Kulturë

“Të burgosurit e kujtesës” rikrijon kujtimet e ndjesinë e tmerrit

“Zërin nuk ma merrni dot!” është fjalia e vetme të cilën e përsërit secilën herë në qelinë ku është vendosur (Foto: Kushtrim Haxha)

Një tjetër dhomë, tjetër përjetim, por po aq i rëndë. Është Shukrie Gashi tek zvarritet në dysheme e te shtrati, e nga aty te pasqyra duke vështruar veten sikur një të panjohur. “Zërin nuk ma merrni dot!” është fjalia e vetme të cilën e përsërit secilën herë në qelinë ku është vendosur (Foto: Kushtrim Haxha)

Ambientet e burgut të kthyera në muze janë hapur të shtunën mbrëma për një tjetër vepër që shpalos përjetimet e historitë e errëta aty. E ftohtë është vetë atmosfera e ambienti aty për publikun, i cili ngjante i sikletosur para se të hynte për të parë punën e artistëve. E kjo ndodhte teksa portën e kalonin me radhë nga dy e nga tre persona. “Të burgosurit e kujtesës” ka qenë performanca teatrore me dramaturgji të Alban Beqirajt dhe nën regji të maqedonasit Gjorgji Rizeski

Burgu i dikurshëm në Prishtinë e ka “kthyer” funksionin e dikurshëm fatkeq të torturës aty. “Të burgosurit e kujtesës” ka qenë performanca teatrore me dramaturgji të Alban Beqirajt dhe nën regji të maqedonasit Gjorgji Rizeski. Vepra është homazh për përjetimet e ish-të burgosurve politikë gjatë periudhës jugosllave. 

Ambientet e burgut të kthyera në muze janë hapur të shtunën mbrëma për një tjetër vepër që shpalos përjetimet e historitë e errëta aty. E ftohtë është vetë atmosfera e ambienti aty për publikun, i cili ngjante i sikletosur para se të hynte për të parë punën e artistëve. E kjo ndodhte teksa portën e kalonin me radhë nga dy e nga tre persona. 

Kalimi i kësaj porte, në shekullin e kaluar nënkuptonte përjetime që do të shkaktonin dhimbje e kujtime të trishta për tërë jetën. Të shtunën, para saj kanë qenë të vendosur jelekë të kryqit të kuq.

Ata që donin i vishnin, por nuk i ndihmonin dot të burgosurit që zvarriteshin në dyshemenë e burgut a çmendeshin nga vetmia e errësira, apo shuheshin nga keqtrajtimi. 

Të tilla skena i kanë rikrijuar aktorët Ardit Hyseni, Etnike Bogaj, Blerina Veseli, Liri Bytyçi, Blerta Cakaj, Fikrete Miftari dhe Avenir Hyseni, nën kujdesin e regjisorit Rizeski. 

Klithmat e tyre dëgjohen gjersa publiku pret të eksplorojë përjetimet e burgut. I pari takim është me ish-të burgosurën politike Zahrije Podrimçakun, e cila qëndron prapa grilave në errësirë. E dritën e kërkon jo veç si energji natyrore e nevojë esenciale në jetë, por edhe nëpërmjet rrëfimit të saj të cilin synon ta ndriçojë duke kërkuar me ngulm t’i bindë kalimtarët se veprimtaria e saj ka qenë e drejtë. 
Rrugë e shkurtër me shumë ngjarje e të fshehta është kalimi në këtë shteg, e që është korridori i ngushtë, ku ka qetësi, por edhe tension në të njëjtën kohë, i cili rritet secilën herë. Efektin e japin edhe audiot me zë të ulët që e shtojnë efektin e zymtësisë e ftohtësisë. 

Një tjetër dhomë, tjetër përjetim, por po aq i rëndë. Është Shukrie Gashi tek zvarritet në dysheme e te shtrati, e nga aty te pasqyra duke vështruar veten sikur një të panjohur. “Zërin nuk ma merrni dot!” është fjalia e vetme të cilën e përsërit secilën herë në qelinë ku është vendosur. 

Aty janë edhe kushtet e vështira e që u janë vështirësuar edhe më tej të burgosurve. Regjisori Gjorgji Rizeski ka thënë se pikërisht këto kushte kanë qenë motivi kryesor për performancën. 

