Historitë e ishullit të tmerrit dhe burgut famëkeq të Goli Otokut vijnë të përmbledhura në një libër, i cili synon t’ua rikujtojë shqiptarëve edhe një herë njërën ndër historitë më të tmerrshme të periudhës jugosllave, burgun politik.
Vepra “Hije të shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish-të burgosurve politikë në Burgun e Goli Otokut” vjen për të herë të parë në gjuhën shqipe duke sjellë trembëdhjetë historitë e të burgosurve shqiptarë. Më herët, në kuadër te festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, në Beograd, ky libër ishte promovuar në gjuhën angleze.
“‘Hije të shtrembëruara’ është një libër kujtimi me rrëfime të ish-të burgosurve politikë në Burgun e Goli Otokut, dy prej të cilave janë të treguara nga familjarë e të afërm të tyre. Historitë e paraqitura në këtë libër janë rrëfime të vuajtjeve e torturave, por edhe të rezistencës e solidaritetit midis aktivistëve politikë nga Kosova që kaluan netët e ditët në dhomat e izolimit të kampit të Goli Otokut, por edhe në vendpunishte si gurëthyes, pllakapunues, zdrukthëtarë, rrobaqepës, ekonomistë e mësues”, shkruhet në komunikatën e lëshuar për media nga organizata “Integra”.
Me redaktore Aurela Kadriun libri sjell një mozaik përjetimesh, të cilat vijnë si rrëfime autentike të atyre që u mbajtën në burg për arsye politike.
Deri në vitin 1956, Goli Otoku ishte më shumë qendër e internimit për kundërshtarët e regjimit. Për ata që donin të ishin në krahun e diktatorit të Bashkimit Sovjetik, Joseph Stalin e në kundërshtim të mareshalit jugosllav, Josip Broz Tito. Por pas vitit 1956, kur regjimi pothuajse kishte kryer punë me “aleatët” e Stalinit, ishulli i Adriatikut do të kthehej në një burg për krejt ata të cilëve ua mësynte t’ua mohonte lirinë. Promovimi i librit “Hije të shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish-të burgosurve politikë në Burgun e Goli Otokut” do të bëhet me 13 korrik, në ish-Burgun e Prishtinës, që do të shndërrohet në muze.
Edhe
“Hije...” nga Goli Otoku në ish-Burgun e Prishtinës, thirrje për dokumentim
Në maj të këtij viti KOHA kishte raportuar për botimin e kësaj vepre në gjuhën angleze. Mes të tjerash, promovimi i një libri i cili tregonte historitë e të burgosurve shqiptarë të Goli Otokut kishte shpërfaqur edhe mosnjohjen e këtij fenomeni dhe atij të të burgosurve politikë të periudhës jugosllave.
KOHA kishte raportuar se në Beograd, në fund të përurimit të librit e debatit të zhvilluar kishte prej të rinjve që kërkonin plotësime se ku është Goli Otoku, çfarë i bie të jesh i burgosur politik, përse në një ishull e të tjera.
Vetë “Integra” ka bërë të ditur se përmes këtij libri synojnë të krijojnë një kulturë të kujtesës në mënyrë që një gjë e tillë të mos përsëritet.
“Përmes këtij libri ne përpiqemi t'i kuptojmë përjetimet e viktimave, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, si dëshmi e rrëfime plotësuese të një periudhe historike, siç është rasti me torturat që kanë ndodhur në Burgun e Goli Otokut, kështu duke krijuar një kulturë të kujtesës e memorializimit, që shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut të mos përsëriten”, shkruhet në komunikatë.
Në promovimin e këtij libri në gjuhën shqipe do të organizohet edhe një debat me temën “E kaluara para së kaluarës” me panelistë Shkëlzen Gashi, Mrika Limani-Myrtaj dhe Aurela Kadriu.
Edhe
Goli Otoku i robërisë për shqiptarët, Serbia e rikthyer në nacionalizëm
Një debat me po këtë temë, por me Korab Krasniqin si përfaqësues të “Forum ZDF-së” e Olga Manojloviq-Pintar në roli e historianes, ishte organizuar edhe kur “Hije të shtrembëruara...” ishte botuar në gjuhën angleze.
Në atë diskutim historiania Olga Manojloviq-Pintar kishte theksuar se Goli Otok është një nga simbolet e fuqishme të ish-Jugosllavisë. E pas shthurjes së ish-Jugosllavisë, sipas saj, është simbol i fortë, prej ku edhe janë formuar identitetet kombëtare. Kishte treguar se ishulli fillimisht ka qenë kamp për ata që janë konsideruar stalinistë e më pas kaloi në duar të shtetit të Kroacisë dhe janë sjellë kundërshtarët e regjimit jugosllav. Derisa ka folur për ish-sistemin, ka thënë se kushtetutat e ndryshuara gjatë sistemit komunist kanë qenë nevojë për komunistët që të kënaqin sa më shumë grupe.