Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Kulturës ka vërtetuar ekzistimin e përgjegjësisë disiplinore për shkeljet e rënda të kryera nga drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Ismet Hajrullahu, dhe ia ka shqiptuar masën disiplinore: largim nga shërbimi civil. Disa prej shkeljeve të konstatuara nga ky organ cenojnë direkt trashëgiminë kulturore. Ish-drejtori Hajrullahu ka paralajmëruar ankesë. “Nga pesë akuzat që janë ngritur, asnjëra nuk qëndron. Jam duke përgatitur ankesën”, ka thënë ai
Pasi ka mbajtur pozitën për katër vjet e gjysmë, Ismet Hajrullahu është detyruar që shkaku i shkeljeve gjatë ushtrimit të përgjegjësisë ta lërë zyrën e drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Janë pesë shkelje të klasifikuara si të rënda që ia ka vërtetuar Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Kulturës, ato që kanë bërë që Hajrullahut t’i shqiptohet masa e shkarkimit nga shërbimi civil.
Komisioni Disiplinor ka vërtetuar ekzistimin e përgjegjësisë disiplinore për shkeljet e rënda të kryera nga drejtori i IKMM-së, Ismet Hajrullahu, dhe ia ka shqiptuar masën disiplinore: largim nga shërbimi civil. Vendimi është marrë në ditën e 12-të të këtij muaji. Atë e ka konfirmuar kryesuesja e Komisionit, Vjollca Aliu, njëherësh drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Ish-drejtori Hajrullahu ka paralajmëruar ankesë.
Aliu ka thënë se Departamenti i Trashëgimisë Kulturore ka përcaktuar prioritetet në fushën e trashëgimisë kulturore, për të cilat ka kërkuar mobilizim maksimal të stafit të saj për të arritur objektivat.
Sipas saj, në këtë drejtim menaxhmenti i lartë i MKRS-së ka mbajtur përgjegjës në vazhdimësi zinxhirin hierarkik për të mos neglizhuar aktivitetet që çojnë në drejtim të arritjes së objektivave.
“Në rastin e drejtorit të IKMM-së, për shkak se nënvizimi i vërejtjeve të vazhdueshme për rritje të përgjegjësisë nuk kishte dhënë efektin e duhur, nga ish-zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së është iniciuar procedurë disiplinore, pretendimet e të cilit, nga Komisioni Disiplinor, pas hetimit dhe vërtetimit të provave, janë vërtetuar si të bazuara”, ka thënë ajo. Ka treguar se pas përfundimit të procedurës, me qellim të rivendosjes së standardeve të ligjshmërisë në proporcion me pasojat e shkaktuara, është marrë masa disiplinore ndaj drejtorit të IKMM-së.
“MKRS është e përcaktuar që në çdo rast të ngjashëm të vendosë interesin publik, pra planet e arritjes së objektivave qeverisëse, para çdo interesi individual që mund të bie në ndeshje me interesin publik. Mbi këtë princip është vepruar edhe në këtë rast dhe do të veprohet edhe në rastet e tjera nëse kushdo nga punonjësit e tjerë dështon të ndjekë objektivat e MKRS-së dhe zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre”, ka thënë Aliu, kryesuese e Komisionit, që ka pasur në përbërje edhe anëtarët: Milot Berisha, Fatmir Kastrati, Drilona Belallari dhe Etida Smaka.
Në tetor të këtij viti, ish-zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së kishte iniciuar rastin që ndaj Hajrullahut të hapej procedurë disiplinore.
Në bazë të shkresës të cilën e kishte parë gazeta, në vitin 2021 IKMM-ja kishte pranuar një ankesë shkaku i refuzimit të një lënde, nëpërmjet së cilës kërkohej të miratohej projekti për ndërtimin e një objekti afaristo-banesor në Prizren, brenda Qendrës Historike. Komisioni i IKMM-së i trajton lëndët ku parashihen ndërhyrje që kanë të bëjnë me perimetrin e aseteve të trashëgimisë kulturore. Në këtë rast ishte refuzuar lënda. Pala ishte ankuar në IKMM dhe ky institucion nuk e kishte dërguar ankesën në afatin prej 30 ditësh te Komisioni i MKRS-së që bën shqyrtimin e ankesave të këtij lloji. Sipas shkresës, nëpërmjet së cilës drejtori Hajrullahu ka dalë para Komisionit Disiplinor, me mosveprimin e tij, ka rrezikuar dhe rrezikon ende veprat e trashëgimisë kulturore. Objekti banesor kishte vazhduar të ndërtohej pasi nuk kishte marrë përgjigje në ankesë. Ky pretendim është vërtetuar nga Komisioni Disiplinor.
