Kulturë

Kosova në zemër të “Luna Parkut” të Shqipërisë iluzioniste që synon “Oscar”

Adriana Matoshi në rolin e Mirës, në filmin “Luna Park”, nën regji të Florenc Papasit

Adriana Matoshi në rolin e Mirës, në filmin “Luna Park”, nën regji të Florenc Papasit

“Luna Park”, nën regji të Florenc Papasit, ka ardhur në Prishtinë edhe si kandidati i Shqipërisë për nominim në “Academy Awards”, ndërkohë që vetë Kosova sivjet nuk e ka dorëzuar asnjë film në garën ndërkombëtare. Në këtë ndërlidhje ku krijimtaria filmike lëviz lirshëm përtej kufijve, Kosova “hyn” me aktoren Adriana Matoshi, e cila e mban mbi supe rolin kryesor të Mirës. Ajo është një nënë e vetme nga Elbasani, që jeton në një Shqipëri të zhytur në iluzionin kolektiv të pasurimit të shpejtë përmes skemave piramidale. Është Shqipëria e marrisë kolektive të 1997-s

Rrëfimi filmik që i rikthehet Shqipërisë së viteve ‘97 është dëgjuar edhe në Prishtinë me një jehonë të veçantë. Jo vetëm për shkak të temës që prek një prej krizave më të rënda të hapësirës shqiptare, por edhe sepse në qendër të tij qëndron një aktore nga Kosova dhe një pjesë ekipi kosovar që ia jep filmit një peshë që shkon përtej një bashkëprodhimi formal. “Luna Park”, nën regji të Florenc Papasit, ka ardhur në këtë premierë të mërkurën mbrëma si kandidati i Shqipërisë për nominim në “Academy Awards”, ndërkohë që vetë Kosova sivjet nuk e ka dorëzuar asnjë film në garën ndërkombëtare.
Në këtë ndërlidhje ku krijimtaria filmike lëviz lirshëm përtej kufijve, Kosova “hyn” me aktoren Adriana Matoshi, e cila e mban mbi supe rolin kryesor të Mirës. Filmi është kandidatura e paraqitur nga shtëpia kinematografike “On Film Production” dhe është përzgjedhur nga Komisioni Përzgjedhës si përfaqësuese e Shqipërisë në edicionin e 98-të të çmimeve “Oscar”. Producent i filmit është Dritan Huqi e po ashtu filmi është mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës si bashkëprodhim minor. Kurse si koproduksion minor është shtëpia filmike “Buka Production” e aktorit, në këtë rast producentit, Fatmir Spahiu.

Prania kosovare në projekt është e dukshme, e theksuar, madje e pandashme nga struktura e vetë filmit. Kjo ia ka dhënë mbrëmjes në Prishtinë një ngjyrim krejt tjetër, njëfarë rikthimi i heshtur i Kosovës në qarkun e “Oscars”, jo me një film të vetin, por me zërin dhe punën e saj.

Rrëfimi i filmit me skenar të Florenc Papasit dhe Glykeria Patramani ngrihet mbi historinë e Mirës (Adriana Matoshi), një nëne të vetme nga Elbasani, që jeton në një Shqipëri të zhytur në iluzionin kolektiv të pasurimit të shpejtë përmes skemave piramidale. Mira punon shumë, por varfëria dhe pasiguria ia kanë bërë jetën një udhë të lodhshme. Lidhja e shkurtër me Bertin (Nik Xhelilaj), një njeri i pasur që drejton një prej firmave piramidale, ia krijon asaj idenë se më në fund mund të ketë një shans për ta ndërruar fatin. 

Ajo beson se investimi në këto skema është rruga e vetme për t’ia siguruar të birit një jetë më të mirë. Dorëzon gjithçka: kursimet, sendet me vlerë, e madje nis të bindet se duhet shitur edhe shtëpia. Etja për një “mundësi të artë” që i premtohet me trefishim brenda pak muajsh e shtyn në prag të një vendimi fatal. Në të njëjtën kohë, Toni – djali i saj adoleshent, rolin e të cilit e luan Orion Jolldashi – përpiqet ta gjejë vendin e tij në një realitet të brishtë, derisa e ndien se diçka e madhe dhe e rrezikshme po i afrohet jetës së tyre.

