E lansuar së fundmi, “Hyp mbi re” është kënga e Tomor Kuçit që vjen si njoftim për album solo. Koha ka kuptim të shumëfishtë te kantautori, emri i të cilit është etabluar tashmë në skenën e muzikës jokomerciale, e në këtë rast edhe hapjen e një kapitulli të ri, jo vetëm si projekt por edhe si zhanër i ri
“Për çdo ditë po vjen mëngjesi...” është vargu i parë i këngës. “...kur ka nevojë sharro shumë thellë, pranoje edhe hyp mbi re”, janë dy të fundit. Në mes është një gjendje, përjetim e thirrje. Ka diçka të ngjashme midis këngës së tij dhe karrierës. Dallimi është se ai nuk sharron në muzikë, por hip mbi retë e saj dhe paralajmëron fluturime të reja.
“Hyp mbi re” është kënga e Tomor Kuçit e lansuar së fundmi e që vjen si njoftim për album solo. Kantautori, emri i të cilit është etabluar tashmë në skenën e muzikës alternative, si pjesëtar grupesh – “Oborri” dhe jo vetëm – synon një kapitull të ri.
“Kjo është këngë e albumit që del vitin e ardhshëm. Gjatë këtij viti do të publikoj edhe këngë të tjera. Ky videoprojekt është realizuar rastësisht kur isha në Amerikë te vëllai im Arbëri, dhe vendosëm ta realizojmë klipin. Është xhiruar në Washington DC. Bashkëpunimi me Arbërin ka shkuar shumë mirë, nuk e kemi ditur që kemi kimi të tillë mes vete kur bëhet fjalë për punën, kështu që me gjithë qejf mendoj se do të bashkëpunojmë sërish”, ka thënë Kuçi i ftuar në emisionin “Express” të KTV-së.
Thjeshtësia është ajo që e ruan ky kantautor dhe e natyrshme se do të reflektohet edhe në projektet e tij. Në fakt, krejt arti i Kuçit dhe i shokëve të tij është një lloj kontrasti me skenën e zhurmshme të showbizit.
“Videoklipi është xhiruar me telefon mobil iPhone nga Arbëri, kurse unë e kam bërë montazhin e tij”, ka thënë ai.
“Hyp mbi re” thotë se është pritur mirë. Nuk ka miliona klikime, nja një mijë e 500 për një javë, por kjo s’është njësia matëse në këtë rast.
“Vlerësimet që i kam marrë deri më tani janë kryesisht pozitive dhe më vjen shumë mirë prej fjalëve që po i pranoj nga njerëzit rreth projektit, po më gëzojnë shumë. Për artistin është një lloj çlirimi të lansoj diçka te publiku, prandaj po, po ndihem shumë i lumtur”, ka thënë Kuçi. Ai është artist. Ligjërues universitar muzike, instrumentist, kompozitor e aranzhues. Producent po se po. Në rastin e “Hyp mbi re” edhe autor i videoklipit. S’e imponon shpjegimin për këngën. Megjithatë, jep versionin e tij.
“Kam dëshirë t’iu lë hapësirë njerëzve që ta bëjnë interpretimin e tyre të një kënge. Edhe unë vetë ndoshta ndonjë këngë ekzistuese e kam kuptuar në mënyrën time duke i pasur parasysh eksperiencat e mia. ‘Hyp mbi re’ i ka disa elemente që i trajton. Është elementi i kohës, pra si e përjeton njeriu me kalimin e moshës kohën, duke e parë se sa shpejt kalojnë ditët, pastaj si i rivlerësojmë disa lloje të durimit të gjërave. Por nganjëherë na duhet të sharrojmë thellë e më thellë për t’i parë disa probleme, në mënyrë që të mund të ‘hypim mbi re’”, ka thënë ai duke përdorur në përgjigje edhe një varg të këngës të cilën e ka shkruar vetë.
Është krejt e natyrshme kur thotë se është një person që dëgjon shumë muzikë. “Zakonisht nevoja për të kompozuar, në njëfarë mënyre mund të themi se lind nga ajo që të mungon. Është normale që njeriu të frymëzohet nga gjërat që i dëgjon. Por nevoja është të bësh diçka që po mungon në botë, të paktën kjo është ndjenja ime kur shkruaj muzikë. Besoj se është stil i ri i muzikës te ne, të paktën sipas njohurive të mia për muzikën. E kam realizuar këngën duke u bazuar në atë që është diçka e re dhe ndryshe”, ka thënë ai.
Tomor Kuçi si producent ka thënë se i bie të punojë me artistë të ndryshëm “Mund të them se kam parë shumë artistë të rinj të mirë dhe të talentuar, është duke ndodhur një zhvillim në Kosovë, për të cilin jam shumë i lumtur. Por gjithashtu më bie të ligjëroj në fakultet dhe kam studentë të cilët janë të përfshirë nëpër projekte të ndryshme që publikohen. Është njëfarë energjie e re dhe ka shumë talentë të rinj në vendin tonë, dhe më vjen shumë mirë që po shkojnë duke u zhvilluar dhe duke mësuar për muzikën e mirë dhe kualitative. Janë goxha eksplorues dhe për këtë më vjen shumë mirë”, ka thënë Kuçi, eksplorues edhe me “Hyp mbi re”.
Në fakt, ky është rikthimi i tij në skenë, një vendim i kahershëm.
“Më herët kam punuar me bende të ndryshme të muzikës dhe aty kam shkruar këngë të cilat i kemi publikuar bashkë. Por nga viti 2017 kam filluar të incizoj këngë solo. Kam shumë albume të cilat as nuk i kam lansuar ndonjëherë. Janë këngë që kanë mbetur në laptop, sepse u ka ikur momenti. Ndërsa ky projekt është realizuar gjatë një periudhe trevjeçare, dhe më në fund kam vendosur të ndalem, të mos shkruaj këngë të reja, dhe t’i lansoj këto këngë tek të cilat e kam gjetur veten sa i përket stilit”, ka thënë ai.
Albumi lansohet vitin e ardhshëm dhe aty do të përfshihen të gjitha këngët që i ka paralajmëruar, por edhe disa këngë të reja.
“Albumi ka disa influenca në aspektin e zhanreve, do të ketë elemente të hip-hopit modern, trap, drill, të përziera me elemente të popit, muzikës alternative dhe asaj elektronike”, ka thënë ai.
“Hyp mbi re” është vetëm fillimi.