Kulturë

Hollywoodi në flakë: Shtyhen nominimet për “Oscar”, shenjat ikonike në rrezik

Zjarri i fundit

Zjarri i fundit shpërtheu të mërkurën pasdite në kodrat e Hollywoodit, shumë afër Bulevardit të Famës. Zjarret masive që kanë kapluar qytetin kanë shkaktuar kërdi për banorët e Los Angelesit si dhe industrinë e filmit dhe televizionit në këtë zonë

Foto: Associated Press

Nominimet që zbardhin yjet dhe filmat në garë për çmimet e “Academy Awards” tani do të zbulohen më 19 janar. Disa ceremoni të tjera janë anuluar në tërësi njësoj sikurse edhe xhirimet e filmave, serialeve e produksioneve televizive. Flakët rrezikojnë edhe shenjat ikonike të Hollywoodit, sikurse struktura 15 metra e lartë që u vendos në vitet ‘70. Ndërtesat e tjera ikonike të rrezikuara nga zjarri janë amfiteatri “Hollywood Bowl”, teatri kinez “TCL”, teatri “El Capitan”, muzeu “Madame Tussauds”, “Magic Castle”, klubi i komedisë “The Comedy Store”, kompleksi “Ovation Hollywood”

Ngjarja në të cilën bëhen të ditura nominimet e sivjetme për çmimet “Oscar” është shtyrë për dy ditë, për shkak të zjarreve vdekjeprurëse që kanë shpërthyer në zonën e Los Anngelesit. Ishte planifikuar që nominimet të bëheshin publike të premten më 17 janar, por yjet dhe filmat në garë për çmimet e “Academy Awards” tani do të zbulohen më 19 janar. Votimi për afërsisht 10 mijë anëtarët e Akademisë, që ishin hapur më 8 janar, po ashtu janë shtyrë për dy ditë.

Prezantuesi i kaluar i ceremonisë prestigjioze “Oscar”, Billy Crystal, është në mesin e të famshmëve që i kanë humbur shtëpitë nga zjarri, përfshirë këtu edhe yjet Paris Hilton, James Woods dhe Miles Teller.

Në një letër dërguar anëtarëve, kryeshefi ekzekutiv i Akademisë, Bill Kramer tha: “Shprehim ngushëllimet tona më të thella për të gjithë ata që janë prekur nga zjarret shkatërruese në Kaliforninë Jugore. Shumë nga anëtarët tanë dhe kolegët e kësaj industrie, jetojnë dhe punojnë në zonën e Los Andgelesit dhe duam ta dini se ju kemi në mendje gjatë kësaj periudhe të vështirë për të gjithë”.

Conan O’Brien do ta prezantojë ceremoninë e ardhshme “Oscar” që mbahet në teatrin “Dolby” në Bulevardin e Hollywoodit më 2 mars. Zjarri i fundit shpërtheu të mërkurën pasdite në kodrat e Hollywoodit, shumë afër Bulevardit të Famës. Zjarret masive që kanë kapluar qytetin kanë shkaktuar kërdi për banorët e Los Angelesit si dhe industrinë e filmit dhe televizionit në këtë zonë.

Si pasojë e kësaj situate, ceremonia “Critics Choice Awards”, e planifikuar të mbahet në Santa Monica, është zhvendosur gjithashtu nga 12 në 26 janar.

Zjarret e vazhdueshme kanë shkaktuar ndërprerje të madhe në prodhimet televizive

“Kjo tragjedi që po zhvillohet ka pasur tashmë një ndikim të thellë në komunitetin tonë. Mendimet dhe lutjet tona janë me ata që po luftojnë kundër zjarreve shkatërruese dhe me të personat që janë prekur nga kjo katastrofë”, ka thënë Joey Berlin, shefi ekzekutiv i Shoqatës së Kritikëve të Hollywoodit.

Ndeja e përvitshme “BAFTA Tea Party”, një ngjarje e organizuar nga Akademia Britanike e Arteve të Filmit dhe Televizionit, gjithashtu është anuluar. Ngjarja do të zhvillohej në hotelin “The Four Seasons” në Beverly Hills të shtunën më 11 janar. Po ashtu është anuluar shpallja e nominimeve për çmimet “WGA”, që i ndan Shoqata e Skenaristëve të Amerikës.

Ylli i serialit “Hacks”, Jean Smart, ka bërë një kërkesë publike për rrjetet televizive dhe platformat digjitale që “të shqyrtojnë seriozisht mundësinë e mostransmetimit të ceremonive të ardhshme shpërblyese”, marrë parasysh rrethanat. Ajo kërkoi që në vend të kësaj, transmetuesit t’i dhurojnë të ardhurat që do të kishin fituar, për viktimat e zjarreve dhe për zjarrfikësit.

Zjarret e vazhdueshme kanë shkaktuar ndërprerje të madhe në prodhimet televizive, pasi organizata FilmLA – e cila jep leje për xhirime në Los Angeles – lëshoi një njoftim duke këshilluar se “burimet e personelit që zakonisht janë në dispozicion për të mbështetur prodhimin e filmave, mund të mos jenë të disponueshme gjatë kësaj kohe”.

Serialet e prekura nga pezullimi i punës përfshijnë sezonin e dytë të “Fallout”, “Abbott Elementary” dhe “Grey’s Anatomy”. Edhe studioja “NBCUniversal” ka bërë të ditur se ka pezulluar xhirimet e serialeve televizive, “Loot”, “Ted”, “Suits: LA”, “Happy’s Place” dhe “Hacks”, që fitoi çmimin “Globi i Artë” në ceremoninë e javës së kaluar.

“Jimmy Kimmel Live!”, “The Price Is Right” dhe “After Midnight”, janë ndër emisionet televizive që gjithashtu kanë pezulluar prodhimin deri në kohë të pacaktuar.

Shenja ikonike e Hollywoodit në Los Angeles është në rrezik të digjet, pasi zjarre të fuqishme po vazhdojnë të përhapen nëpër Kaliforni. Zjarri në bulevardin “Sunset” ka shkaktuar tashmë vdekjen e pesë personave dhe ka djegur lagjet në tërësi. Mbi 2 mijë objekte, kryesisht shtëpi, janë shkatërruar dhe më shumë se 130 mijë janë nën urdhra evakuimi. Kjo shifër pritet të rritet.

Por flakët i janë afruar shenjës së famshme të Hollywoodit, duke kërcënuar djegien e strukturës 15 metra të lartë që u vendos në vitet ‘70. Ndërtesat e tjera ikonike të rrezikuara nga zjarri janë amfiteatri “Hollywood Bowl”, teatri kinez “TCL”, teatri “El Capitan”, muzeu “Madame Tussauds”, “Magic Castle”, klubi i komedisë “The Comedy Store”, kompleksi “Ovation Hollywood”, hoteli “Hollywood Roosevelt” dhe Bulevardi i Famës.