Kulturë

Intervenimi 200 mijë eurosh s’e shpëton Bibliotekën nga vërshimet

Prishtinë, 31` tetor – Afro një milion euro do të shkojnë shpenzimet e shtetit për mirëmbajtjen e kulmit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” që nga paslufta e deri më tash. Shumës prej 700 mijë eurosh, që ishin investuar para rreth 15 vjetësh në kulmin e institucionit, tash do t’i shtohen edhe mbi 200 mijë të tjera. Depërtimi i ujit nëpërmjet kulmit është një nga problemet me të cilat përballet institucioni më i lartë bibliotekar në vend. Sa i përket depërtimit të ujit nga bodrumi, për sivjet duket se nuk do të ketë zgjidhje. Do të vazhdohet që uji të eliminohet përmes pompave.

Në korrik të këtij viti Ministria e Kulturës ka nënshkruar kontratë me konsorciumin “K-ING ShPK & CDC ShPK” në vlerë prej 189 mijë e 901 eurosh e 64 centë. Por kontrata që titullohet “Hidroizolimi i kulmit të rrafshët dhe atikës në objektin e BKK ‘Pjetër Bogdani’, Prishtinë”, del të jetë e pamjaftueshme për t’i kryer punët. Të mërkurën MKRS-ja ka bërë edhe një njoftim për dhënie të kontratës. Njoftimi mban titullin “Punë shtesë-Hidroizolimi i kulmit të rrafshët dhe atikës në objektin e BKK ‘Pjetër Bogdani’, Prishtinë”. Vlera e parashikuar e kësaj kontrate është 18 mijë e 856 euro e 12 centë. Kësisoj puna në kulmin e BKK-së do të kapë shifrën prej 208 mijë e 757 eurosh e 76 centë. Bashkë me investimin e para 15 vjetëve shifra e shpenzimeve arrin gati 1 milion euro.

Menaxhmenti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës vazhdimisht ka kërkuar që të intervenohet në kulm.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)