Kulturë

“Gratë e Trojës” edhe me rrëfime Kosove, pas Italisë rikthehet në Serbi

Gratë e Trojës

“Gratë e Trojës”, nën regji të Zana Hoxhës e Maja Mitiqit, është dhënë në skenën e festivalit “Tempora Contempora” në Lecce të Italisë

Shfaqja që evokon vargjet e Euripidit dhe i ndërthur ato me historitë moderne tek prek vuajtjet në Gazë, Ukrainë, Somali, Kongo e edhe në Kosovë, ka pasur stacion të radhës Italinë. “Gratë e Trojës”, realizuar nga ekipi nga Kosova e Serbia, njihet edhe nga publiku në Beograd, e aty do të rikthehet në nëntor si një vepër e cila nëpërmjet gjuhës së teatrit dënon atë që po ndodh në botën e mbërthyer prej luftërave që nuk ndalen

Dhembja e pareshtur e Kosovës e plaga që lëngon edhe sot me vuajtjet e rreth 20 mijë grave viktima të dhunës gjatë luftës, është njëra prej temave që shpaloset te “Gratë e Trojës”, e shfaqja në tërësi është ngjitur edhe në skenën e festivalit “Tempora Contempora” në Lecce të Italisë. Ndarja e roleve të projektit të organizatës “ArtPolis” me kastë të teatrit serb “DAH”, nisur nga regjia e aktorët, ka qenë përshtypja kryesore e publikut italian. 

Po kjo temë e ky komunikim, i cili tejkalon kufijtë politikë me gjuhë të teatrit, rikthehet në zemër të Beogradit në nëntor. 

Është një shfaqje që evokon vargjet e Euripidit dhe i ndërthur ato me historitë moderne. Nga lufta e Trojës mijëra vjet më parë, rrëfimi vjen me vuajtjet në Gazë, në Ukrainë, në Somali, Kongo e edhe në Kosovë. Si cikël i pafundmë i tragjedisë. 

Me dramatizim nga Shpëtim Selmani dhe nën regji të Zana Hoxhës e Maja Mitiq, aktore e regjisore serbe, shfaqja bazohet në tragjedinë greke me të njëjtin titull nga Euripidi. 

Aktorët Maja Mitiq, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojkoviq, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski e kanë ngjallur rrëfimin edhe në Itali. 

Festivali “Tempora/Contempora” konsiderohet si eksplorim i horizonteve të gjera që u jep zë dhe hapësirë “mbi të gjitha një brezi të ri artistësh dhe interpretuesish, ende të panjohur për publikun e gjerë dhe median”. 

Bashkëregjisorja e shfaqjes, Zana Hoxha, njëherësh drejtuese e organizatës “ArtPolis”, ka treguar se atje shfaqja është pritur mjaft mirë dhe se e ka prekur publikun në Lecce. 

“Një prej gjërave që më së shumti u ka bërë përshtypje është ndërlidhja me historitë moderne, fakti që shfaqja tregon qysh prej gati katër mijë vjet më herët. Është shkruar për historinë e grave të Trojës, historia e grave të skllavëruara pas luftës. Mirëpo mandej qysh i kemi edhe historitë e sotme ku ka luftë dhe konflikt, për shembull, në Gazë, në Kosovë, historinë e Kubës që e kemi përdorur, sikur edhe në Algjeri pas luftës me Francën, sipas Sartreit”, ka treguar ajo në një bisedë për KOHËN. 

Shfaqja u dha në hapësirën e qendrës kulturore “Manifatture Knos”, të enjten e kaluar, në kuadër të edicionit të gjashtë që u mbajt prej 31 gushtit deri më 6 shtator. 

Në program ka qenë dhe shfaqja me të cilën, sipas regjisores Hoxha, dënohet me gjuhë dramaturgjike kaosi aktual në botë. 

“Dënojmë me gjuhën e dramaturgjisë atë që po ndodh edhe sot ku nuk po ndalen luftërat, dhimbjet dhe në njëfarë mënyre tërheqim këtë paralele me sot. Kjo u ka bërë përshtypje se si të dy ekipet u janë dukur që kanë punuar bashkë për një kohë e gjatë, pra kohezioni i aktorëve si të jenë një ansambël i vetëm”, ka thënë ajo, duke dhënë detaje mbi të dhënat që përdoren në shfaqje.

