Kulturë

Instituti këmbëngul që Kalaja e Vushtrrisë të shfrytëzohet për biznes

Prishtinë, 30 tetor – Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga dhënia në shfrytëzim e një pjese të Kalasë së Vushtrrisë për një biznes privat.

Ky institucion ka kundërshtuar vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, nëpërmjet të të cilit ndalohet çdo veprim në monument. Për këtë të hënën edhe ka bërë një ankesë në Inspektorat, nëpërmjet së cilës kërkohet anulimi i vendimit të këtij organi. Inspektorati kishte hedhur poshtë vendimin e IKMM-së që ishte nxjerrë në shpejtësi fillimisht për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë e pastaj vetëm të një pjese të saj.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve para dhjetë ditësh e kishte cilësuar “gabim teknik” vendimin e vet për dhënien në “shfrytëzim të përkohshëm” të Kalasë së Vushtrrisë, e cila figuron në Listën e monumenteve nën mbrojtje të përhershme nga shteti. Në ditën e 18-të të këtij muaji ky institucion “ka plotësuar” vendimin e vet duke specifikuar se bëhet fjalë për lëshim me qira vetëm të aneksit e jo të Kalasë së Vushtrrisë.

“Miratohet kërkesa e ‘Dardania Castle’ me pronar z. Mentor Salihu për marrjen në shfrytëzim të përkohshëm të aneksit (objektit montazh) në Kalanë e Vushtrrisë, në Vushtrri”, është shkruar në vendimin e IKMM-së, një kopje të të cilit e ka edhe “Koha Ditore”. Por korrigjimet nuk ishin marrë parasysh nga Inspektorati. Në ditën e 18-të të këtij muaji ky organ kishte marrë vendim që të ndalohet “çdo veprim i paautorizuar në Kalanë e Vjetër në Vushtrri”. Sipas këtij vendimi, drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve obligohet “që në pajtim me gjetjet dhe konstatimet e këtij vendimi t’i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet për zbatimin e tij”.

Por me këtë nuk pajtohet IKMM-ja, që udhëhiqet nga drejtori Ismet Hajrullahu.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)