Kulturë

Instituti Albanologjik e Ministria paralajmërojnë përballje në gjykatë për rastin e drejtorit

Instituti Albanologjik i Prishtinës

Vendimin e MASHTI-t, Instituti Albanologjik i Prishtinës e konsideron ndërhyrje në autonominë institucionale dhe funksionale të Institutit, që është në kundërshtim me frymën kushtetuese të Kushtetutës së Republikës së Kosovës

Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës nuk e ka ndërmend ta përfillë vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, e cila synon ta rrëzojë vendimin e IAP-së për zgjedhjen e drejtorit. Do t’ia mësyjnë gjykatës. Kurse Ministria e Arsimit planifikon që qysh sot (e mërkurë) t’u drejtohet “organeve kompetente”. “Të gjitha shkeljet e adresuara në këtë vendim janë serioze dhe për këtë arsye, duke filluar nga dita e nesërme, do të procedohen në organet kompetente”, ka paralajmëruar MASHT-i

Gjykata del të jetë “fushëbeteja” e radhës midis Ministrisë së Arsimit dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës sa i përket zgjedhjes së drejtorit të institucionit shkencor.  Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e konsideron të paligjshëm procesin e zgjedhjes së drejtorit të IAP-së. Për këtë vetë ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci, ka nxjerrë vendim duke e obliguar IAP-në që ta zhbëjë vendimin e zgjedhjes së drejtorit. 

Bëhet fjalë për Naim Berishën, i zgjedhur në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar nga Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Por Këshilli Drejtues i këtij institucioni, si organi më i lartë, s’e ka ndërmend ta përfillë vendimin e Nagavcit. Do t’ia mësyjnë gjykatës. Kurse Ministria e Arsimit planifikon që qysh sot (e mërkurë) t’u drejtohet “organeve kompetente”. 

Historia e përplasjeve midis MASHTI-t dhe IAP-së, sa u përket drejtuesve të institucionit shkencor, nuk është re. Por kapitulli i fundit lidhet me zgjedhjen e drejtorit Naim Berisha. 

Ministria e Arsimit të hënën e kësaj jave ka nxjerrë vendim nëpërmjet të cilit synon të rrëzojë vendimin e Institutit për zgjedhjen e drejtorit. Po atë ditë Instituti e ka kundërshtuar publikisht duke e cilësuar si të pasafatshëm dhe të paligjshëm. E të martën, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të Institutit, ky organ ka shkuar edhe më tej. 

“Me qëllim të sqarimit përfundimtar të kësaj çështjeje dhe për të shmangur çdo paqartësi ligjore dhe institucionale, Këshilli Drejtues autorizon drejtorin e Institutit që kontestin ta adresojë në gjykatën kompetente, t’i informojë me kohë punonjësit e Institutit, MASHTI-n dhe opinionin publik”, shkruhet në përgjigjën që Këshilli Drejtues ka për Ministrinë e Arsimit. Është një përgjigje e gjatë ku, sipas Këshillit Drejtues, jepen argumente që rrëzojnë vendimin e ministres në detyrë, Arbërie Nagavci. 
“Konstatim përfundimtar”, shkruhet në pjesën e fundit të përgjigjes dhe aty shkruhet se vendimin e MASHTI-t e konsiderojnë ndërhyrje në autonominë institucionale dhe funksionale të Institutit, që është në kundërshtim me frymën kushtetuese të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. 

“Vendimi i MASHTI-t është i pasafatshëm, sepse është marrë më datë 26.1.2026, 53 ditë pasi IAP-ja e ka njoftuar MASHTI-n për vendimin. Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative i saktëson këto afate, kemi të bëjmë me heshtje administrative”, shkruhet në një prej pikave. Më pas ceket se MASHTI është informuar për fillimin e procedurës për shpalljen e konkursit, Këshilli Drejtues i IAP-së ka hartuar kushtet dhe kriteret e konkursit dhe se nëse kriteret ose ndonjë dispozitë e këtij konkursi nuk ka qenë e ligjshme, pse MASHTI nuk ka reaguar me kohë, kur i ka edhe anëtarët e vet të emëruar në Këshillin Drejtues. 