“Ne kemi përdorur një histori të vërtetë të një gruaje nga Podujeva, e cila është intervistuar në fillim të viteve 2000 nga ‘Associated Press’. Ajo tregon se si ka jetuar vetëm me dy prindërit. Babanë e ka pasur në karrocë dhe kanë hyrë forcat paramilitare, e kanë dhunuar në sytë e prindërve të saj. Babai i saj ka vdekur paslufte nga pikëllimi, ndërsa nëna ishte hedhur në bunar, sepse nuk ka mundur të vazhdonte të jetonte me atë çfarë ka ndodhur me nënën e saj. Kjo grua ka vazhduar të jetojë. Prindërit e saj i kanë vuajtur njëjtë pasojat në një mënyrë tjetër, e cila më pas ka rezultuar me vdekjen e tyre të parakohshme”, ka treguar regjisorja Hoxha. 

Këtë rol e interpreton Semira Latifi, sikurse edhe atë të Kasandrës. “Ajo thotë: ‘kjo është Kasandra e ditëve të sodit” dhe “këto janë 20 mijë Kasandrat e Kosovës pas luftës’”, ka transmetuar Hoxha. 
Shfaqjen e unifikon fakti se personazhet flasin midis vete pa kuptuar dhe pa u kuptuar çfarë thotë tjetri që nuk flet të njëjtën gjuhë si folësi. Në rrethana të zakonshme kështu do të ndodhte në një bisedë të zakonshme. 

“Nëna dhe vajza aty njëra komunikon në shqip e njëra serbisht dhe ata komunikojnë e kuptohen sikur e njohin gjuhën e njëra-tjetrës. Aktorët serbë nuk e dinë fare gjuhën shqipe. Në krejt projektin ata kuptohen me gjuhën e teatrit”, ka shpjeguar regjisorja Zana Hoxha. 

Premiera e shfaqjes u dha tetorin e kaluar në teatrin “Dodona” në Prishtinë. U inskenua edhe në Beograd në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në fundnëntor. Për dy net radhazi transmetoi, midis tjerash, edhe pasojat e krimeve të forcave serbe në Kosovë. 

“Kur është dhënë shfaqja në Serbi, shumë prej publikut kanë dëgjuar që 20 mijë gra të të gjitha komuniteteve janë dhunuar në Kosovë”, ka kujtuar Hoxha. 

E shfaqja “Gratë e Trojës” në kryeqytetin serb rikthehet pas një viti. Në nëntor do të shfaqet në “Reflektor Teatar”, që ka për mision “promovimin e formave teatrale eksperimentale, politike dhe inovative, me një fokus të veçantë në prodhimin e skenave të pavarura të arteve performuese në rajon”. 

Në shumë prodhime artistike të Kosovës të cilat marrin rrugë për t’u shfaqur nëpër qytetet e Serbisë, shpesh ngjan që ekipet të hasin në lëvizje nacionaliste. Vjet nuk ka pasur të tilla për ekipin e “ArtPolis” e drejtuesja e organizatës ka thënë se nuk presin as sivjet. 

“Në Serbi tash situata politike është shumë e ndjeshme, protestat e studentëve nuk janë ndalur, po bëhet gati një vit. Situata është pak më jostabile dhe ne do ta përcjellim me kujdes deri në fund. Nëse është e rrezikshme për ekipin, së pari nuk i dërgoj, mirëpo është një festival që organizohet nga ‘Reflektor Teatar’ në Beograd, në një hapësirë që është për njerëz më mendjehapur, më demokratë, jo për nacionalistë”, ka thënë ajo.

Incidente të tilla i ka quajtur të inskenuara. 

“Unë mendoj se ka ekipe në Kosovë dhe në Serbi që edhe i inskenojnë incidentet për të pasur popullaritet më të madh shfaqja. Ne nuk kemi inskenuar ndonjëherë incidente dhe nuk do të kemi nevojë”, ka thënë Hoxha. 

E shfaqja “Gratë e Trojës” ka ende rrugë për të bërë. Synon edhe Zvicrën, për të cilën po pritet konfirmimi.