si një trashëgimi që përçon ritmet, emocionet dhe identitetin kombëtar, tashmë njihet në nivel global si një thesar kulturor. “Një tjetër hap drejt lartësimit të vlerave kombëtare duke na bërë dhe me krenarë për vendin tonë”, ka shkruar ai.
Kryeministri Edi Rama e ka hapur ditën me këtë lajm.
“Mirëmëngjesi dhe me lajmin e bukur se ‘K’cimi i Tropojës’ shpallet zyrtarisht pjesë e Listës përfaqësuese të trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit në UNESCO, si edhe me kënaqësinë e progresit të kësaj dekade për shpëtimin, rilindjen e promovimin e vlerave të kësaj trashëgimie deri dje të braktisur nën pluhurin e harresës, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar ai.
Lajmi për përfshirjen e “K’cimit të Tropojës” në UNESCO, është afishuar edhe në ueb-faqet zyrtare të kësaj organizate. Aty shkruhet se është një valle popullore, festive në tubime spontane ose gjatë ceremonive tradicionale si dasma, ditëlindje, e tubime të ndryshme.
“Zakonisht i shoqëruar me daulle, ‘K’cimi...’ bëhet nga burra, gra dhe fëmijë të të gjitha moshave dhe zakonisht në çifte, me partnerët që ndryshojnë sipas rastit dhe zgjedhjes së kërcimtarëve. Njerëzit kërcejnë ballë për ballë, pa u prekur. Ata bëjnë lëvizje kërcitëse, duke ngritur dhe ulur krahët ndërsa lëvizin rreth njëri-tjetrit. Sipas rastit, disa kërcimtarë mund të veshin veshje tradicionale. Gjatë kërcimit, gratë gjithashtu mund të tundin një shami, zakonisht me ngjyrë të kuqe”, shkruhet aty. Praktikohet tradicionalisht nga tropojanët dhe lidhet me festat e pranverës, peizazhet malore dhe fluturimin e shqiponjave – simbol i forcës dhe i identitetit kolektiv.
“Megjithatë, ‘Kcimi...’ shihet gjatë gjithë vitit, duke përfshirë njerëz nga pjesë të tjera të Shqipërisë. Ansamble vallesh e shpalosin atë gjatë festivaleve. Në veçanti gjatë festave familjare, pleqtë tregojnë dhe ua mësojnë fëmijëve dhe të rinjve vallen. Kërcimi ngjall ndjenjë të identitetit dhe përkatësisë së përbashkët duke promovuar kohezionin social, lirinë e shprehjes dhe tolerancën”, shkruhet në ueb-faqen e UNESCO-s.
Sipas ueb-faqes “Trashëgimia kulturore jomateriale”, “K’cimi i Tropojës” ka qenë pjesë thelbësore e vallëzimeve të dasmës. “Përveç vallëzimeve ku ‘K’cimi...’ kryhet i përzier, nga burra dhe gra, vajza dhe djem, ekziston edhe një shumëllojshmëri e valleve martesore gjinore rituale ku interpretohet ‘K’cimi...’, të tilla si vallja e grave të moshuara, vallja e nuseve të reja të farefisit, vallja e vajzave dhe vallja e burrave. Vallja e nuseve të reja është vallëzimi i vetëm ku ‘K’cimi...’ interpretohet individualisht, ku nuset e reja, ndoshta nga rajone të tjera, tregojnë se sa mirë kanë arritur të mësojnë vallëzimin e ‘K’cimit...’”, shkruhet aty.
Por deri te njohja e “K’cimit të Tropojës” si pasuri botërore është një rrugë e gjatë, e cila ka nisur qysh prej vitit 2019, e zyrtarisht më 2021. Rruga tjetër është ajo e ruajtjes së kësaj valleje.