E kthyer pas në kohë te viti 1997, ngjarjet që filmi i ngre nuk kanë qenë pjesë e kujtesës së Adriana Matoshit. Vetë ajo ka qenë adoleshente atëherë, mirëpo skena filmike e ka kërkuar një zhytje në atë realitet dhe aktorja këtë zhytje e ka përshkruar si të vështirë e të rëndë, por të pashmangshme për rolin.

“Në atë periudhë kohore unë i kam pasur 16-17 vjet dhe nuk e kam pasur asnjë lidhje se çka ka ndodhur në ato vite në Shqipëri. S’ma kanë treguar, mua sidomos prindërit e mi s’më kanë folur kurrë për periudha të errëta, por si aktore, si profesioniste, normalisht se nuk i marr rolet shumë të rënda, por përnjëmend ka qenë rol i rëndë”, ka thënë ajo, duke shtuar se pesha e rolit ka qenë më shumë se vetëm interpretim. Lokacionet e ftohta, atmosfera e ashpër e skenarit, dialekti që e largonte nga vetja, të gjitha, sipas saj, kanë qenë barriera që duhej thyer.

“Dialekti më ka penguar më së shumti për të qenë vetvetja 100 për qind, jo pse nuk kam qenë, por do ta kisha ndoshta shumë më të lehtë ta jepja veten në dialektin tim. Me ndihmën e regjisorit, me ndihmën e producentit Fatmir Spahiu edhe me aktorët që i kam pasur partnerë në film e kemi tejkaluar çdo vështirësi”, ka shtuar ajo.

Në film kolapsi i skemave piramidale e shemb gjithë arkitekturën e premtimeve, duke e shtyrë vendin drejt kaosit e dhunës. Elbasani, sikurse edhe pjesa tjetër e Shqipërisë, shpërthen në protesta, plaçkitje e anarki. Mira dhe Toni detyrohen të ikin, duke u nisur drejt Greqisë, një arratisje që shndërrohet në luftë për mbijetesë. Udhëtimi është i rrezikshëm, me kufij të pakalueshëm e njerëz të frikësuar që kërkojnë të njëjtin shpëtim.

Në Greqi, nënë e bir ndahen në rrethana të padurueshme, Mira arrestohet dhe Toni nis kërkimin e babait, një figurë e mjegullt që nuk ka qenë pjesë e jetës së tij. Streha e tij e vetme bëhet një “Luna Park” i mbyllur, një hapësirë e braktisur, që shndërrohet në simbol të shpresës së vrarë, të ëndrrave të ndërprera dhe të asaj bote fëmijërie që mungon në realitetin e përgjakur të vitit ’97. Aty Toni kërkon përgjigje, ndërsa Mira lufton për t’u ribashkuar me të dhe për të shpëtuar çka ka mbetur nga jeta e tyre.

Aktorja e ka përshkruar edhe tematikën e filmit, duke theksuar se rrëfimi që ajo përçon është vetëm një nga miliona të ngjashme.

"Në Shqipëri pothuaj 98 për qind e njerëzve kanë rënë në atë grackë dhe e kanë përjetuar këtë rrëfim secili në mënyrën e vet. Ky është një nga një milion rrëfime, por ia vlen të shihet, sidomos prej gjeneratave të reja, ta shohin se çka ka ndodhur në atë periudhë të kohës, ta dinë historinë e shqiptarëve në Shqipëri”, ka thënë Adriana Matoshi.

Ndjeshmëria ndaj zhvendosjes gjuhësore, ndaj situatave të shtuara dramatike në skenë, është reflektuar edhe në mënyrën se si ajo e sheh filmin sot.

“Tash kur e shoh filmin them se kam mundur ta bëja kështu e ashtu”, ka rrëfyer ajo, një reflektim tipik i aktorit që e sheh punën e vet pas distancës, por që në fakt i jep rolit një dimension njerëzor.