“Procedura e shpalljes së konkursit, vlerësimit të kandidatëve dhe votimit në Këshillin Drejtues është zhvilluar në pajtim me bazën ligjore dhe aktet nënligjore të zbatueshme; Kriteret e konkursit kanë qenë të ligjshme, transparente dhe të harmonizuara me Ligjin nr.04/L-135 për Veprimtari Kërkimore-Shkencore, Statutin e Institutit dhe rregulloret e brendshme”, shkruhet në përgjigje. Bëhet e ditur se anëtarët e Këshillit Drejtues të IAP-së, të emëruar nga MASHTI, nuk kanë marrë pjesë në mbledhjet e këtij organi që nga qershori i vitit 2025, ndonëse pjesëmarrja në mbledhje është e obligueshme sipas Rregullores së Punës së Këshillit Drejtues dhe deklaratës nën betim që ata kanë nënshkruar. 
“Gjithashtu, nga shqyrtimi i hollësishëm i të gjitha pikave u konstatua se ky vendim nuk ka mbështetje në bazën ligjore të zbatueshme mbi të cilën funksionon Instituti Albanologjik i Prishtinës”, shkruhet në përgjigje. 

KOHA pasditen e së martës ka kërkuar një përgjigje nga MASHTI për situatën e re. 

“Ashtu siç kemi paralajmëruar një ditë më parë, të gjitha shkeljet e adresuara në këtë vendim janë serioze dhe, për këtë arsye, duke filluar nga dita e nesërme, do të procedohen në organet kompetente. Instituti Albanologjik i Kosovës është i obliguar ta respektojë këtë vendim”, ka thënë në një përgjigje me shkrim Shpresa Kokollari, drejtuese e Divizionit për Komunikim Publik në MASHTI.

Sipas përgjigjes, Këshilli Drejtues obligohet që pa vonesë të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për caktimin e ushtruesit të detyrës dhe shpalljen e konkursit. 

“Si Ministri e Arsimit mbesim të përkushtuar ndaj respektimit të legjislacionit në fuqi dhe parimit të meritokracisë”, shkruhet në përgjigje. 

Të hënën pasdite vetë ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale se është anuluar vendimi për zgjedhjen e drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës. 
Institucioni që e udhëheq Nagavci e ka publikuar edhe vendimin. Ky dokument është nxjerrë nga kabineti i ministres në detyrë dhe është nënshkruar nga vetë ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci. Nuk mban emra të ndonjë zyrtari ligjor që mund të ketë shqyrtuar procedurën. Dhe, vendimi është nxjerrë gati dy muaj pas vendimit të Këshillit Drejtues të IAP-së për zgjedhjen e Naim Berishës drejtor të institucionit. 

“Anulohet vendimi me nr. IAP/127, i datës 04.12.2025, për zgjedhjen e drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës. Obligohet Këshilli Drejtues që pa e kaluar afatin ligjor prej dy (2) vjetësh, nga koha që Instituti nuk ka zgjedhur drejtor, duke përjashtuar kohën nga zgjedhja e drejtorit deri në anulimin e konkursit, mandatin e drejtorit t’ia kalojë ushtruesit të detyrës nga radhët e punonjësve të Institutit, të njoftojë Ministrinë për shpalljen e konkursit të ri për drejtor të Institutit, si dhe të marrë parasysh edhe rekomandimet e Ministrisë lidhur me kushtet dhe kriteret e konkursit për ndërkombëtarizimin e shkencës”, shkruhet në pikën e parë të vendimit. 

Në pikën e dytë obligohet Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme që të përfillë legjislacionin në fuqi. Sipas vendimit të ministres në detyrë, Nagavci, konkursi publik i datës 14.10.2025 për zgjedhjen e drejtorit të Institutit nuk i ka respektuar rekomandimet e dhëna nga MASHT-i më 10.04.2025, lidhur me kushtet dhe kriteret e konkursit. Në arsyetim shkruhet se Programi Kombëtar i Shkencës 2023-2028 e identifikon ndërkombëtarizimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore si një objektiv strategjik. 

“Në këtë kuadër IAP-ja ka qenë e obliguar t’i përfshijë rekomandimet e MASHTI-t, të cilat parashihnin kushte dhe kritere shtesë në konkurs për drejtor, me qëllim të ngritjes së standardit shkencor dhe të ndërkombëtarizimit të Institutit”, shkruhet në arsyetim. 

Sipas vendimit, asnjë nga anëtarët e Këshillit Drejtues nuk është caktuar në Komisionin për vlerësimin aplikantëve për pozitën e drejtorit të IAP-së. 

“Neni 27, paragrafi 3 i Statutit të IAP-së parashikon se: Komisioni përbëhet prej pesë anëtarëve, të cilët i cakton Këshilli Shkencor nga radha e punonjësve shkencorë të Institutit. Anëtarë të Komisionit mund të caktohen edhe punonjës nga institucione të tjera të shkencës’”, shkruhet në vendim. Ministria ka ardhur në përfundim se përbërja e Komisionit për vlerësimin e aplikantëve për pozitën e drejtorit të IAP-së është e paligjshme.