Etnokoreografi Skënder Haklaj kishte thënë asokohe se që prej vitit 2019 po përpiqet që ky kërcim të jetë pjesë edhe e UNESCO-s, sepse kjo valle është një pasuri e çmuar kombëtare.
“Është fat i madh që ministria e ka marrë në dorë, është akorduar fondi, është caktuar grupi i punës shkencore që duhet të plotësohet dosja përfundimtare, janë bërë shumë filmime, ka momente që na del ndonjë problem dhe unë lëvizjet i kam të gatshme tashmë, dhe grupet i kam shumë të gatshme, dhe ata në Tropojë e duan shumë dhe fati më i madh është që tropojanët e duan vallen”, kishte thënë ai. Kishte përmendur edhe ngatërrimin që i bëhet këtij kërcimi me “Vallen e Rugovës”. “Faktikisht kjo është futja në punë e një shteti tjetër, se Kosova po quhet shtet tjetër….ka motiv tjetër, ka kërcim tjetër se mbi Rugovën është edhe Shota dhe në qoftë se nuk e dallon në Tropojë me këto bëhet pastaj një tallava që ka shkatërruar muzikën shqiptar”, kishte thënë ai.
Qysh prej marsit të vitit 2021 ishte bërë e ditur se bashkë me xhubletën zyrtarisht ishin propozime të Shqipërisë për të hyrë në UNESCO. Autoritetet shqiptare kishin paralajmëruar se do t’ia mësynin sërish me “K’cimin e Tropojës” fill pas përfshirjes së xhubletës në “Listën e mbrojtjes urgjente” të UNESCO-s, në nëntorin e vitit 2022. Ishte në përgatitje të dosjeve për “K’cimin...” por edhe me Eposin e Kreshnikëve, që në fakt ka një histori më të gjatë shoqëruar edhe me përplasje e mungesë koordinimi midis Kosovës e Shqipërisë e që do të riaktualizohej kur Serbia e futi në UNESCO “Të kënduarit me gusle” më 2018. Siç kishte raportuar “KOHA Ditore”, institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë ishin zotuar se do ta kundërshtonin këtë me arsyetimin se lahuta nuk është instrument i përdorur veç nga serbët, por nga të gjithë popujt ballkanikë. Madje, përbërja e atëhershme e Komisionit Parlamentar për Kulturë e Kuvendit të Kosovës kishte bërë gati një letër kundërshtuese, e cila, sipas Komisionit, i ishte përcjellë Ministrisë së Punëve të Jashtme për ta dërguar në UNESCO.
Ishin konsultuar edhe studiuesit Zymer Neziri e Vasil Tole. Neziri ka kohë që është marrë me dokumentimin e Eposit të Kreshnikëve. Kosova e kishte gati dosjen për Eposin e Kreshnikëve qysh para afro një dekade. Komisioni qeveritar për kompletimin e dosjes me të cilën do të aplikohej në UNESCO, në ditën e 30 majit të vitit 2013, e kishte dorëzuar atë në Ministrinë e Kulturës. Por kryesuesit të Komisionit, Zymer Neziri, i ishte kërkuar kohë. Ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, i kishte thënë atij se Kosova do të presë derisa të anëtarësohet në UNESCO, që së bashku me Shqipërinë të aplikojnë për futjen nën mbrojtje të Eposit të Kreshnikëve. Dy vjet më vonë Kosova dështoi të anëtarësohej në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë. I munguan tri vota. “KOHA Ditore” kishte raportuar qysh në shkurt të vitit 2011 jo vetëm për mungesë koordinimi midis Kosovës dhe Shqipërisë sa i përket rrugëtimit me Eposin e Kreshnikëve drejt UNESCO-s, por edhe për përplasje.
E, vitin e kaluar sukses u shënua edhe me traditën e shtegtimit të bagëtive apo “Transhumancën”, që pason edhe të tjera pasuri shqiptare si Butrinti, Berati, Gjirokastra dhe iso-polifonia.
Lexo edhe: