Gati dy muaj pasi në Beograd “debutoi” në anglisht, “Hije të shtrembëruara” vjen edhe në shqip me rrëfimet e ish të burgosurve në famëkeqin Goli Otok. Pjesë rrëfimesh janë ringjallur në ish-Burgun e Prishtinës, e në përurim është ritheksuar domosdoshmëria e dokumentimit të së kaluarës
“Kjo është drita e fundit e jetës sime që po e shoh”, kishte dëshmuar Pajazit Jashari, ish i burgosur në burgun famëkeq të Goli Otokut. Kishte arritur të arratiset nga burgu në ishullin kroat, derisa ishte lodhur për vdekje kur i kishin mbetur vetëm edhe njëqind metra deri në bregdet. Papritmas i kishin rënë dritat e policisë. “Kom nejt në shpinë e vdekjen e pritsha”, thuhet në rrëfimin e Jasharit, që në atë moment i kishte shpëtuar edhe vdekjes, edhe burgut, teksa ishte fshehur në errësirën e pafund të Adriatikut. Kështu vijon një pjesë e rrëfimit të një nga ish të burgosurve që përjetuan rrahje, tortura e vdekje në Goli Otok, i vetmi kamp për “riedukim politik” në territorin e ish-Jugosllavisë.
Në hapësirat e ish-Burgut të Prishtinës, tash muze, është promovuar botimi në shqip “Hijet e shtrembëruara”. Vjen gati dy muaj pas atij në anglisht, që u përurua në Beograd në kuadër të festivalit “Mirëdita, Dobar dan!”, tek risjell rrëfimet rrëqethëse për burgun ku dënimet nuk kryhen vetëm me privim të lirisë. Personazhet që ndajnë historitë e tyre nuk kursehen të përçojnë eksperiencat e tmerrshme për të cilat është e çuditshme vetë mundësia për t’i rrëfyer e për t’i grumbulluar në një libër.
Një ditë pasi zyrtarisht ish-Burgu i Prishtinës u rihap si muze, ka asocuar edhe me grumbullimin në një vend me autorët e rrëfimeve në libër, ekipin realizues, publikun e panelin prej tre anëtarësh: redaktoren Aurela Kadriu, historianen Mrika Limani-Myrtaj dhe analistin e studiuesin Shkëlzen Gashi, moderuar nga gazetari Eraldin Fazliun. Një pjesë të përjetimit të burgut, para se ta lexojnë librin, të pranishmit e kanë përjetuar derisa kanë kaluar nëpër korridoret e hapësirës, ku të martën u hap ekspozita e përkohshme “Burgu i idealit”.
Kur “debutoi” në anglisht në fundmajin e këtij viti, “Hije të shtrembëruara” në kryeqytetin e Serbisë qe zbërthyer si simbol i frikës së pushtetit jugosllav me një kapitull të trishtë për shqiptarët. Nga organizata “Integra”, që e ka botuar, kanë thënë se kishte qenë diskutim i frytshëm, ngase rrëfimi i shqiptarëve për Goli Otokun është pak i përfaqësuar.
Redaktorja Aurela Kadriu ka thënë se ka qenë mundësi po ashtu për të parë edhe perspektivën e shoqërisë serbe ndaj burgut, mënyrën sesi rrëfimi është bërë pjesë e rëndësishme e identitetit të tyre kombëtar në vazhdën e burgosjeve politike që u janë bërë shqiptarëve.
Edhe
Libri me rrëfimet për Goli Otokun vjen edhe në shqip
Edhe më të qasshëm në përjetimet e ish të burgosurve në Goli Otokun famëkeq, lexuesit janë që nga mbrëmja e së mërkurës kur libri “Hije të shtrembëruara” me nëntitull “Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në Burgun e Goli Otokut” flet edhe shqip. Kadriu ka vlerësuar se këto rrëfime kanë ardhur jashtëzakonisht vonë, për aq kohë sa ka rrëfimtarë që nuk jetojnë më, teksa ka përmendur edhe sfidat subjektive për hulumtuesit kosovarë në ngjarje të tilla.
“Gjithë të burgosurit e tjerë në ish-Jugosllavi janë të regjistruar në regjistra zyrtarë, por për shqiptarët ka pasur raste që nuk kanë qenë të regjistruar dhe as vetë nuk e kanë ditur se ku po shkojnë. Burimet zyrtare që janë në arkiva në vendet e ish-Jugosllavisë janë të njëanshme, pasi nuk e tregojnë të gjithë rrëfimin e shqiptarëve, pasi është rrëfim unik”, ka thënë ajo, derisa ka përmendur se rrëfimet për Goli Otokun nuk janë domosdoshmërisht pjesë qendrore e rrëfimeve të tyre, ngase për disa nga ta, rrëfimet e tilla janë në vazhdën e rrëfimeve të tjera për burgun.
Është vlerësuar se nëse vetëm një gjë do të ndërlidhte rrëfimet ndërmjet vete, do të ishte fjala “solidaritet”. Në shumë nga rrëfimet flitet edhe për mërzinë e lënies pas të shokëve në burg pas lirimit, që ndoshta edhe e ka mundur lumturinë për përqafimin me lirinë e shpëtimin nga tortura.
Panelisti Shkëlzen Gashi rrëfimet i vlerëson si shumë të rëndësishme për të kuptuar të kaluarën e popullit shqiptar, edhe pse të pamjaftueshme. Ka folur në përgjithësi për ish të burgosurit politikë e jo vetëm ata në Goli Otok.