Sipas shkresës, IKMM-ja duke tejkaluar kompetencat nëpërmjet një përgjigjeje i kishte hapur rrugë vendosjes së një antene në Kalanë e Veletinit. Vendosja e antenës nga ARKEP-i kishte nisur, derisa në vendngjarje kishte dalë Instituti Arkeologjik i Kosovës. Ishte konstatuar se IKMM-ja kishte ndërhyrë në kompetencat e IAK-ut. Po ashtu, edhe ky rast është vërtetuar nga Komisioni Disiplinor.
Si rast i katërt ishte renditur mosfunksionimi i duhur i Komisionit për vlerësimin e projekteve restauruese në asetet e trashëgimisë kulturore. Ky komision vepron nën mandatin e IKMM-së. Sipas shkresës që ka parë KOHA, funksionimi i Komisionit nuk ishte i duhuri. Janë përmendur dy raste kur MKRS-ja ka konstatuar se janë miratuar projekte që nuk i përmbushin kriteret ligjore. Shembull kanë marrë rastin e Hamamit të Prishtinës dhe atë të Çarshisë së Gjakovës.
Shkelja e afateve ligjore për kthimin e përgjigjeve nga ana e Komisionit është një tjetër “akuzë” më vete. Si shembull është marrë rasti i projektit për ndërhyrje emergjente në kompleksin memorial “Adem Jashari”. Hajrullahu është gjetur përgjegjës edhe për këto raste.
Më pas, arsye tjetër që Hajrullahu është shkarkuar është refuzimi i tij për të zbatuar një udhëzim të eprorit të tij, ish-zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Bislim Bislimi.
Por Hajrullahu ka paralajmëruar ankesë.
“Nga pesë akuzat që janë ngritur, asnjëra nuk qëndron. Jam duke përgatitur ankesën”, ka thënë shkurt ai nëpërmjet përgjigjes me SMS.
KOHA ka raportuar disa herë për problemet e funksionimit të IKMM-së sidomos në raport me respektimin e legjislacionit të trashëgimisë kulturore. Pos rasteve që zënë vend në arsyet për largim nga pozita, KOHA ka raportuar edhe për dymbëdhjetë eksponate që ky institucion ia ka dorëzuar Institutit të Studimeve Sociale e Humanistike të Fakultetit Filozofik në nëntor të vitit 2020. Një gjë e tillë ishte bërë pa e përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore, ashtu sikurse edhe rregulloret.
Më herët në fund të vitit 2019, dy raporte me të njëjtin numër protokolli e me përmbajtje të ndryshme i kishin hapur rrugë shumëkatëshes afër monumenteve në Gjakovë. Për këtë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve brenda një dite kishte shkruar dy raporte, kishte ndërruar një anëtar të Komisionit dhe në fund kishte marrë vendimin.
Sipas biografisë, Ismet Hajrullahu u lind më 1964 në fshatin Banullë të Lipjanit. Ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, Dega Histori–Gjeografi në Universitetin e Tiranës, si dhe ka mbaruar studimet pasuniversitare për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci. Më 1986 ishte arratisur në Shqipëri pas mbajtjes në burg nga ish-sistemi udhëheqës i Kosovës. Është themelues i PDK-së dhe kryetari i parë i PDK-së në Lipjan. Kishte shërbyer si këshilltar i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Drejtori i IKMM-së ka për detyrë të menaxhojë punën e përgjithshme të IKMM-së dhe stafin e të propozojë politika për trashëgimi kulturore. Megjithëse në konkursin e MKRS-së nuk është cekur, drejtori i këtij institucioni emëron dhe shkarkon komisionin që është përgjegjës për lëshimin e pëlqimeve për ndërhyrje në monumente. Pos që merr vendime pas propozimeve të komisionit, drejtori ka të drejtë të ndërpresë punimet në rastet kur konsiderohet se ndërhyrjet nuk janë në përputhje me legjislacionin e trashëgimisë kulturore.