Shtojca për Kulturë

Rehabilitimi jo vetëm për të dënuarit në Goli Otok, obligim shtetëror

Pamje nga burgu i Goli Otokut

Pamje nga burgu i Goli Otokut

Me miratimin e pluralizmit në Mal të Zi me të drejtë është pritur që ndaj të ish-të dënuarve në aferën e Informbyrosë(1948) të miratohet ligj i veçantë për rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e të dënuarve, duke dëshmuar kapacitet demokratik si në vendet e tjera të ish-kampit socialist, por kjo çështje këtu ka vendnumëruar. Por, në fillim të këtij viti presidenti J.Millatoviqi, ka paraqitur iniciativën enkas për këtë çështje duke i dërguar Kuvendit për miratim ligjin për rehabilitimin e dënuarve politik të Goli Otokut, për të përmirësuar një padrejtësi historike ndaj atyre që kanë vuajtur dënimet si kundërshtarë ideologjik. Por, një veprim i tillë duhet të përfshijë edhe periudhën nga viti 1944-1990, kur janë dënuar shumë qytetarë si antikomunistë pa gjyqe e me procese të montuara politike, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët

Në kohën e monizmit, Goli Otoku ishte temë-tabu, ndërsa me dështimin e komunizmit si ideologji dhe socializmit si sistem shoqëror, në lidhje me këtë çështje janë botuar informata, analiza, fejtone e botime të veçanta, duke dëshmuar se ata që kanë vuajtur dënimin këtu, kanë përjetuar tortura fizike e psikike, vrasje e vetëvrasje. Ishte ky një burg tipik ideologjik, që ishte tmerri dhe turpi i ish-Jugosllavisë.

Pikërisht në këtë drejtim Mali i Zi ka vendnumëruar, duke mos dëshmuar vullnet politik për këtë çështje, nga del se këtu ende nuk janë liruar nga klishetë ideologjike kur është në pyetje rehabilitimi dhe dëmshpërblimi i të dënuarve politikë në Goli Otok e gjetiu.

MST: Iniciativa nga presidenti i Republikës

Por, një çështje e tillë si duket ka marrë kahe pozitive, sepse në muajin shkurt të këtij viti presidenti i Malit të Zi z. J. Millatoviqi, është paraqitur me iniciativën për miratimin e ligjit për rehabilitimin dhe dëmshpërblimit të dënuarve politikë në Goli Otok, Svetog Gërgur dhe burgjeve të tjera.

Në tekstin e iniciativës shkruan se “nuk ka dilemë se me këtë akt fillohet një proces i ballafaqimit me të kaluarën dhe përmirësimin të padrejtësive historike. Mali i Zi, si shtet demokratik e juridik, nuk bën të nënvlerësojë faktet ku shumë qytetarë tanë, në saje të bindjeve të tyre politike, kanë përjetuar represione fizike e psikologjike, pa gjykim të drejtë e pa mundësi që asnjëherë të dëshmojnë pafajësinë e tyre. Me miratimin e këtij ligji, Mali i Zi do të pranonte vuajtjet e tyre dhe do të mundësonte rehabilitimin moral e gjyqësor dhe atë material”, ka cekur presidenti Millatoviq.

Ballafaqimi me të shkuarën

Me tutje në iniciativë shkruan se “duke pranuar ballafaqimin me të kaluarën dhe përmirësimin e padrejtësisë historike duhet të miratohet ligji për rehabilitimin dhe kompensimin e të burgosurve të Goli Otokut të dyshuar për mbështetje të Rezolutës së Informbirosë nga viti 1948“.

Andaj presidenti “fton të deputetët pa marrë parasysh dallimet e tyre politike, që ta mbështetnin këtë iniciativë, ta mbështesin këtë ligj.“ Miratimi i këtij ligji nuk paraqet vetëm akt juridik, por edhe përgjegjësi morale të shtetit për të pranuar dhe të dëmshpërblejë ata të cilët në mënyrë të padrejtë kanë vuajtur për shkak të bindjeve të tyre politike. Në këtë mënyrë, Mali i Zi do t’u bashkëngjitej vendeve në regjion të cilat kanë marrë hapa të tillë me qellim të ballafaqimit me të kaluarën dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut“, shkruan në mes tjerash në tekstin e iniciativës.

Mbi tre mijë të burgosur nga Mali i Zi

Informbiroja ka qenë trashëgimtare e Kominternit (Internacionalja Komuniste), organizatë e partive komuniste, dhe me rezolutën e tyre kanë kritikuar udhëheqjen e PKJ më në krye Josip Broz Titon, sepse ka devijuar politikën marksiste-leniniste. Një veprim i tillë ka rezultuar me ndërprerje të marrëdhënieve në mes Jugosllavisë e Bashkimit Sovjetik, në fund të qershorit 1948. Pikërisht nga një vendim i tillë, pushteti jugosllav nisi fushatën kundër atyre që kanë mbështetur Stalinin, pikërisht Bashkimin Sovjetik.

Në grupin e të arrestuarve kanë qenë individë të moshave e profesioneve të ndryshme si ushtarakë, qeveritarë e qytetarë të thjeshtë. Për këta të burgosur është përgatitur në mënyrë të veçantë burgu në Goli Otok, ujdhesë në Kroaci. Sipas të dhënave nga ish-Sekretariati Federativ i Punëve të Brendshme në RSFJ, në Goli Otok dhe në burgjet tjera në periudhën 1948-1956, të burgosur kanë qenë 16.101 individë, ku nga to 3.390 ishin nga Mali i Zi (apo 21.5% nga numri i përgjithshëm, që në aspektin proporcional ka pasur numrin më të madh të burgosurve në raport me numrin e banorëve të republikave jugosllave të asaj kohe.

