“Gjuetarët e Artemidës”, produksion i “Artpolis”, do të shfaqet në Beograd. Performanca skenike është pjesë e festivalit “Arts & Human Rights”, organizuar prej Teatrit DAH, trupë profesionale e pavarur teatrore e themeluar më 1991. Edicioni i sivjetmë mbahet prej 24 deri më 27 shkurt, përderisa për shfaqjen nën regji të Zana Hoxhës është rezervuar dita e dytë në “Dorćol Platz”, një qendër unike kulturore në lagjen me të njëjtin emër, e cila është atraksion i kryeqytetit serb e njohur edhe ndërkombëtarisht për diversitetin dhe vjetërsinë e saj. Lajmin për pjesëmarrjen e performancës nga Kosova e ka bërë të ditur “Artpolisi” nëpërmjet një komunikate për media. Është e vetmja nga Kosova në “Arts & Human Rights” që sivjet vjen me edicionin e dytë.
Siç shkruhet në komunikatë, inspiruar nga natyra dhe bukuritë e fshatit Kukaj, aty ku hapësira dhe çdo gjë që e rrethon këtë ambient është në harmoni me tokën dhe qiellin, nisi një tregim i jashtëzakonshëm i performancës “Gjuetarët e Artemidës”.
“Ky proces krijues filloi nga një vizitë në natyrën e qetë, që ishte shërim për trupin dhe shpirtin, e që e frymëzoi regjisoren Zana Hoxha të krijojë një vepër që është në përputhje me natyrën si perëndeshë shëruese, burim i jetës dhe energji e pashtershme. Koreografia, muzika, kostumet dhe performanca e aktoreve ndërthuren për të vënë në pah fuqinë, dashurinë dhe solidaritetin natyror të gruas”, shkruhet në njoftim. Pikërisht aty ku gjëlliu ideja për performancën, në Kukaj, u dha edhe premiera e saj në shtatorin e 2020-s në edicionin e dhjetë të “Etno-Festit” duke rrëmbyer edhe dy çmime: atë për Shfaqjen më të mirë dhe Performancën më të mirë. I kishte paraprirë edicionit të tetë të festivalit “FemArt” në Prishtinë. Aktoret Aurita Agushi, Kaltrinë Zeneli, Donikë Ahmeti, Daniela Markaj, Qëndresa Kajtazi, Hajat Toçilla dhe Fitore Jashari sjellin këtë performancë me koreografi të Robert Nuhës, muzikë të Arbër Salihut e kostumografi të Arbnor Brahimit.
Sipas përshkrimit, festivali “Arts & Human Rights” është një platformë për të prezantuar ide dhe koncepte që vënë në pah dhe ndërlidhin artin me të drejtat e njeriut, duke avokuar për respektimin e të drejtave të njeriut. Ky edicion vjen me moton “Arti në veprim”, me synimin për të inkurajuar dhe fuqizuar qytetarët mbi rolin aktiv për ndryshime në komunitet, për t’i bërë bashkë artistët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut me një komunitet sa më të gjerë. Në program ka punëtori, instalacione, shfaqje, koncerte, biseda, premiera filmash e promovim librash. “Arti dhe kultura në afirmim të të drejtave të njeriut”, është njëra prej temave të konferencave. Pos artistëve e aktivistëve lokalë, sivjet pjesëmarrësit janë nga vende të ndryshme si Spanja, Izraeli, Mali i Zi, Irlanda e online do të prezantojnë veprat e tyre edhe artistë nga Irani, Belgjika e Brazili.