“Për mua, motivi kryesor për këtë performancë ishte sepse mendoj se shumë burgje në botë, jo vetëm këtu, nuk ofrojnë kushte të mira për të burgosurit dhe nuk trajtohen si njerëz, madje edhe më keq.

Atyre u duhen kushte të mira, ndihmë, sepse kam hulumtuar shumë. Është një burg perfekt në Norvegji, ku ka kushte shumë të mira dhe ku të burgosurve u ofrohet shumë vëmendje. Ata janë të shëruar aty, por në një burg të tillë, kushtet janë të tmerrshme dhe ka ende burgje të tjera me kushte të tilla. Ky ishte motivi im nga aspekti njerëzor”, ka thënë ai. 

Ka treguar se projekti ka ardhur si rrjedhojë e bashkëpunimit të mëparshëm me Mentor Berishën -  drejtor i organizatës “Molla e Kuqe” që e shfrytëzon këtë hapësirë -  në shfaqjen “Togeri i Inishmorit” për Teatrin e Ferizajt, “Adriana”. 

“Më ftoi për të punuar në këtë produksion. Fillimisht erdha të shoh burgun, rrethanat dhe gjithçka dhe pastaj vendosa se është më së miri të bëjmë një teatër gjithëpërfshirës me atë çfarë patë. Ka skena të ndryshme dhe publiku mund të lëvizë lirshëm. Besoj se kjo formë ishte më e mira për këtë lloj performance. Nuk është performancë tipike por mendoj se bëmë punë të mirë me kastin, me gjithë grupin, me organizatorët”, ka thënë ai.

Në njërën shëtitore të burgut janë gjurmët e  Muhamer Shabanit, Ukshin Hotit, Bajram Kosumit, Nusret Pllanës, Shefik Sadikut, Merxhan Avdylit, Gursel Sylejmanit, Martin Cunit, Emin Sallahut, Afrim Zhitisë e  Selajdin Novosellës. Instalacioni me këpucë gjurmon fatet e këtyre personazheve. 

Dhoma e vizitave në burg nuk sjell gëzimin e takimit. Aty mallëngjimi veçse shtohet. Aty është dialogu i dy mikeve që marrëdhënie të tilla kanë ndërtuar brenda mureve të burgut. Njëra është liruar por nuk e gëzon lirinë duke e ditur se secili moment që kalon, të tjerat brenda dergjen në kushtet e tmerrshme, mbesin të uritura e në terrin e vetmisë. Është bashkëbiseda midis Dinorë Currit dhe Have Shalës për dhimbjet që u ka shkaktuar burgu. 

Të parën e luan aktorja Blerina Veseli. Ka thënë se pjesa e tyre e performacës flet për dy shoqe të burgut të cilat kanë kënduar vazhdimisht në një objekt ku nuk duhej dëgjuar as frymëmarrja. 

“Kanë qenë dy prej grave që kanë dhënë shumë dhe nuk kanë dashur të ndalen, pavarësisht torturave, trajtimeve që u janë bërë në burg. Ato gjithmonë janë kryengritur dhe kanë dashur që me çdo kusht ta fitojnë lirinë”, ka thënë Veseli.

Në shëtitoren tjetër është instalacioni me rrobat e ish-të burgosurve Kadrie Gashi,  Hava Shala, Shukrie Gashit, Zahrie Podrimqakut, Shaban Shalës, Elmaze Graincës, Ukë Thaçit, Teuta Hadrit, Meriman Brahës, Hasan Dërmakut, si testament e gjurmë të tyre aty. 

Performanca me fyell me ritmet e këngës “Vijnë vaporat” nga ish-i burgosuri Emin Sallahu e përcjell përjetimin e veprës. Dalja e tij nga shëtitorja e udhëzon publikun te shëtitorja tjetër ku të lidhur e të gjakosur hyjnë aktorët që bartin identitetet e disa prej ish-të burgosurve politikë. 

I pari rrëfim që nis është ai për Dinorë Currin, e dënuar për organizimin e demonstratave në Vushtrri. Ka qenë në burgun e Qarkut të Mitrovicës e më pas është transferuar në atë të Lipjanit. Aty rriheshin, maltretoheshin, e papastërtia ishte në kulm. Ajo këndonte çdo ditë edhe pse ka qenë e ndaluar. Nuk ndalej. Pasi doli nga burgu, ajo u paralajmërua se politika e armikut di ta përndjekë deri në fund të jetës së saj. 