Goli Otok në vitet ʿ50

Vlerësohet se në Goli Otok kanë vdekur gjithsej 413 të burgosur.

Mali i Zi i vetmi pa ligj për rehabilitimin e të dënuarve politikë

Mali i Zi ka mbetur i vetmi vend në regjion që ende nuk ka miratuar asnjë akt të obligueshëm juridik i cili do të mundësonte rehabilitimin dhe dëmshpërblimin ndaj atyre që padrejtësisht janë dënuar. Cekim me këtë rast se Sllovenia, Kroacia e Serbia kanë miratuar ligjin për të dënuarit politikë për rehabilitimin dhe kompensimin material të tyre dhe familjeve.

Mungesa e kornizës ligjore për rehabilitimin dhe kompensimin e tyre viktimave jo vetëm se paraqet lëshim juridik e moral të shtetit, por edhe distancim nga të drejtave themelore njerëzore dhe standardëve juridike ndërkombëtare. Pranimi i vuajtjeve ku kanë kaluar të burgosurit e Goli Otokut dhe miratimi i masave përkatëse do të ishte përmirësimi i padrejtësisë historike dhe hap nga pajtimi shoqëror.

Duke marrë parasysh se shumë viktima në ndërkohë kanë vdekur, është e nevojshme që të sigurohet rehabilitimi i tyre pas vdekjes, por edhe satisfaksioni përkatës për trashëgimtarët e tyre, të cilët për vite kanë përjetuar pasojat e diskriminimit shoqëror e pasiguri ekonomike. Me miratimin urgjent te këtij ligji do të mundësohej që ndonëse me vonesë të madhe, të respektohet parimet bazë të drejtësisë dhe njerëzisë“, shkruan në iniciativën e cila i është dërguar Kuvendit.

Konsensusi i domosdoshëm politik

Dihet së për marrjen e vendimeve duhet të ekzistojë vullneti politik e në rastin konkret i shumicës parlamentare, ku fillimisht duhet te ekzistojë konsensusi politik. Në saje të përvojës së kaluar kur pushtetin e kishte DPS-i, nuk ka ekzistuar mundësia e konsensusit për rehabilitimin ligjor të të dënuarve në Goli Otok, sepse sipas tyre hapja e një çështjeje të tillë kërkon qëndrim kritik dhe përgjegjësi ndaj ish funksionerëve komunistë të cilët kanë qenë përgjegjës për dënimet e asaj kohe, ku ka anëtarë të familjeve të tilla që ende janë aktivë në jetën publike. Pikërisht ky ishte shkaku i mosekzistimit të konsensusit dhe vullnetit politik nga ana e tyre. Por, nëse ekziston vullneti politik, shumica aktuale parlamentare i ka votat e mjaftueshme për të miratuar një ligj të tillë, ndonëse të vonuar, duke dëshmuar kapacitet demokratik në favor të qytetarëve.

Akt i demokratizimit të shoqërisë

Ndonëse është vonuar me një nismë të tillë, nuk ka dilemë se çdo veprim në lidhje me rehabilitimin e të dënuarve në Goli Otok, por edhe në burgjet tjera, është veprim i qëlluar në lidhje me demokratizimin e shoqërisë, duke përmirësuar padrejtësinë historike në favor të kohezionit shoqëror. Kemi të bëjmë pikërisht me një nismë e cila është me interes shoqëror në lidhje me proceset integruese të vendit duke u bazuar në standardet demokratike të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në këtë kategori të rehabilitimit duhet të llogariten edhe të tjerë të dënuar politikë nga viti 1944-1990, duke mos bërë diferencime, vetëm për një kategori të qytetarëve të dënuar.

Nuk ka evidencë për numrin e shqiptarëve në Goli Otok?

Në lidhje me këtë çështje nuk ka pasur asnjë reagim nga subjektet politike shqiptare duke marrë parasysh se edhe një numër i shqiptarëve nga Mali i Zi kanë qenë të dënuar në Goli Otok. Ndonëse ka kaluar kohë e gjatë, evidentimi i të dënuarve shqiptarë mund të realizohet sepse ata kanë lënë trashëgimtarë apo të afërm të tyre ku mund të japin informata të nevojshme. Një veprim i tillë ka qenë e udhës të realizohet më herët, sepse ata kanë qenë të dënuar vetëm së ishin shqiptarë, ku nuk kanë munguar edhe montimet politike, për të eliminuar kundërshtarët jo vetëm ideologjikë.

Përfundim

Nuk kemi informacion se iniciativa e tillë deri tash është shqyrtuar në këshillin parlamentar, për të vazhduar më tutje për të kaluar në procedurë deri në parlament si projektligj, për të marrë mbështetjen e shumicës parlamentare. Por, nëse deri tash hezitohet në lidhje me këtë iniciativë, nuk ka dilemë se ajo do të aktivizohet para zgjedhjeve, duke qenë një mundësi reale për përfitime politike, dukuri e cila ka vite që është bërë praktikë në këtë mjedis.