Valdrin Thaqi, artist i gjeneratës së re, provon të provokojë në dimensione të ndryshme. Herë krijon përshtypjen se është në kërkim të një identiteti e herë duket sikur e ka gjetur, por synon të luajë me atë e ta sfidojë deri në limitet që ia del. Identiteti, ekzistenca e nocioni i shtëpisë janë triptiku që s’u ndahet asnjërës prej veprave. Me ekspozitën e tij “Shtëpia mbi kodër”, Galeria Kombëtare e Kosovës ka inauguruar “shtëpinë” e re të përkohshme në atë që dikur ishte Galeria e Ministrisë së Kulturës
“Shtëpia mbi kodër” s’është peizazh e as ndonjë skulpturë ku ndonjë shtëpi vendoset në një vend të caktuar. Është një copë skeleti, një legen që duket se ka ngelur diku. Nga një tjetër dimension është shtylla e një trupi. Në këtë kontekst prek simbolikën e shtëpisë si shtyllë të mbamendjes së një fëmije.
Vadrin Thaqi luan fort me tituj që krijojnë pritje të tjera. Në konceptin kuratorial, paqartësia është forca e veprës së tij. Por duket se paqartësia është edhe shtysa e veprave. Ose ndonjë alamet qartësie.
“Shtëpia mbi kodër”, pos si vepër, është titulli i ekspozitës nëpërmjet së cilës Galeria Kombëtare e Kosovës ka inauguruar hapësirën e re që deri tash ishte Galeria e Ministrisë së Kulturës apo “Qafa”.
Ndërtesa e GKK-së do t’i nënshtrohet restaurimit e veprimtaria do të zhvillohet te hapësira e rinuar.
Valdrin Thaqi, artist i gjeneratës së re, provon të provokojë në dimensione të ndryshme. Herë krijon përshtypjen se është në kërkim të një identiteti e herë duket sikur e ka gjetur, por synon të luajë me atë e ta sfidojë deri në limitet që ia del. Identiteti, ekzistenca e nocioni i shtëpisë janë triptiku që s’u ndahet asnjërës prej veprave. Estetikisht të pasura e të pastra, njëherësh spekulative ato fusin audiencën në një lojë jo fort të lehtë.
“Janë tepër vepra personale. Duke filluar edhe nga titulli i ekspozitës. Shtëpia ime e fëmijërisë ka qenë mbi në kodër. Pastaj edhe veprat e tjera reflektojnë mbi këto narrativa të identitetit, të shtëpisë, narrativa kulturore e të tjera”, ka thënë Thaqi pak para hapjes së ekspozitës të mërkurën mbrëma.
Titujt e veprave i shfrytëzon si ftesë të drejtpërdrejtë për audiencën, por nëpërmjet veprave ngacmon imagjinatën, provokon mbi identitetin dhe mundohet të fusë të pranishmit të sfidojnë veten në raport me konceptet që kanë për jetën duke nisur nga identiteti.

“Në fakt emrat janë të drejtpërdrejtë, por veprat nuk më duken shumë të drejtpërdrejta. Në fakt lënë vend që publiku të zbulojë gjëra brenda pikturave. Nëse e sheh pikturën ‘Nëna’, është një djalosh duke mbajtur një gotë qumështi. Do të thotë është e shtresuar dhe si publik të jep material ta zbulosh pikëpamjen tënde”, ka thënë ai.
Te kjo vepër çfarë nuk mund të aludohet. Djaloshi me një gotë qumështi krejtësisht i zhveshur vjen nën titullin “Nëna”. E krahas saj “prova” sjell një grua që maskon në shtatzëni duke ia veshur vetes një shtesë salikoni. Thaqi s’e ka fort në qejf të thellohet në bisedë për veprat pasi duket se paqartësia e tentuar e ka bërë pak edhe peng të vetin.
Kur ka folur për dallimin midis titujve dhe përmbajtjes ka thënë se simboli i qumështit lidhet shumë me nënën e gjenezën.
“Kur e kemi edhe këtë karakterin që e mban gotën e qumështit, këtu krijohet loja që publikut i jep hapësirë për vetinterpretim e jo veç çfarë ka dashur të thotë artisti. Ideja lind, por nuk vjen e gatshme. Piktura është proces i gjatë derisa vjen në një pikë ku thua u krye dhe nuk e prek më”, ka thënë ai.
Skulptura “Bora e Parë” paraqet shtëpi të bardhë që qëndron përballë një fëmije që luan me një lloj shigjete dhe vjen në perspektiva të ndryshme. Duket sikur artisti është kthyer në vendlindjen e tij në Skenderaj dhe prej atje shoshit identitetin.
Kuratorja e ekspozitës, Erka Shalari, ka thënë se veprat sjellin një ekzistencë që zhvillohet dhe evoluon.
“Mua më duket se Valdrini është gjithmonë filozofik. Unë gjithmonë marr shtresëzime të reja. Sikur s’mbarojnë kurrë këto shtresëzime. Magjia e veprës është gjithmonë aty”, ka thënë Shalari. Veprat e Thaqit i sheh si diçka që gjithmonë kanë për të zbuluar diçka tjetër.
“Më pëlqen zhveshja që u ka lënë veprave të tij për t’u parë nga të dyja anët e Galerisë. Kjo i shkon jashtë mase punës së tij”, ka thënë ajo. Duket se Thaqi ka bërë të paktën gjysmën e punës së kurimit. Sipas kuratores, nga ana sociale ai sikur ngre edhe pikëpyetje: “Përse kjo lloj paqartësie në këto kohëra”. “Më bën të mendoj shumë për kohën në të cilën po jetojmë”, ka thënë ajo.
Thaqi, i cili ka përfunduar shkollën e artit “Odhise Paskali” në Pejë e pastaj ka studiuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ka qenë student i Zake Prelvukajt. Ajo ka thënë se kjo ekspozitë është vetë Valdrini.
“Prej vitit të dytë ne nuk kemi folur vetëm për arte. Por kemi folur edhe si është krijuar pianoja, çfarë janë rozetat, kemi shkuar edhe përtej se çfarë bën NASA, çka janë zhvillimet teknologjike e ku na prekin. Nuk u kam qëndruar mbi kokë studentëve, por i kam mësuar të vetëstudiojnë. Do të thotë të studiojnë atë që duan ta marrin ose absorbojnë për ta plasur si artistë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Thaqi i njeh mirë realizmin e hiperrealen.
“Ai di të luajë me matematikën e fytyrës. Do të ketë një emër që do të pasurojë artin tonë, por do të jetë sa kosovar edhe global”, ka thënë Pelvukaj.
Në ekspozitën e tij të parë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Thaqi është paraqitur me disa fragmente të krijimtarisë së tij. Janë fragmente që sikur paralajmërojnë të panjohura e nganjëherë edhe sjellin të panjohura. Mbesin midis provokimit dhe tentimit për të dalë nga ajo gjendje.