Aktorja Blerina Veseli e cila e portretizon atë, ka thënë se rrëfimi i Currit përfshin shumë më shumë.

“Për zonjën Dinorë kam pasur rast të dëgjoj edhe prej kolegëve, kam pasur rastin edhe të lexoj komplet rrëfimin e saj në një libër që më është ofruar, fatmirësisht. Kam pasur mundësi të lexoj komplet rrëfimin e saj. Pak problem sepse është dashur të shkurtohet, por çdo fjalë e saj brenda atij rrëfimi ka vlerën dhe peshën e vet. Kjo pjesa e këndimit që e bën, e që ia ka lënë babai si lloj shprehie gjatë punës, në të njëjtën kohë ajo ka punuar edhe si rrobaqepëse në burg dhe sot e atë ditë e gëzon këtë profesion. Është ende gjallë, fatmirësisht, ajo qep rroba tradicionale shqiptare”, ka thënë ajo. 

Është shprehur se i gjithë procesi i punës në burg ka qenë përvojë shumë emocionale.

“Përveç që jam ndier jashtëzakonisht mirë që kam pasur rastin të prek një histori të tillë, jam ndier edhe shumë e emocionuar. Me emocione të jashtëzakonshme për temën që kemi trajtuar. Fatmirësisht gjatë kësaj periudhe të shkurtër sa kam pasur rastin të punoj me dy prej ish-të burgosurve politikë në këtë burg, kam pasur rastin që prej tyre të dëgjoj drejtpërdrejt historinë e shumicës që kanë qenë të burgosur këtu. Normalisht që ka qenë e vështirë sepse pak a shumë e dimë se nëpër çfarë kemi kaluar ne si popull, qoftë si të burgosur politikë e në luftë”, është shprehur ajo. 

Rrëfimi për Teuta Hadrin shpalos se më 10 tetor 1993 i hyn policia serbe në shtëpi duke shkatërruar gjithçka për të gjetur një shenjë për ta arrestuar. Pas shumë kërkimesh, i gjetën librin për Skënderbeun të cilin e konsideron si simbol të idealit e identitetit. U çua në Nish. Pos kushteve të vështira e torturës, dhuna ishte akt i përditshëm.  Si kundërpërgjigje organizuan greva të urisë e protesta. 

“Burgu është shkollë”, ka deklaruar ajo, sipas performancës “Të burgosurit e kujtesës”. 

Sipas rrëfimit për Shukrie Gashin, regjimi nuk mendonte se gratë merreshin me çështjet e ilegales.

Policia e arrestoi me gjithë familjen e saj. Ajo rezistoi, nuk foli, sepse qe betuar se do të vdiste, por nuk do të tradhtonte. Sipas rrëfimit, në burg kishte solidaritet midis grave. Dalja nga burgu i solli mërzi dhe jo gëzim sepse la shoqet brenda. U përndoq gjatë jetës, por jetoi me mesazhin se zërin nuk ia marrin dot.

Një tjetër rrëfim, prezantim i thjeshtë skenik, si fjalim i sinqertë i është prezantuar publikut. Është ai i Have Shalës nga Peja, e arrestuar në vitet ‘80 me gjashtë vajza të tjera. U mor zvarrë nga shkolla e drejt e në burg për aktivitetin e saj. Tregon se përjetoi torturë, maltretim, dhunë të tmerrshme. Tri herë përjetoi edhe elektroshokun, “dhunë çdo ditë, njëqind herë në ditë”, siç thuhet në rrëfim. Ka qenë për gjashtë muaj në qelinë e njëjtë ku komunikimi i vetëm ka qenë trokitja në mur. Edhe ajo u transferua në Burgun e Lipjanit ndërsa u lirua në vitin 1988 ku qe angazhuar si bashkënismëtare në aksionin e Pajtimit të Gjaqeve. 

Ish-i burgosuri politik Hidajet Hyseni nga Gjilani kishte vepruar ilegalisht duke krijuar aksione në grupe të vogla, por nën rrezik të madh. Edhe babai i tij kishte vuajtur në kampet naziste në Luftën e Dytë Botërore. Qe angazhuar në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare të Kosovës. 

