Kulturë

Ministria pa vendim për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë

Prishtinë, 10 dhjetor – Vendimi i drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Ismet Hajrullahu, për dhënien në shfrytëzim të një pjese të Kalasë së Vushtrrisë një sipërmarrësi privat, ka shkaktuar një lloj rrëmuje edhe në Ministrinë e Kulturës. Vendimi i IKMM-së më 16 tetor ishte plotësuar po nga ky institucion dy ditë më vonë. Po atë ditë Inspektorati i trashëgimisë kulturore kishte nxjerrë një vendim, nëpërmjet të cilit ndaloi çdo veprim në monument. Pas kësaj IKMM-ja është ankuar ndaj vendimit të Inspektoratit duke e kundërshtuar atë. Ka pasuar ankesa në MKRS e pronarit të “Dardanica Castle”, Mentor Salihu, që synon marrjen në shfrytëzim të një pjese të Kalasë. Ankesat kanë përfunduar me atë të Komunës së Vushtrrisë, që e vlerëson si joligjore dhënien në shfrytëzim të Kalasë së qytetit, që është një prej monumenteve më të rëndësishme të vendit.

E krejt këto ankesa kanë ngelur ende pa përgjigje. Komuna e Vushtrrisë i është drejtuar me ankesë Komisionit për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve për leje dhe pëlqime të IKMM-së.

ankesën që ka bërë kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, vendimin e IKMM-së për dhënien në shfrytëzim të një pjese të Kalasë së Vushtrrisë e konsideron si joligjor, të padrejtë dhe të papranueshëm për institucionin që ai udhëheq. ankesë shkruhet se ky aset i trashëgimisë kulturore shfrytëzohet nga Komuna e Vushtrrisë për aktivitete të ndryshme kulturore, që organizohen nga institucionet e shtetit e edhe nga shoqëria civile.

“Kalaja nuk duhet të shndërrohet në destinacion të interesit të një individi apo grupi të caktuar për qëllime të përfitimit, siç pretendohet të ndodhë duke e dhënë në shfrytëzim për ushtrim të veprimtarisë së gastronomisë”, shkruhet në ankesë. Sipas shkresës, Komuna kurrsesi nuk do të pranojë që këtij aseti t’i ndërrohet destinimi.

“Si kryetar i Komunës, në emër të qytetarëve të Vushtrrisë, kërkoj që të anuloni vendimin...”, shkruhet në ankesë.

Derisa në databazën e trashëgimisë kulturore të Kosovës nuk jepet asnjë informacion për Kalanë e Vushtrrisë, burime të tjera japin disa të dhëna të përgjithshme për historinë e saj. E quajtur në disa burime edhe si “Kalaja e Vojnoviqëve”, kjo fortifikatë besohet të jetë ndërtuar në shekullin e katërmbëdhjetë. Për një kohë ajo kishte shërbyer edhe si vendqëndrim i sundimtarit serb Gjergj Brankoviq, që e kishte martuar të bijën e tij me Sulltan Muratin.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)