Në planin tematik, “Luna Park” ndërton një kundërvënie të ashpër mes ëndrrës dhe realitetit, mes fantazisë së një bote ku gjithçka shumëfishohet brenda natës dhe zhgënjimit brutal që shemb familje e shoqëri. Vetë parku i mbyllur bëhet metaforë qendrore e filmit: një hapësirë e pavendosur mes fëmijërisë dhe braktisjes, mes shpresës që nuk shuhet plotësisht dhe rrënimit që është tashmë i pakthyeshëm.

Rrëfimi e sheh Mirën si simbol të atyre grave që kanë bartur peshën e gabimeve kolektive në trupin e familjes së tyre. Ndërsa Toni, me praninë e tij nëpër korridoret e ftohta të parkut, përfaqëson brezin që ka humbur fëmijërinë midis dy sistemeve, një realiteti që po shembej dhe një tjetri që ende nuk ishte ndërtuar.

Në film kolapsi i skemave piramidale e shemb gjithë arkitekturën e premtimeve, duke e shtyrë vendin drejt kaosit e dhunës. Elbasani, sikurse edhe pjesa tjetër e Shqipërisë, shpërthen në protesta, plaçkitje e anarki

Për bashkëproducentin Fatmir Spahiu, përfshirja kosovare në film nuk është thjesht një hyrje teknike në listën e bashkëprodhuesve. Ai e lidh këtë prani me cilësinë që Kosova ka sjellë dhe sidomos me faktin që aktorja kryesore është pikërisht prej këtu.

“Kosova ka një rol minor si producente, por me aktoren si rol kryesor i jep një peshë më të madhe. Ndër prodhime të rralla kinematografike që trajton një ngjarje të rëndësishme historike të popullit tonë, në këtë rast të Shqipërisë, e që aktorja është e Kosovës dhe kjo ia jep një dimension tjetër dhe jam i lumtur për këtë fakt”, ka theksuar ai.

Ka treguar se projekti ka nisur para gjashtë vjetësh, në një proces të gjatë që i karakterizon bashkëprodhimet serioze në rajon. Premiera në Prishtinë, sipas tij, ka qenë një moment i natyrshëm pas një rruge të gjatë krijuese.

“Filmi komunikon shumë mirë me masën. Unë jam adhurues i një lloji të këtillë filmi që ka pak politikë e histori në të, sidomos kur e promovojnë një pjesë të historisë, e cila e bën botën të na mirëkuptojë pak më mirë, t’i mirëkuptojnë edhe ato turma të mëdha refugjatësh nga Shqipëria në fund të viteve ’90, pastaj edhe ngjarja e Kosovës”, është shprehur ai, duke e theksuar rëndësinë e narrativave që ndihmojnë shpjegimin e eksodit të madh të shqiptarëve në fund të viteve ’90 dhe të dinamikave historike që e kanë përcjellë Ballkanin.

Një vërejtje e tij ka karakterizuar veçanërisht këtë mbrëmje.

“Interesant është kur thuhet se Shqipëria e ka zgjedhur këtë film ta tentojë ‘përfaqësimin e Kosovës’ në Oscars”, ka thënë ai me këtë fjali që në pamje të parë tingëllon paradoksale, por që në thelb e pasqyron situatën aktuale, Kosovën që nuk ka hyrë fare në garë me film të vetin, ndërkohë që është qendrore prania e saj në filmin me të cilin garon Shqipëria. 

Më 2023 ishte vendosur që Kosova të mos ketë kandidat, me arsyetimin e cilësisë. Kurse më 2024, QKK-ja as që ishte marrë me këtë temë. Fillimisht kishte heshtur në raport me moshapjen e thirrjes. Më pas drejtoresha e këtij institucioni, Blerta Zeqiri, kishte treguar se kishin disa probleme me e-mail adresë. 

Premiera e Prishtinës në “Cineplexx” e ka nënvizuar një boshllëk dhe një prani njëkohësisht. Boshllëku i një viti ku Kosova nuk ka arritur të bëjë hapin drejt “Academy Awards” me një përfaqësim të vetin. Dhe prania që s’mund të anashkalohet në “Luna Park”, aktorja kryesore, producenti kosovar, dhe institucioni kombëtar që e ka mbështetur si bashkëprodhim.