Zahrie Podrimçaku në vitet ’90 qe në ballë të protestave e deri te UÇK nuk është ndalur asnjëherë. Policia e përcillte gjithkah, në burg u shpall terroriste veç pse është shqiptare. Në burg në Serbi ka qenë e izoluar për tre muaj në errësirë. Flinte në beton ku i ftohti shkonte deri në palcë. Frika e saj nuk ishte rrahja, por dhunimi, sipas rrëfimit. Çdo derë që trokiste ishte në frikën se “po vijnë”. 

Pas rrëfimeve të inskenuara, rrëfime të vërteta e kanë pasuar shfaqjen. Ish-të burgosurit Martin Çuni dhe Emin Sallahu kanë ndarë përvojat e tyre. 

Sallahu, i arrestuar në vitin 1997 si pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, ka thënë se në janar të atij viti kishte valë të madhe të arrestimeve. 

“Për shkak se sollën shumë të burgosur në Burgun e Prishtinës, na transferuan në burgjet e tjera. Unë pata fatin të shkoj në Burgun e Lipjanit. Kushtet e përgjithshme pak a shumë i dimë. Nuk kemi pasur as shtyp për ta lexuar, por qarkullonin lajme të shumta të cilat kryesisht kanë qenë të rënda, për arrestime të shumta, për vuajtjet e popullatës”, ka rrëfyer ai duke thënë se lajmet e këqija ishin të përditshme. 

“Mbaj mend një artikull të gazetës së atëhershme ‘Bujku’ e cila ishte grisur por mund të lexoja tek shkruhej: Familja e Besnik Restelicës falënderon të gjithë ata të cilët kanë marrë pjesë në varrimin e birit të tyre, i cili vdiq nga torturat serbe në burgun e Prishtinës. Besnik Restelica ka qenë një inxhinier, veprimtar i shquar kombëtar, i cili nuk u mbijetoi torturave të mëdha të cilat u ishin ushtruar të gjithëve, por fati i tillë ishte ai i Besnikut”, ka vazhduar Sallahu, i cili është edhe koordinator i Grupit për funksionalizimin e muzeut të Burgut të Prishtinës. 

E Martin Çuni ka përjetuar rreth shtatë vjet burg. E ka përjetuar atë të Shkupit, të Prishtinë, Prokupljes e më në fund edhe atë të Nishit, të cilën e konsideron se ishte tmerri i shqiptarëve. 

“Pak kush ka dëgjuar që ka pasur burg brenda burgut. E quanin izolim, moment i vështirë ka qenë aty, dritarja ka qenë e mbyllur të mos shihet drita e diellit. Për pikë të qejfit vinin në qeli natën, e hapnin dhe na rrihnin. Deri në vitin e shtatë kam pasur tortura fizike. Një të mirë e që ka qenë rregullore e burgut, kanë lejuar laps e fletore. Mbi 90 për qind e te izoluarve kanë qenë shqiptarë. Çka ndodhi në të 90-tën, gjashtë muaj pa dalë nga burgu, për herë të parë pas LDB u lejua që një ekip i kryqit të kuq ndërkombëtar erdhi një komision i tyre. Në mënyrë që të mos shihet izolimi, e mbyllën dhe na nxorën të gjithëve jashtë. Na morën në pyetje dhe mua më intervistoi pikërisht shefja. Historinë që ua tregova i ranë lotët, nuk mundi të përmbahet dhe kjo tregon se çfarë trajtimi kishte për shqiptarët”, ka treguar Çuni. 

Aktori Afrim Muçaj ka vlerësuar punën e regjisorit ndërsa aktivitetin e ka konsideruar emocional.

“Janë shumë emocionale. Diçka që më bëri të reflektoj ishte që herë pas here po i harrojmë këto lloj ngjarjesh. Dinamika e jetës të përball me shumë telashe të sotshme, mirëpo këto rrëfime të tregojnë që problemet e sotshme janë goxha të lehta në raport me atë që kanë vuajtur njerëzit, sidomos gratë, nëpër burgjet e rajonit dhe të Kosovës”, ka thënë Muçaj. 

Objekti i Burgut të Qarkut, siç njihej, është ndërtuar në vitet ’50. Mijëra veprimtarë të organizatave politike shqiptare, që kanë funksionuar në Kosovë deri më 1999, janë mbajtur dhe torturuar në këtë godinë gjatë hetimeve të regjimit jugosllav e serb.