Ekspozita e Holokaustit “Diagnoza racore: ‘magjup’ – gjenocidi nazist mbi sinti-romët dhe lufta e gjatë për njohje” është hapur në qendrën “Evropa” në Prizren, me synimin që për vizitorët të ofrojë jo vetëm një mësim për historinë dhe vuajtjet e romëve, por të shërbejë edhe si një moment reflektimi mbi përgjegjësinë njerëzore ndaj antisemitizmit, racizmit dhe antigjipsizmit
Në kujtesën e romëve ende rëndon plaga e relativizimit të krimeve të luftës të kryera ndaj tyre nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tmerret e përjetuara gjatë asaj kohe janë sjellë në vëmendjen e publikut me ekspozitën e Holokaustit “Diagnoza racore: ‘magjup’ – gjenocidi nazist mbi sinti-romët dhe lufta e gjatë për njohje”, që është hapur në qendrën “Evropa” në Prizren.
Ekspozita prezantohet përmes një sërë objektesh, fotografish dhe elementesh që pasqyrojnë Holokaustin kundër romëve. Vizita në këtë ekspozitë nga nikoqirët është përshkruar jo vetëm si një mësim për historinë dhe vuajtjet e romëve, por edhe si një moment reflektimi mbi përgjegjësinë njerëzore ndaj antisemitizmit, racizmit dhe antigjipsizmit, dukuri që kanë jehonë edhe në ditët e sotme. Ishte hapur për herë të parë në Prishtinë, muajin e kaluar, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Orhan Butiq nga organizata joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” ka theksuar se kjo temë është heshtur për një kohë të gjatë dhe se sot duhet nderuar viktimat, por edhe të theksohet rëndësia e ballafaqimit me të kaluarën. Sipas tij, Holokausti ishte një gjenocid masiv, sistematik dhe i planifikuar që morri miliona jetë.
ishin një nga grupet që vuajtën nën politikën naziste, e cila synoi zhdukjen dhe spastrimin e grupeve etnike inferiore. Romët iu nënshtruan abuzimeve të paprecedentë, persekutimit, punës së detyruar, sterilizimit, eksperimenteve dhe vrasjeve masive. Vlerësohet se midis 220 mijë deri në 500 mijë romë u vranë gjatë Holokaustit”, ka thënë Butiq.
Sylejman Elshani, zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka theksuar se nëpërmjet kësaj ekspozite përkujtohen të gjitha viktimat romë dhe sinti, por edhe të nacionaliteteve të tjera.
“Më 2 gusht të vitit 1944, gjatë ditës, u vranë në dhomën e gazit 4.300 sinti dhe romë të fundit, që ende jetonin në të ashtuquajturin "kamp i ciganëve", në kampin e përqendrimit dhe shfarosjes, i quajtur Auschwitz-Birkenau. Kjo ditë është simbol për Holokaustin e nazistëve ndaj më shumë se 500 mijë sintive dhe romëve në Evropën e pushtuar”, ka thënë Elshani.
Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit, duke vënë në pah diversitetin dhe shumëgjuhësinë që ekziston në këtë qytet, ka theksuar se ekspozita merr kuptim më të madh në të, marrë parasysh edhe faktin që gjuha rome ka fituar statusin e gjuhës në përdorim zyrtar.
“Ne të gjithë në këto treva, këtu e dimë më së miri se çka do të thotë diskriminimi, prandaj edhe kemi një obligim më tepër që t’i përkujtojmë veprat e tilla, të ngremë zërin kundër veprave të tilla dhe të japim maksimumin tonë që këto gjëra jo vetëm të mos përsëriten, por edhe të mos harrohen”, ka thënë Totaj.
Ai është pajtuar me konstatimet se pasojat e të shkuarës dhe termet pezhorative ndaj romëve akoma ekzistojnë dhe ka bërë thirrje që ato të eliminohen.
nga ne duhet të japë kontributin e vet që ngadalë t’i eliminojmë nga përdorimi këto shprehje, t’i heqim nga gjuha jonë e përditshme dhe të kuptojmë njëherë e përgjithmonë se diversiteti që ekziston në Prizren në këtë rast, por edhe në Kosovë është diçka që neve na bën më të fortë dhe jo që na bën më të dobët”, ka thënë Totaj.
Në pjesët tekstuale të ekspozitës, vihet në pah se si përvoja traumatike e mungesës totale të të drejtave, si dhe dehumanizimit është varrosur tani thellë në kujtesën kolektive të kësaj pakice dhe se kujtimi i viktimave duhet të ketë një përkushtim të qëndrueshëm. Në të njëjtën kohë përkujtohet se sinti dhe romët me numër prej 10 deri në 12 milionë pjesëtarë përbëjnë pakicën më të madhe në Evropë dhe se në baza ditore ata jo vetëm që përballen me diskriminimin, por edhe me dhunë në baza racore. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit qershor.
Në Prishtinë, më 10 maj mblodhi në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës zyrtarë të lartë shtetërorë e përfaqësues ndërkombëtarë. Në mesin e tyre kishin qenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori i Gjermanisë, Joern Rohde, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, zëvendësambasadori i Italisë, Ugo Ferrero, dhe zyrtarë e aktivistë për të drejtat e njeriut.