Kulturë

Instituti Albanologjik pas Gjykatës zgjedh heshtjen “për të mos provokuar”

Instituti Albanologjik i Prishtinës

Institucionet e drejtësisë tashmë kanë pranuar dy shkresa për rastin e drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës: Prokuroria Speciale atë të ministres në detyrë të Arsimit e Gjykata Themelore në Prishtinë atë të Institutit

“Me këshillën e avokatit kemi vendosur të mos reagojmë, në mënyrë që të mos e pengojmë procesin në Gjykatë dhe të mos e provokojmë edhe më shumë situatën”, i është thënë KOHËS në Institutin Albanologjik të Prishtinës, të mërkurën pasdite, pak orë pasi i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë ku tenton ta rrëzojë vendimin e Ministrisë së Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që shfuqizoi zgjedhjen e drejtorit të këtij institucioni

Instituti Albanologjik i Prishtinës të mërkurën ka trokitur në dyert e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ka kërkuar që të hidhet poshtë vendimi i ministres në detyrë të Arsimit nëpërmjet të cilin zhbëhet vendimi ku Këshilli Drejtues ka zgjedhur Naim Berishën drejtor të institucionit. Masa e sigurisë ndaj vendimit të Nagavcit është kërkuar po ashtu. Por Instituti Albanologjik ka zgjedhur të heshtë sa i përket hapit të ri që ka ndërmarrë. 

Institucionet e drejtësisë tashmë kanë pranuar dy shkresa: Prokuroria Speciale atë të ministres Nagavci e Gjykata Themelore në Prishtinë atë të Institutit. Por IAP-ja ka zgjedhur të heshtë, pavarësisht se ndryshe ishte paralajmëruar kur u bë e ditur se do t’i drejtohet Gjykatës. 

“Me qëllim të sqarimit përfundimtar të kësaj çështjeje dhe për të shmangur çdo paqartësi ligjore dhe institucionale, Këshilli Drejtues autorizon drejtorin e Institutit që kontestin ta adresojë në Gjykatën kompetente, t’i informojë me kohë punonjësit e Institutit, MAShTI-n dhe opinionin publik”, shkruhej në atë që Instituti e kishte titulluar “Përgjigje e Këshillit Drejtues-IAP ndaj Vendimit të MAShTI-t”.  E tash IAP-ja ka vendosur të mos bëjë zë. 

“Me këshillën e avokatit kemi vendosur të mos reagojmë, në mënyrë që të mos e pengojmë procesin në Gjykatë dhe të mos e provokojmë edhe më shumë situatën”, i është thënë KOHËS në IAP, të mërkurën pasdite. 

Vendimi i ministres në detyrë, Nagavci, për anulimin e vendimit për zgjedhjen e Naim Berishës drejtor të IAP-së u bë shkas i përplasjeve midis dy institucioneve. U bë publik në Facebook, pasuan kundërpërgjigjet po aty, por përplasjet u thelluan edhe më kur u përmend Prokuroria Speciale e Kosovës. 

Pasditen e së hënës së 26 janarit, gati dy muaj pas zgjedhjes së drejtorit nga Këshilli Drejtues i IAP-së, ishte vetë ministrja në detyrë që plasoi vendin e nxjerrë nga kabineti i saj. “Anulohet vendimi me nr. IAP/127, i datës 04.12.2025, për zgjedhjen e drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës. Obligohet Këshilli Drejtues që pa e kaluar afatin ligjor prej dy (2) vjetësh, nga koha që Instituti nuk ka zgjedhur drejtor, duke përjashtuar kohën nga zgjedhja e drejtorit deri në anulimin e konkursit, mandatin e drejtorit t’ia kalojë ushtruesit të detyrës nga radhët e punonjësve të Institutit, të njoftojë Ministrinë për shpalljen e konkursit të ri për drejtor të Institutit, si dhe të marrë parasysh edhe rekomandimet e Ministrisë lidhur me kushtet dhe kriteret e konkursit për ndërkombëtarizimin e shkencës”, shkruhet në pikën e parë të vendimit. Në pikën e dytë obligohet Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme që të përfillë legjislacionin në fuqi. 

Qysh se u plasua vendimi, Këshilli Drejtues i IAP-së kishte dhënë shenja se nuk do ta përfillë atë. Pasoi postimi i radhës i ministres në detyrë me Prokurorinë Speciale. 

“Ndër të tjera, Prokurorinë e kam informuar se personat e dyshuar, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore, kanë kryer së paku këto vepra penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; Cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës, sipas nenit 218 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; Bashkëkryerja, sipas nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kishte shkruar ajo, po në rrjete sociale, pas orarit zyrtar të punës. 

Sipas ministres në detyrë të MASHTI-t, në bazë të raporteve dhe dokumenteve zyrtare të pranuara deri më tani, “është konstatuar se kemi të bëjmë me veprime të kundërligjshme me qëllim të përfitimit të pozitave të caktuara dhe beneficioneve të pozitës, duke mos respektuar dispozitat ligjore në fuqi dhe në tejkalim të autorizimeve dhe kompetencave ligjore”. 

Pas kësaj, me ton më të rreptë qe edhe përgjigjja i IAP-së. “Presion politik dhe publik mbi Institutin Albanologjik”, e kishte cilësuar IAP-ja këtë postim të ministres Nagavci. U përgjigj në rrjete sociale. 

“Ministrja në detyrë e MAShTI-t, znj. Arbërie Nagavci, është duke ushtruar presion politik dhe publik mbi Institutin Albanologjik të Prishtinës, si një institucion i pavarur kërkimor-shkencor që duhet të mbahet larg politikës. Në një postim në faqen e saj në rrjetin social Facebook, pas orës 16:00, ajo ka pohuar se i është drejtuar Prokurorisë Speciale të Kosovës lidhur me atë që ajo e cilëson si ‘shkelje ligjore dhe kërkesë për fillimin e procedurave penale në lidhje me procesin e zgjedhjes së drejtorit të Institutit Albanologjik’”, shkruhej në postimin e këtij institucioni shkencor. Sipas postimit, Instituti Albanologjik, gjegjësisht drejtuesit e tij, “ndihen nën presion publik, psikologjik dhe politik në kryerjen e detyrave pas këtij veprimi befasues të ministres në detyrë, meqë një çështje që është dhe do të duhej të cilësohej tërësisht administrative, ajo synon t’ia veshë petkun penal”.

Një drejtim të përkohshëm kjo çështje pritet ta marrë shpejt, pasi masa e sigurisë do të miratohet apo hidhet poshtë brenda ditësh. E cili institucion do të triumfojë përfundimisht në këtë çështje, pritet të shihet.