“Njëri nga të burgosurit thotë: ‘Momenti më i rëndë ka qenë kur kam dalë nga burgu dhe i kam lënë shokët brenda’. E ka thënë edhe kryeministri, e ka thënë edhe Demaçi, e thonë gjithë të burgosurit politikë”, ka thënë Gashi, derisa në fjalën e tij ka adresuar edhe kritika drejt botimit. Ka thënë se ka pasur pritshmëri në të dhëna më të sakta në lidhje me numrin e të burgosurve politikë. Nga Shoqata për të Burgosurit Politikë të Kosovës thotë se kishte kërkuar numrin e saktë të të burgosurve dhe kishte marrë shifrën përafruese të tyre.
“Kështu i kemi krejt ne. Rreth 13 mijë të burgosur, rreth 12 mijë të vrarë. Krejt me ‘rreth’ i kemi. Kjo është problematike”, ka thënë ai, derisa kritika ka adresuar edhe për mungesën e tabelës përmbajtjesore, renditjes sipas një rregulli e përmirësimeve në deklaratat e ish të burgosurve. Megjithatë ka vlerësuar botimin e “Integras” për aspektet e njohjes për torturat fizike dhe psikike që kanë pasur të burgosurit dhe kushtet e rënda në të cilat kanë kaluar. ”Mësojmë shumë për torturat fizike dhe psikike që kanë pasur, për kushtet e rënda në dhomat e tyre, për ushqimin e keq, për detyrimin për punë të rënda kundrejt një pagese mizerabël, për vizitat e rralla të familjarëve për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike të familjarëve, për imponimin që bisedat me familjarë të zhvillohen në gjuhën serbe. Ajo që mua më shqetëson më shumë është se shumë prej të burgosurve politikë pasi që kanë dalë prej burgut kanë pasur probleme shumë të rënda sepse kanë qenë të stigmatizuar në shoqërinë kosovare të asaj kohe, sidomos në vitet 60’, 70, por edhe 80’“, ka thënë Gashi.
Edhe
Goli Otoku i robërisë për shqiptarët, Serbia e rikthyer në nacionalizëm
Historiania Mrika Limani-Myrtaj ka vlerësuar se disidenca në Kosovë kundër Jugosllavisë daton ndër vite, që para 1913-s kur Kosova ishte ndarë padrejtësisht nga Shqipëria, nga ku kishte filluar historia e re për popullin.
“Goli Otoku zhvillohet kundër disidencës staliniste, në anën tjetër është vështirë të themi se ka pasur disidencë staliniste në Kosovë. Këtu për fat të keq pësojnë ata që nuk i trajtojmë si disidentë nacionalistë, që në regjimin e Titos trajtoheshin si rrezik potencial për shkatërrimin dhe destabilizimin e pushtetit”, ka thënë ajo. Botimi është përkrahur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport. Ngjarjen për promovimin e ka hapur ministri Hajrulla Çeku, i cili është shprehur se është shumë me rëndësi promovimi i librit, sidomos për tematikën që shpalos te publiku.
“Më shumë se një muze ku do të ekspozohet një pjesë e kujtesës sonë kolektive, besoj se rëndësia e këtij institucioni të ri është pikërisht me faktin e funksionimit si një qendër e dokumentimit për gjithë rezistencën politike të popullit shqiptar përgjatë dekadave, të rrëfyera nga ish të burgosurit politikë shqiptarë”, ka thënë ministri Çeku.
Të pranishëm kanë qenë edhe ish të burgosurit në Burgun e Goli Otokut, të cilët janë edhe pjesë e serisë prej 11 rrëfimeve në librin kujtim.
“Duhet ta kemi parasysh se unë kam biseduar me shumë njerëz që kanë qenë në Burgun e Goli Otokut dhe porosia ka qenë se po tregove se ku ke qenë, të shkon koka. Këtë kërcënim ia kanë bërë secilit dhe për një kohë të gjatë, ndoshta i ka përcjellë deri sot, e ndoshta disa nuk janë më’, ka thënë deputeti Avni Dehari, i cili ka sjellë rrëfimin e ish të burgosurit të ndjerë, veprimtarit e ekonomistit të shquar, Ali Aliu, i cili vdiq më 25 prill 2010.
Ish i burgosuri Pajazit Jashari ka thënë se janë kursyer nga rrëfimet e tyre për t’i përcjellë kryekëput te publiku.
Edhe
“Dalja n’dritë” me minatorët që shkundën themelet e ish-Jugosllavisë
“Ka shumë rrëfime, rrëqethëse, tronditëse, të tmerrshme, që ty nuk ta merr mendja”, ka thënë ai.
Ishulli i Goli Otok-ut në Detin Adriatik njihej si “Alkatrazi kroat” dhe nga viti 1949 deri më 1956 ishte i vetmi kamp i "riedukimit politik" në territorin e ish-Jugosllavisë. Para se të themelohej kampi i përqendrimit, ishulli ishte i pabanuar, ku pjesa më e madhe e këtij kompleksi është ndërtuar nga të burgosurit. Siç shkruhet në disa burime, prej vitit 1956 deri më 1980, kompleksi u përdor zyrtarisht si një kamp ndalimi për “kundërshtarët e komunizmit”. Pas vdekjes së udhëheqësit jugosllav, Josip Broz Tito, më 1980, kampi u shndërrua në një qendër për të mitur dhe u mbyll në të njëjtin vit, pasi organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut akuzuan Jugosllavinë për trajtim çnjerëzor të të burgosurve.