Aktorja Adriana Matoshi dhe aktori Fatmir Spahiu kishin nisur hapat e parë drejt karrierës së tyre në qytetin e lindjes. Në Gjilan. Si nxënës ishin bërë pjesë e shfaqjeve për fëmijë. Aty kishte nisur edhe dashuria e tyre për teatrin e filmin. Në këto dy fusha, emrat e tyre u bënë të njohur në vend, por edhe përtej. E bënë për vete publikun, por edhe kritikët e artit. Për punën e tyre në këtë fushë disa herë edhe u shpërblyen. Së fundi, një mirënjohje për kontributin u është dhënë edhe nga qyteti i Gjilanit. I pari i Komunës, Lutfi Haziri, të dielën, në kuadër të shënimit të ditëve të çlirimit, i nderoi si personalitete të vitit.
Aktorja Adriana Matoshi, e cila ka 20 vjet që punon në profesion, ka thënë se nga të gjitha çmimet që ka marrë nëpër botë, më i dashuri për të është pikërisht mirënjohja e marrë nga qyteti ku është lindur.
“Kam pasur shpërblime ndërkombëtare të shumta si në teatër edhe në film, dhe ky është çmimi i parë që Komuna e ndan për mua dhe jam jashtëzakonisht e nderuar për punën që kam bërë qe disa vjet, pasi që vendi im më ndau diçka të vlefshme. Asnjëherë nuk e kam harruar nga jam dhe gjithmonë jam krenare që jam nga Gjilani”, ka thënë ajo. Ka treguar se pjesën më të mirë të jetës së saj, fëmijërinë, e ka kaluar pikërisht në Gjilan.
“Shtëpia ime ka qenë mbrapa teatrit dhe kinemasë dhe gjithë loja ime si fëmijë ka qenë përpara këtyre të dyjave. Po ashtu, për herë të parë jam ngjitur në skenën e teatrit në klasën e tretë apo të katërt në një shfaqje verore. Pra, hapat e parë i kam marrë pikërisht në këtë teatër dhe nuk e harroj asnjëherë atë kënaqësi”, ka thënë Matoshi. Ajo është e njohur për rolet e saj në disa filma si “Zana”, me regji të Antoneta Kastratit, “Shpia e Agës” e “Gardhi”, me regji nga Lendita Zeqiraj, “Martesa”, me regjisore Blerta Zeqiraj, “T’padashtun”, me regji të Edon Rizvanollit, “Babai”, me regji të Visar Morinës, pastaj në serialin “O sa mirë” e në filmin “Nëntor i ftohtë”, me regji të Ismet Sijarinës e të tjerë.